Qytetarët e Kosovës të dielën do t’u drejtohen sërish kutive të votimit. Kësaj radhe, për të zgjedhur kryetarët e komunave.
Garë interesante pritet të jetë në disa rajone, sidomos në Prishtinë. Kryeqytetit, por edhe komunat përreth, pritet të kalojnë në garë të fortë, sidomos Obiliqi, Lipjani, Fushë Kosova e Podujeva.
Prej garave më të forta pritet në Drenas, ku Ramiz Lladrovci dhe Petrit Hajdari, do të synojnë të parin e komunës.
Ngjashëm pritet edhe në Mitrovicë mes Faton Pecit e Arian Tahirit, Prizren, Kamenicë e disa komuna të tjera.
Por, për dallim prej tash, para katër vitesh, cilat komuna shkuan në balotazh, e cilat jo? Sa fituan partitë, e kush kishte befasuar?
Nacionale sjell rezultatet e të gjitha komunave në vitin 2021.
PRISHTINA
Sikur edhe në këto zgjedhje, edhe para katër vitesh, garë e fortë kishte qenë në kryeqytet. Kandidati i vetëm që garon në këto zgjedhje prej tre të parëve, e që nuk ishte para katër vitesh, është Hajrulla Çeku në vend të Arben Vitisë. Ky i fundit me partinë Vetëvendosje, në rundin e parë të zgjedhje kishte marrë 42%, apo rreth 36 mijë vota, duke e lënë prapa bindshëm në balotazh Përparim Ramën e LDK-së me rreth 25 mijë vota, apo 29%.
Megjithatë, ndryshimi i madh kishte ndodhur në balotazh. Përparim Rama arriti të shtonte mbi 15 mijë vota, duke shkuar në rreth 41 mijë e 500 apo 50.98%. Kurse, Arben Vitia mori 40 mijë vota, apo 49%, dhe duke humbur kështu garën.
Si rezultat, Vetëvendosje e humbi kryeqytetin aso kohe, pas gati 8 vjet qeverisjeje të Shpend Ahmetit.
GJILAN
Gjilani pas një kohe nën qeverisjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në zgjedhjet e vitit 2021, ndryshoi kryetarin. Me balotazh.
Në rundin e parë në Gjilan, Alban Hyseni kishte pasur rreth 19 mijë vota apo 44.70%, duke e lënë prapa Lutfi Hazirin me rreth 18 mijë e 500 vota, pra një garë të ngushtë. Ngushtë shkoi edhe në balotazh.
Alban Hyseni kishte rreth 1 mijë vota më shumë se Haziri. Saktësisht, Hyseni i VV-së merrte rreth 21 mijë e 800 vota apo 21.10%, kurse Haziri 20 mijë e 800 vota apo 48.9%.
Alban Hyseni garon edhe në këto zgjedhje, por si rival kryesor Arbër Ismailin e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
GJAKOVA
Ardian Gjini i AAK-së do të dilte bindshëm i pari në rundin e parë para katër vitesh, megjithatë jo mjaftueshëm për të fituar pa balotazh. Ai merrte rreth 19 mijë vota, apo 45%, duke e lënë pas Mimoza Kusari-Lilën me mbi 15 mijë vota, apo 37%.
Nuk pati befasi as në balotazh, pasi Gjini e rriti votën në 20 mijë e 700 apo 56%, kurse Mimoza Kusari shkoi në rreth 16 mijë e 300 vota, apo 44%.
E këtë vit, në vend të Kusari-Lilës, kandidati me të cilin garon Gjini është Ardian Gola i Vetëvendosjes.
PRIZREN
Prizreni ishte garë e fortë para katër vitesh, njëjtë siç pritet edhe më 12 tetor. Kësaj radhe, Shaqir Totaj që fitoi para katër vitesh e ka përballë Artan Abrashin e VV-së e Driton Selmanajn e LDK-së.
Në zgjedhjet e vitit 2021, në rundin e parë, Mytaher Haskuka arriti të merrte rreth 24 mijë vota, apo 40%, duke e lënë të dytin Totajn e PDK-së me afro 19 mijë vota, apo 31%. Por, situata u përmbys në balotazh.
Haskuka mori rreth 26 mijë e 500 vota apo 49%, kurse Shaqir Totaj shkoi në mbi 27 mijë e 500, apo 50.93%, duke e kthyer Prizrenin nën qeverisjen e PDK-së.
MITROVICË, PEJË, FERIZAJ
Në zgjedhjet e para katër vitesh, tri komuna të mëdha përfunduan pa balotazh. Fjala është për Mitrovicën e Jugut, Pejën e Ferizajn.
Në Mitrovicë të Jugut, Bedri Hamza me mbi 53% të votave, arriti ta mposht pa balotazh Agim Bahtirin e Vetëvendosjes.
Në Pejë, Gazmend Muhaxheri fitoi rreth 60%, apo me mbi 23 mijë vota, duke vazhduar qeverisjen në ‘Lulen e Dukagjinit’,
Edhe në Ferizaj, puna ishte kryer në rundin e parë. Atje, me mbi 60% të votave, Agim Aliu, siguroi edhe një mandat. Përderisa në këto zgjedhje në Mitrovicë, në vend të Bedri Hamzës është Arian Tahiri, në Pejë e Ferizaj, garojnë sërish Muhaxheri e Aliu.
Pa balotazh kishte fituar bindshëm edhe Bashkim Ramosaj në Deçan me gati 10 mijë vota, apo 64%.
Balotazh nuk pati as në Lipjan, ku Imri Ahmeti fitoi me rreth 56% të votave, apo mbi 15 mijë e 500 vota. E në këto zgjedhje, pritet garë e ashpër pasi PDK-ja është kthyer me Shukri Bujën e VV-ja garon me Ilir Çeriqin.
Në Han të Elezit, fitoi pa balotazh para katër vitesh Mehmet Ballazhi i PDK-së, njëjët si në Skënderaj ku Fadil Nura fitoi në rundin e parë përballë Bekim Jasharit.
Në rundin e parë para ktër vitesh fitonte Bali Muharremaj me 51%, apo mbi 14 mijë e 500 vota.
FUSHË KOSOVA, OBILIQ, PODUJEVË, DRENAS
Rajoni ‘01’, edhe në vitin 2021, edhe këtë vit, pritet të sjell garë të nxehtë.
Fushë Kosova pritet të jetë tejet interesante. Para katër vitesh, Burim Berisha në rundin e parë fitonte rreth 49% të votave, apo me gati 8 mijë vota, duke lënë pas Enver Bajçincën e VV-së, parti e cila tash garon me Valon Prebrezën. Në balotazh, Berisha fitoi me mbi 65% të votave.
Në Obiliq, njëjtë si para katër vitesh, edhe tash, gara pritet të jetë mes Xhafer Gashit e Halil Thaçit. Në rundin e parë, Gashi mori 48% të votave, apo 5 mijë e 900 vota, kurse Thaçi 20% apo mbi 2 mijë e 500 vota. Në balotazh, Gashi fitoi me mbi 61% të votave, apo rreth 6 mijë e 500 sosh, përballë 4 mijëve të Thaçit.
Në front njëjtë si në Obiliq, do të jenë edhe në Podujevë emrat e njëjtë. Fjala është për Ekrem Hysenin e Shpejtim Bulliqin. Ekrem Hyseni para katër vitesh fitonte me një dallim të vogël, duke marrë 44.20% apo 16 mijë e 925 vota, përballë 44.16% apo 16 mijë e 907 vota të Shpejtim Bulliqit. E në balotazh, Shpejtim Bulliqi shkoi në 52%, përballë 48% të Hysenit. Dallimi ishte pak më shumë se 1 mijë vota.
Edhe para katër vitesh, Drenasi ishte interesant. Aso kohe, Ramiz Lladrovci garonte për PDK-në, kurse Driton Ajazi me një iniciativë. Lladrovci në rundin e parë arriti 45.5% të votave, apo rreth 10 mijë sosh, kurse Ajajzi 30.% apo gati 7 mijë vota. Në balotazh, Lladrovci shkoi në gati 12 mijë vota apo 54%, kurse Ajazi 10 mijë vota, apo 45.84%.
KAMENICË, SHTIME
Lëvizja Vetëvendosje do të arrinte të fitonte dy komuna të tjera në zgjedhjet e vitit 2021. Fjala është për Kamenicën dhe Shtimen.
Në Kamenicë, në rundin e parë, Qëndron Kastrati mori 32.5% të votave apo rreth 5 mijë e 400 sosh, kurse Kadri Rahimaj ishte afër me 31% apo 5 mijë e 100 vota. Në balotazh, Rahimaj i VV-së arriti të shkonte në 53% apo 8 mijë e 200 vota, kurse Kastrati ishte i dyti me 46%, apo 7 mijë e 200 vota.
Kurse në Shtime ku udhëhoqi për kohë të gjatë PDK-ja, fitoi Qemajl Aliu i Vetëvendosjes. Aliu në rundin e parë mori 45% apo rreth 5 mijë e 900 vota, kurse Naim Ismajli i PDK-së 44%, apo 5 mijë e 800 vota, pra dallimi ishte tejet i vogël. Diferenca u rrit në balotazh ku Aliu shkoi në rreth 7 mijë vota, kurse Naim Ismajli rreth 6 mijë e 900.
KLINË, RAHOVEC
Klina dhe Rahoveci para katër vitesh, mbetën nën udhëheqjen e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Në Klinë, Zenun Elezaj në rundin e parë do të merrte 43% apo rreth 7 mijë e 500 vota, kurse Esat Raci nga PDK-ja, 26% apo rreth 4 mijë e 700 vota. Elezaj triumfoi edhe në balotazh, me 55% apo rreth 7 mijë e 900 vota, kurse Raci në balotazh shkoi në 44%, apo 6 mijë e 400 vota.
Elezaj edhe në këto zgjedhje garon, megjithatë pritet betejë e nxehtë, pasi PDK-ja është kthyer me Sokol Bashotën.
Në Rahovec, Smajl Latifi në rundin e parë mori 47% apo rreth 10 mijë vota, kurse Visar Korenica i VV-së në atë kohë, 24% apo 5 mijë e 300 vota. Në balotazh, Latifi shkoi në 65% apo 11 mijë e 500 vota, kurse Korenica mori 34%, apo rreth 6 mijë vota.
DRAGASH, ISTOG, VITI, JUNIK
LDK-ja ishte partia me numër të madh të komunave të fituara para katër vitesh.
Në Dragash, arriti të fitonte me Behxhet Xheladinin.
Në Istog, Ilir Ferati në rundin e parë mori 41% apo rreth 8 mijë vota, përballë Bekë Berishës me 26% apo 5 mijë e 100 vota. Befasi nuk pati as në balotazh, ku Ferati mori rreth 56%, apo 9 mijë e 700 vota, përballë 43% apo 7 mijë e 500 votave të Berishës nga AAK-ja.
Në Viti, Sokol Haliti, në rundin e parë mori 41% apo rreth 8 mijë e 300 vota, përballë Arsim Ademit të VV-së me 34%, apo rreth 7 mijë vota. Haliti në balotazh shkoi në 8 mijë e 700 vota apo 51.4%, përballë 8 mijë e 300 votave apo 48% të Ademit. Të dy, janë kandidatë edhe në këto zgjedhje.
Në Junik, LDK-ja arriti ta përmbyste rezultatin në balotazh. Në rundin e parë, Agron Kuçi fitoi 45% apo 1 mijë e 419 vota, për dallim nga 42% apo 1 mijë e 319 vota sa kishte Ruzhdi Shehu. Në balotazh, Shehu i LDK-së mori 53% apo 1 mijë e 600 vota, kurse Kuçi mbeti me 46% apo 1 mijë e 424 vota.
KAÇANIK, VUSHTRRI
Partia Demokratike e Kosovës arriti të triumfonte edhe në Kaçanik e Vushtrri.
Në Kaçanik, Besim Ilazi mori në rundin e parë 44% apo 7 mijë e 100 vota, kurse Jeton Raka 33% apo rreth 5 mijë e 300 vota. Edhe në balotazh, Ilazi nuk e lëshoi frontin. Ai fitoi 53% apo mbi 7 mijë e 300 vota, kurse Jeton Raka mbeti me 46% apo rreth 6 mijë e 300 vota. Në këto zgjedhje, Raka garon sërish, kurse Ilazi ka lënë vend për Sabedin Vishin.
Në Vushtrri, gara e njëjtë, pritet të zhvillohet edhe këto zgjedhje. Ferit Idrizi përballë Xhafer Tahirit.
Idrizi në rundin e parë kishte marrë 34% apo 10 mijë e 200 vota, përballë 33% apo 9 mijë e 900 votave të Xhafer Tahirit, pra gara ishte e ashpër. E në balotazh, dallimi u rrit. Idrizi shkoi në 53% apo mbi 13 mijë e 400 vota, kurse Tahiri kishte 46% apo 11 mijë e 800 vota.
MALISHEVA
Komuna e vetme ku fitoi Nisma Socialdemokrate ishte Malisheva. Atje, Ekrem Kastrati mori 34% apo rreh 7 mijë e vota në rundin e parë, përballë 28% apo rreth 6 mijë e 300 votave të Isni Kilajt të PDK-së. Në balotazh, Kastrati mori 53% apo rreth 10 mijë e 500 vota, kurse Kilaj kishte 46.9% apo rreth 9 mijë e 300 vota.
Edhe në këto zgjedhje, Nisma garon me Ekrem Kastratin. /Nacionale
Pjesëmarrja në evente të zhvillimit personal dhe profesional, si Konventa 8, është thelbësore për rritjen individuale dhe suksesin në...