Kush urren shtetin e Kosovës - Gazeta Express

OP/ED

Gazeta Express

26/01/2020 11:51

Kush urren shtetin e Kosovës

OP/ED

Gazeta Express

26/01/2020 11:51

Shkruan: Lis Bukuroca

Ende gjykojmë për politikanët në mënyrë fisnore ose komuniste. Në Perëndim kërkohet prej politikanit aftësi, ide të reja, aftësi për t’i zbatuar ato, dinjitet, shërbim dhe pastërti morale. Te ne i besojnë titujve, kontributit në të kaluarën, edhe pse dihet dhe shihet, se ai sot nuk ka asnjë mundësi intelektuale për të ndryshuar gjendjen e mjerë në shoqëri, edhe pse, pos pozitës që gjakon, nuk din të ndryshojë asgjë, e as nuk mund të ndikojë në ndryshime pozitive, sepse vetë është pjesë e një rrjeti, që ka paralizuar shtetin.

Turma, pa aftësi për të shquar dallimet mes pallavrave folklorike, dhe programeve të zbatueshme, pret ndërtim të shtetit ligjor pikërisht nga ata, që e kanë sjellë shtetin në kolaps: dështim total në administratë, nëpër universitete, gjykata, prokurori, akademi, spitale dhe në fund, edhe heroizmin e kriminelëve, që vjedhin shtetin e Kosovës duke u paguar si veteranë muaj për muaj. Natyrisht, në dëm të atyre, që meritojnë më shumë se sa që ndahet nga thesi i përbashkët me mbi 20.000 të rrejshëm!

Republikën e kemi shpallur, por Republikën nuk e kemi ndërtuar. Kudo ka improvizime, kudo të punësuar njerëz të paaftë, por me lidhje të forta me despotët e partive. Shumica e liderëve të partive janë të korruptuar, për shoqërinë perëndimore kriminelë, por edhe sipas ligjeve të Kosovës, që nuk zbatohen. Jo vetëm ata, por edhe fëmijët e tyre janë pasuruar dhe kryetarët e klaneve parapolitike, që i quajmë parti, kanë punësuar krejt fisin. Madje, edhe e tregon hapur, por në vend se të rrëzohet, shpirti i korruptuar vlerësohet si qëndrim fisnik:„Ja, ky po e pranon.“ Pra, është i drejtë si njeri, sepse e pranon se ka shkelur ligjet e Kosovës dhe se po e prish shtetin me imunitet për ta shkatërruar!

Shtetin e Kosovës e urren çdo politikan, që e ka dëmtuar me punësime jo të drejta, çdo politikan, që është pasuruar duke vjedhur ekonominë e saj, çdo politikan që ka heshtur duke parë abuzimet. Me apo pa vetëdije, kjo shtresë e kriminelëve shkatërroi imazhin e Kosovës dhe rehabilitoi Serbinë.

Gjithnjë e më shumë kuptohet Serbia dhe gjithnjë e më shumë ndihmohet ajo. Tani edhe na mbushin mendjen se kur i hapet tregu Serbisë, rritet numri i të punësuarve në Kosovë, jo në Serbi! Kosovës për shkak të kësaj elite politike, nuk in hiqen as vizat, e nga kush? Nga ata që na çliruan!

Shumica e politikanëve në Kosovë, jo që meritojnë pozita, por duhej të akuzoheshin për krijimin e  shtetit gati mafioz, nga, shumica e popullit dëshiron të ikë sa më shpejt. Gjersa ndërtohej ky para-shtet,  ata paguheshin dhe pasuroheshin, qeshnin e talleshin, mburreshin e kremtonin festa të ndryshme dhe kishin mbështetjen e militantëve, që presin favore prej tyre, apo që i kanë marrë tashmë.

Kosovës i kanë mbetur dy politikanë, që duhet t’i provojë para emigrimit total: Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, por këta dy do ta kenë tepër vështirë, ose do t’u pamundësohet, sepse oligarkët marrin vendime në Kosovë për t’i mbrojtur interesat e veta, jo të dijshmit, jo të pasionuarit për drejtësi e ndryshme pozitive. Jo ata që dinë sot, por ata që kanë ditur dje!

Meqenëse vlerësojmë dhe shpërblejmë të kaluarën, do të jetojmë edhe në të kaluarën!

Edhe pse rend i ri politik, çdo gjë është kopjuar nga sistemi vetëqeverisës komunist i Titos. Si nga ritualet që bëhen pranë varreve, deri te punësimi i partizanëve në vende udhëheqëse që përmbaruan shembjen e Jugosllavisë. E vetëkuptueshme, vlerësohej guximi i tyre kurse mosdija shpërblehej. Mirëpo, shteti i Titos, ishte më efektiv dhe vidhte më pak se sa patriotët e sotshëm!

Drama e koalicionit në LDK, është lufta në mes oligarkëve makiavelistë dhe brezit të ri që din dhe dëshiron t’i shërbejë vendit. Të parët kanë lekë dhe pushtet, prandaj Vjosa Osmani u margjinalizua, edhe pse ata që marrin vendime, nuk kanë pas vete elektoratin. Kur Gerhard Schröder pat fituar zgjedhjet, Oskar Lafontaine ishte kryetar i SPD-së, por fjalën kryesore kishte fituesi, Schröder, dhe pas pak, kryetari i partisë dha dorëheqje. Në Kosovë ndodh e kundërta.