Gazetari Ihar Karnei ishte me humor të mirë atë mëngjes të së hënës, dy vjet më parë, kur u nis për në dyqan pas një fundjave “të lumtur” në fshat me miqtë dhe bashkëshorten e tij, Ina. Por, nuk arriti larg, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Sapo doli nga banesa, pa një hije në shkallë — dhe u përball menjëherë me një oficer të KGB-së, siç vazhdon të quhet shërbimi kryesor i sigurisë në Bjellorusi, edhe 35 vjet pas rënies së Bashkimit Sovjetik.
“Doli që kishte pritë afër gropës së plehrave”, tha Karnei për Radion Evropa e Lirë në një intervistë.
“Ma tregoi një copë letër para fytyrës dhe tha: ‘Kthehemi brenda. Kam disa pyetje dhe do të bëjmë kontroll’”.
Pas një kontrolli të banesës së tij nga disa agjentë të KGB-së, Karnei u arrestua dhe u dërgua në paraburgim.
“Mbaj mend edhe çfarë këmishe kishte veshur”, kujton Ina.
“Mendova se duhet ta ruaj këtë moment në kujtesë, sepse nuk e dinim sa kohë do të mungonte Ihar. Më pas hetuesi më njoftoi se po mbahej për 10 ditë”.
Në fakt, Karnei u mbajt në paraburgim dhe burg për gati dy vjet — në kushte ekstreme, shpesh në qeli të mbipopulluara apo izolim të plotë — derisa u lirua muajin e kaluar dhe u dërgua në Lituani, si pjesë e një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për lirimin e 14 të burgosurve politikë të regjimit autoritar të Aleksandar Lukashenkos.
Karnei, i cili ka punuar me Radion Evropa e Lirë për mbi 20 vjet, është vetëm një nga mijëra bjellorusë të arrestuar për akuza politike që, sipas organizatave për të drejtat e njeriut, janë të sajuara nga regjimi i Lukashenkos, i cili prej 31 vjetësh sundon pa toleruar kundërshtime.
“Kushtet çnjerëzore”
Mundimet e Karneit filluan në qendrën famëkeqe të paraburgimit Akrestsina në Minsk.
“Kushtet atje janë thjesht çnjerëzore”, tha ai.
U vendos në një qeli më pak se 6 metra katrorë, me 10 persona të tjerë.
“Qëndronim si në një autobus të stërmbushur. Kjo zgjaste 5, 10, 12 ditë — pa fund”.
Gardianët i zgjonin dy herë natën: në orën 2 dhe 4 të mëngjesit.
“Është e vështirë fizikisht të ngrihesh, sepse trupat janë ngjeshur si pjesët e një pazlli”.
Tualeti ishte i hapur, përpara gjithë të burgosurve. Ushqimi jepej me nxitim mes një kaosi me 1.500 persona që kalonin në mensë për më pak se një orë.
“Ky është mjeti kryesor i mbijetesës”, tha ai, duke ngritur një lugë të vjetër alumini që kishte ruajtur nga burgu. “Nëse e humbet, mbetesh pa ngrënë. E mbaje gjithë kohën në xhep”.
Në gusht 2023, Karnei mësoi se akuzat ndaj tij kishin të bënin me lidhjet me Shoqatën e Gazetarëve Bjellorusë, e shpallur më herët si organizatë ekstremiste nga KGB-ja.
Në mars 2024 u dënua me tre vjet burg për pjesëmarrje në një grup ekstremist, dhe në dhjetor dënimi iu shtua edhe për 10 muaj të tjerë.
Një nga “provat kryesore” ishte një kërkesë që ai kishte shkruar në vitin 1997 për t’u anëtarësuar në Shoqatën e Gazetarëve.
“Zotërinj, kanë kaluar 25 vjet, gjithçka ishte në rregull për shumë vite — askush nuk e kontestonte këtë shoqatë”, tha ai.
Megjithatë, gjatë gjykimit dhe qëndrimit në burg, fokusi i autoriteteve nuk ishte te shoqata e gazetarëve, por te puna e tij me Radion Evropa e Lirë — me Shërbimin e Bjellorusisë, i njohur si “Svaboda” (Liria).
“Svaboda përmendej vazhdimisht. Ishte një faktor i vështirë për mua”, tha ai, duke sugjeruar se regjimi e akuzonte padrejtësisht për “bashkëpunim me të huajt”.
Pas Akrestsinës, Karnei u dërgua në një burg në qytetin lindor Shklou.
Të dënuarit për “krime politike” nuk kishin të drejtë për vizita, kontakt me familjen, përdorim të bibliotekës, fushave sportive apo pajisjeve të ushtrimeve — ndryshe nga të dënuarit për krime të dhunshme.
“Nëse je besimtar, nuk lejohet as të shkosh në kishë”, tha ai, ndërsa “vrasësit apo mashtruesit” e kishin këtë të drejtë.
Të burgosurit antiregjim detyroheshin të vendosnin dorën në zemër gjatë himnit kombëtar në fillim e fund të ditës — përndryshe kërcënoheshin me izolim.
Më pas, Ihar u transferua në një burg të rreptë në qytetin juglindor Mazyr.
“Kushtet ishin aq të këqija, sa që Shklou dukej si Las Vegasi në krahasim”, tha Karnei.
Por, atmosfera në Shklou ishte shumë më shtypëse.
Për “shkelje të vogla” sanksionet ishin të ashpra: izolim i menjëhershëm apo qeli me kufizime të rënda.
Ai u përball me keqtrajtim të veçantë nga një zëvendësdrejtor burgu, të cilin e njihte nga gjykimi, ku kishte qenë një nga 22 dëshmitarët e Prokurorisë.
Ihar dhe Ina Karnei, bashkë me katër vajzat e tyre, janë në mesin e shumë bjellorusëve që u larguan nga vendi pas zgjedhjeve të vitit 2020.
Më shumë se 65.000 vetë janë arrestuar që nga ajo kohë, dhe shumë prej tyre kanë raportuar dhunë dhe tortura nga autoritetet.
Në janar, disa muaj para lirimit, Karnei u detyrua të paraqitej në një video propagandistike të regjimit, të transmetuar në televizionin shtetëror, në të cilën akuzoheshin gazetarët e Radios Evropa e Lirë për përpjekje “për të djegur Bjellorusinë”.
“Në xhirime, më janë ngrirë pothuajse hundët”, tha ai. “Dhe, të gjithëve u duhet të jetë e qartë se këto video janë të realizuara nën presion”.
E ardhmja e paqartë për të tjerët
Lukashenko e shpalli veten fitues për herë të shtatë në zgjedhjet presidenciale të janarit 2025 — të cilat janë dënuar si farsë nga opozita dhe qeveritë perëndimore.
Megjithëse disa të burgosur politikë janë liruar kohët e fundit, sipas organizatës për të drejtat e njeriut Vyasna, më 1 korrik 2025 në burgjet e Bjellorusisë vazhdonin të mbaheshin 1.175 persona për arsye politike.
Njëri prej tyre është gazetari i Radios Evropa e Lirë, Ihar Losik, i arrestuar para më shumë se pesë vjetësh.
Përveç paraqitjes në një video propagandistike në janar, nuk ka pasur asnjë informacion për të për gati dy vjet.
Kreditimi Rural i Kosovës (KRK), është një institucion mikrofinanciar në Kosovë, që do të përfitojë një kredi prej 10...