Kush për çka / Sartori: Homo videns - Televizioni dhe postmendimi - Gazeta Express
string(60) "kush-per-cka-sartori-homo-videns-televizioni-dhe-postmendimi"

Arte

Gazeta Express

30/09/2022 16:12

Kush për çka / Sartori: Homo videns – Televizioni dhe postmendimi

Arte

Gazeta Express

30/09/2022 16:12

Gjuha nuk është vetëm mjet i të komunikuarit, por edhe i të menduarit, e të menduarit nuk i nevojitet shikimi.

HOMO VIDENS – TELEVIZIONI DHE POSTMENDIMI

Lexo Edhe:

Nga: Giovanni Sartori

Televizioni, -siç e thotë edhe emri, është “të shohësh së largu” (tele), pra, t’i sjellësh publikut gjëra për t’u parë prej ngado, nga çdo vend e distancë, ndaj aty e vështruara e mbizotëron të folurën, në kuptimin që zëri në sfond është dytësor, në funksion të imazhit, pra komenton imazhin. Si rrjedhojë, telespektatori është më tepër kafshë vështruese, se kafshë simbolike: për të, gjërat e paraqitura përmes imazhit peshojnë dhe janë më të rëndësishme se ato që thuhen me fjalë dhe kjo është një përmbysje radikale e drektimit, sepse teksa aftësia simbolike e distancn homo sapiens-in prej kafshës, e vështruara e e rikthen sërisht atë tek aftësitë e veta stër-stërgjyshore, llojit specie e të cilit homo sapiens-i është.

Deri me shpikjen e televizorit, andej nga shekulli i mesit tonë, “e vështruara” e njeriut qe fuqizuar në dy drejtime: dinte të zmadhonte të voglën (me mikroskop) e të shihte larg (me binokël, e madje edhe më larg, me teleskop). Ndryshe nga këto, televizori na lejoi të shihnim gjithçka pa i shkuar pranë: të dukshmet na vinin falas në shtëpi nga të gjitha anët dhe nuk përfundoi me kaq: në këta pak dhjetëvjeçar, përparimi teknologjik na shpuri në moshën kibernetike. Në fakt kemi kaluar ose po kalojmë në një epokë “multimediale”, në të cilën, siç e thotë edhe fjala, mediat janë të shumta dhe televizori nuk është më mbreti i tyre. Sovrani i ri është kompjuteri, sepse ai (e bashkë me te edhe dixhitalizimi i mediave tjera), jo vetëm që unifikon fjalën, tingullin dhe imazhin, por fut tek “të dukshmet” edhe realitetet e stisura, virtuale.

Pra ndryshimi shkaktohet nga informimi përmes të vështruarit. Ai nis me televizionin, ndaj edhe unë po e nis nga tele-shikimi. Cilatdo qofshin zhvillimet virtuale të video-shikimit pas televizionit, ishte ky i fundit ai që e ndryshoi i pari dhe thelbësisht natyrën e komunikimit, duke e zhvendosur atë nga konteksti i fjalës (së shtypur apo transmetuar përmes radios), në atë të imazhit. Ndryshimi është thelbësor, se fjala është “simbol” që shpjegohet në atë çka nënkupton, në atë që të jep të kuptosh, dhe mund të kuptohet vetëm nëse e njeh, domethënë vetëm nëse njeh gjuhën së cilës i përket, në të kundërt nuk është gjë tjetër veç germë e vdekur, shenjë a tingull çfarëdo. Kurse imazhi është thjesht e pastër paraqitje vizive: ai shihet dhe kaq, e për ta parë mjafton të shohësh, të mos jesh i verbër; imazhi s’shihet në kinezçe, arabçe apo anglezçe, po thjesht, e përsëris, shihet dhe kaq!

Televizioni shquhet veçanërisht për një gjë: të mban ngjitur pas vetës, të argëton dhe dëfren, pra, siç edhe e përmenda, kultivon homo ludens-in, por kështu na pushton edhe krejt jetën, duke marrë rolin e një demiurgu: pasi “formon” fëmijët, ai vazhdon të formojë apo ndikojë edhe të rriturit, “duke i informuar”: duke i informuar së pari me lajme (më tepër se me nocione), pra duke u rrëfyer çka ndodh nëpër botë, afër a larg qoftë. Pjesa më e madhe e këtyre lajmeve janë në më të shumtën e tyre mbi sportin, kronikën e zezë, rozë (a qaravitësen) apo mbi katastrofa të ndryshme, çka nuk e zhbën aspak të dhënën që ato me më ndikim dhe rëndësi objektive janë lajme politike, pra ato mbi polis-in (tonin e të tjerëve). Pavarësisht se shumicës nuk i intereson, të marrësh vesh nga politika është e rëndësishme, sepse ajo na kushtëzon të jetuarin dhe të bashkëjetuarin…

Vido-fëmija i sotëm, ai i valës së parë, kufizohet në pasqyrimin e një truri të atrofizuar logjikisht e racionalisht; ai i multimedializuari i së nesërmes, i valës së dytë, do të jetë edhe një i paintegruar, një un “i dekonstruktuar”, që do të shkojë të popullojë klinika psikiatrike. Sipas Negroponte-s, në erën dixhitale “unë jam unë”, kurse unë mendoj që do të ndodhë krejtësisht e kundërta. Parashikimi im është që bota multimediale do të popullohet prej një uni virtual të shpërbërë në një personalitet të shumëfishtë, pra pikërisht prej “uni neurotik”.

Koha jonë është e pazakontë për dy arsye: së pari, sepse siç e vura në dukje është tejet e pasur me sharlatanë e mashtrues, të cilët iluminizmi i kish diskretituar në masë, pra që qytetërimi perëndimor kish për më se dy shekuj që i mbante të margjinalizuar, e që tani janë rikthyer e po triumfojnë; triumfojnë edhe se ne sa vijmë dhe e shtojmë përshpejtimin e ikjen përpara. Kurse karakteristika e dytë – që është edhe e paprecedenta e kohës sonë, – është që tani gjithçka është neo, trans, “novitizmi” (term i sajuar prej meje ky) dhe beyondism-i, të shkuarit përtej (term i sajuar prej Daniel Bell-it), po lajthisin: nëse “s’kapërcen”, nëse nuk parakalon e s’del mbi të tjerët, sot nuk ekziston. Dhe unë në vend se të rrezikoj të mos ekzistoj, zgjedh të rezistoj.  

/Marrë nga Giovanni Sartori, ‘Homo videns – Televizioni dhe postmendimi’, me përkthim të Albana Nexhipi, “DITURIA”, 2013

/Gazeta Express