Kush s'punon s’paguhet! Ku e mori Kurti armën? - Gazeta Express
string(42) "kush-spunon-spaguhet-ku-e-mori-kurti-armen"

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

08/10/2022 18:14

Kush s’punon s’paguhet! Ku e mori Kurti armën?

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

08/10/2022 18:14

Ndërkohë që i rrimë karshi pushtetit, duhet treguar pa pra se nuk kemi të bëjmë me një model i majtë që po dështon, por me vetë tradhtinë e idealeve të barazisë.

Zgjim Hyseni

Parulla e përdorur nga Qeveria në luftë kundër sindikatave po tingëllon aq qartë saqë natyrshëm. Njëjtë po pranohet prej të gjithëve. Edhe ata që janë në mbrojtje të sindikatës nuk e kontestojnë këtë frazë shikuar nga pikëpamja e vërtetësisë.

Kush s’punon s’paguhet –  kjo është një armë që po godet mirë sepse po na lë pa mbrojtje. Çfarë e bën efektive këtë armë brenda luftës ideologjike? Sigurisht, mënyra se si pranohet konstatimi. Ai na vjen si i natyrshëm, i saktë dhe ahistorik. Mesazhi përbrëndësohet, thirrja nuk po vjen nga jashtë. Duket sikur mësuam diçka që paska qenë prej kohësh përvoja jonë e qenies. E saktë si një detyrë matematikore me provë; e natyrshme si ligjet e fizikës; ahistorike se kështu e dimë këtë punë prej se është kurdisë dynjaja.

Krejt çfarë mund të dyshohet këtu është një sjellje e tepruar e Qeverisë në kushte të rënduara sociale, por asnjëherë fraza në vetvete. Fraza-armë brenda llogores e ka mbyllur shikimin për të parë terrenin ideologjik.

Analizat e konceptet thjeshtësohen e kondensohen deri në parulla për të drejtuar njerëzit në procese politike. Por, secila thirrje i ka mbrapa gjurmët ideologjike të premisave të nënkuptuara.

Kush punon paguhet, kush s’punon s’paguhet! Ku e mori Kurti armën? Nga cili terren? Mund të nisim duke shqyrtuar premisën e nënkuptuar. Ky formulim parakupton marrëdhënie të drejta e të barabarta brenda një sistemi që ia jep hakun gjithkujt. Kështu, ata që kanë miliarda kanë punuar aq shumë e aq mirë, hallall iu qoftë puna. Këta në periferi s’kanë asgjë sepse nuk e dinë as emrin e tyre. “Analfabetët” pra e korrin meritën.

Gjithë lufta politike e dy shekujve të fundit përshkruhet nga fakti se ka kontradiktë reale dhe mosmarrëveshje konceptuale midis punës dhe pagës. Krejt procesi akumulues i kapitalit krijohet nga fakti që punëtori nuk paguhet sipas punës, ai krijon mbivlerë që i kthehet vetë atij kundër. Sindikatat ekzistojnë pikërisht sepse midis punës dhe pagës nuk ka barazim. Si janë këto dallime?

E djathta dallimet ekonomike ia atribuon guximit e shpirtit ndërmarrës që disa e paskan, e disa të tjerë jo. Prandaj, të vobektit (analfabetët) e meritojnë gjendjen e tyre. Pozicioni i majtë sheh pabarazi të origjinës dhe instrumente riprodhuese të shfrytëzimit që gjithë çfarë bëjnë është zgjerimi i kontradiktave drejt zhvillimit të pabarabartë. Varësisht nga këto premisa ideologjike vjen edhe përgjigjja politike. Kur zhvillimin e sheh përmes kapitalit, atij ia heq taksat dhe ia hap dyert. Skaji politik i këtij qëndrimi shkon deri tek luftimi i sindikatave. Është bërë tashmë zakon të përmenden Thatcher e Reagan. E majta ndërkaq, niset nga besimi se gjithë çfarë krijon vlerë të re vjen nga këmbimi i vlerës me një fuqi tjetër që krijon më shumë vlerë, një madhësi konstante shndërrohet në të ndryshueshme. Kjo vlerë është fuqia punëtore. Kjo analizë udhëzon botëkuptim e politika tjera. Orientimi është drejt bashkëpunimit me sindikata. Shumë parti i kanë ato pjesë të vendimmarrjes. Edhe partitë e qendrës madje, kur propozojnë tatime progresive e marrim si të mirëqene këtë pabarazi strukturore.

Duhet ta pranojmë, kohëve të fundit Kurti është koherent. Premisa e tij është barazimi midis punës dhe pagës. Nëse kjo është premisa, atëherë konkluzioni logjik nuk është tatimi progresiv. Tatimi progresiv është instrument – përgjigje ndaj pabarazisë strukturore. Ai rishpërndan pasurinë ashtu që hendeku shoqëror të mos marrë forma të konfliktit shoqëror.

Ta shtrojmë pyetjen: si ndikon kërcënimi “kush s’punon s’paguhet!” në marrëdhëniet punë-kapital? Kur Qeveria e “majtë” ua bën këtë punëtorëve, çfarë do të bëjnë oligarkët gjetiu?! Kjo luftë e pashembullt, do të inkurajojë sindikalizmin e grevat, apo kërbaçin e disiplinimit?!

Sipas Eurostat, Kosova e ka shkallën më të lartë të pabarazisë në Evropë, nëse e shohim hendekun midis atyre që janë në krye të piramidës së strukturimit shoqëror, dhe atyre që janë në fund e në margjina. Cilat politika rishpërndarëse i ka ndërmarrë Qeveria? Sa privatizime janë rishikuar? Sa tatime të reja janë instaluar? Cilat norma tatimore janë rritur? Byro me xhufkë, mirëmbajtje e inatit.

Kjo armë është prodhuar nga lënda e parë dhe gjysmëfabrikatet e doktrinës ekonomike liberale. Mbushja e saj po përdoret kundër punëtorëve, për llogari të kapitalit, dhe sigurisht, vetë autoritetit të kryeministrit.

Dëmi i shkaktuar është vërtetë i madh. Është aktual dhe i shtrirë në kohë. Dëmi aktual sigurisht se është efekti disiplinues mbi kërkesat sindikale konkrete, por edhe frymën e sindikalizmit në të ardhmen. Korporatave të mëdha private iu është dhënë dritë e gjelbër nga precedenti i krijuar me trajtimin e punëtorëve në sektorin publik. Vështirësia e të ardhmes është politike. Përparimi shoqëror përmes të majtës ka pësuar goditje të rëndë. Gjithë çfarë shohin njerëzit është linçimi dhe akuza. Asnjë frymëzim, asnjë dashuri, asnjë përpjekje të përbashkët. Një zymtësi nihilizmi që po i shihet fillimet nuk duhet lejuar. Përballja është e dyfishtë: ndërkohë që i rrimë karshi pushtetit, duhet treguar pa pra se nuk kemi të bëjmë me një model i majtë që po dështon, por me vetë tradhtinë e idealeve të barazisë.