string(36) "kush-rrezikon-me-shume-nga-konflikti"

OP/ED

Gazeta Express

06/06/2025 18:11

Kush rrezikon më shumë nga konflikti?

OP/ED

Gazeta Express

06/06/2025 18:11

Shkruan: Ruben Avxhiu

Dy ish-aleatë të mëdhenj politikë në SHBA u prishën me njëri-tjetrin dje, duke kaluar në fyerje personale në publik.

Donald Trump si President i Shteteve të Bashkuara është automatikisht njeriu më i fuqishëm i botës. Elon Musk është njeriu më i pasur i botës. Të dy mund ta dëmtojnë shumë njëri-tjetrin, por kush nga të dy rrezikoi më shumë?

POLITIKA

Fushatat zgjedhore në SHBA janë shumë të shtrenjta. Republikanët dhe Demokratët mbështeten në donatorë të fuqishëm që financojnë fushatat e organizojnë takime fondmbledhëse.

Musk shpenzoi 250 milionë dollarë në fushatën e fundit presidenciale që u fitua nga Presidenti Trump. Disa republikanë druhen që nëse multimiliardieri i vë në shënjestër mund të zëvendësohen në zgjedhjet e ardhshme.

Nga ana tjetër, paraja nuk është gjithshka në politikë. Biden pati në arkën e fushatës shumë më tepër para sesa Trump dhe përsëri humbi. Musk shpenzoi miliona dollarë në Wisconsin në zgjedhjet e fundit dhe kandidati i tij humbi.

Vetë Trump vështirë se do të kandidojë përsëri prandaj nuk druhet nëse Musk nuk “kollitet” më për të. Megjithatë, në nëntor 2026 zgjedhjet për Kongresin do të kenë rëndësi për dy vjetët e fundit të presidencës së tij.

BIZNESI

Elon Musk ka themeluar dhe drejton disa nga bizneset më inovatore teknollogjike në historinë e njerëzimit. Por, gati të gjitha bizneset e tij varen nga kontratat me qeverinë amerikane. E vetmja që kishte një lloj pavarësie ishte Tesla, që prodhon vetura elektrike, por edhe ajo gëzonte një ndihmë masive financiare nga qeveria amerikane për t’i bërë makinat elektrike konkurruese në treg.

Madje Trump dhe Republikanë të tjerë akuzojnë Musk-un se iu kundërvu presidentit, kur mësoi se ishte mbyllur rubineti i ndihmës qeveritare për makinat e tij elektrike. Sipas Musk, ai u prish me Shtëpinë e Bardhë kur pa se paketa e re financiare e Presidentit Trump rriste akoma më shumë borxhin e jashtëm amerikan, duke vazhduar rrugën e nisur nga Biden e të tjerë.

Kjo varësi masive e bizneseve të Musk nga qeveria amerikane mund ta dëmtojnë shumë atë, nëse Trump vendos të hakmerret për ofendimet publike. Aksionet e Tesla-s në bursën amerikane pësuan rënie të mënjehershme. Disa mund të thonë se Musk kafshoi dorën që e ushqen. Por, pse nuk e ndëshkuan Demokratët duke ia kufizuar kontratat, kur bosi i Teslas u bë me Trump dhe sulmoi hapur Presidentin Biden? Në fakt, sulmi kishte filluar. Një numër isnpektorësh qeveritarë po studionin kontratat dhe punët e bëra për të gjetur shkelje. Ndryshe nga ata, Trump mund të mos ketë nevojë për justifikim ligjor nëse duhet të hakmerret ndaj tij. Do ta bëjë me një urdhër të thjeshtë.

Tesla ka kohë që vetëm bie si biznes, me një rënie të madhe shitjesh që është shpjeguar edhe me përfshirjen e tij në politikë dhe sulmet pa takt kundër partive kryesore politike në Evropë në mbështetje të partive të së djathtës nacionaliste. Por një arsye tjetër e fortë është edhe konkurrenca e fortë nga makinat elektrike kineze. Investitorët e Tesla-s u përpoqën t’i bëjnë puç dhe ta rrëzonin nga posti i Shefit Ekzekutiv (CEO), por ai mbijetoi dhe premtoi të përqendrohej më shumë në biznes sesa në politikë. Për këtë u tërhoq edhe nga angazhimi në Administratën Trump. Por mjaftuan vetëm pak ditë dhe nuk rezistoi dot pa u ngatërruar në debatet politike duke krijuar përsëri një krizë për investitorët.

Megjithatë, nuk është e lehtë që qeveria amerikane të mbyllë kontratat që ka me Elon Musk. Disa prej tyre janë jetike për NASA-n dhe eksplorimin e hapësirës kozmike. Pas vitesh dështimesh dhe vonesash të projekteve hapësinorë të qeverisë amerikane, kompania SpaceX e themeluar nga Elon Musk ka dëshmuar efikasitet dhe ka kryer disa udhëtime të suksesshme në hapësirë. Një kompani tjetër, Starlink ofron epërsi të madhe satelitore.

Një ndërprerje e bashkëpunimit do të ishte një kthim imadh pas për amerikanët. Më së paku do të duhej të mbështeteshin te Rusia për të udhëtuar në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor. Boing është një tjetër kompani që ka kontratë për të kryer udhëtime në hapësirë por për momentin anija e tyre kozmike Starliner ndodhet jashtë funksionimit.

Por sa do ta dëmtonte vërtet Presidentin Trump, kjo ndërprerje e punës së NASA-s? Nëse inati i tij me ish-aleatin është shumë i madh, a nuk do ta sakrifikonte ai një veprimtari që nuk jep menjëherë pasoja në jetën e amerikanëve? Ka dhjetëra kompani të tjera që shohin me interes këtë konflikt, sepse janë gati të hyjnë në garë për kontratat qeveritare. Në prej tyre është Blue Origin Enterprises, i Jeff Bezos, bosit të Amazon.com me të cilin Musk ka një rivalitet personal.

PLATFORMAT E KOMUNIKIMIT MASIV

Musk është edhe pronar i rrjetit social më dinamik në internet: X (dikur Tuitër). Ai mund ta përdorë në mënyrë efikase për të dëmtuar armiqtë e tij në politikë. Ndonëse synimi për blerjen e këtij rrjeti për 44 miliardë dollarë ishte që ta nxirrte politikën jashtë administrimit të rrjetit dhe për të lejuar lirinë e fjalës, Musk mund të ndryshojë mendim nëse përplasja politike e tij thellohet.

Demokratët nga inati i Musk kanë braktisur X për Bluesky dhe Threads, kurse Trump themeloi TruthSocial kur demokratët e dëbuan nga rrjeti Tuitër dhe nuk është rikthyer më edhe kur Musk e bleu dhe i dha të drejtën ta përdorte përsëri. Megjithatë, X mbetet superior dhe pothuajse të gjithë rikthehen aty sa herë që ka përplasje me rëndësi. Platformat e tjera mbeten opcionale dhe anemike.

Duke u prishur me Musk, Trumpistët rrezikojnë që të vihen përsëri në shënjestër nga rrjeti ashtu si dikur. Ka shumë mënyra që algoritmi t’i ndëshkojë. Duke ua ulur shikueshmërinë, duke bërë që më pak njerëz t’i lexojnë, ndërkohë që amplifikohen përgjigjet dhe sulmet kundër tyre.

PERSPEKTIVË

Republikanët janë më të prirur që të jenë në anën e Presidentit Trump që gëzon popullaritet të madh mes bazës së partisë. Musk gëzon admirim gjithashtu mes tyre, por në fund të fundit është një multimiliardier me interesa biznesi që shkojnë përtej Amerikës (22% e Teslave prodhohen në Kinë, gëzon një marrëdhënie çuditërisht të mirë me Kremlinin etj) dhe nuk është shumë i zoti në komunikimet me publikun.

Mirëpo, si shkroi dje Musk, në një nga postimet e tij: Trump do të jetë i fuqishëm edhe për 3 vjet e gjysëm, maksimumi, kurse ai do të jetë edhe për 40 vjet të tjera të paktën, kështu që bëjini mirë llogaritë.

Por në politikë zakonisht mendohet për ditën tjetër, jo për perspektivën. Gjërat shkojnë e vijnë shpejt. Ja, vetëm, pak ditë më parë, Trump dhe Musk ishin miq të pandarë.

aaaaa