Kush për çka / Russell: Mbi Zotin dhe fenë - Gazeta Express
string(39) "kush-per-cka-russell-mbi-zotin-dhe-fene"

Arte

Gazeta Express

01/07/2022 17:25

Kush për çka / Russell: Mbi Zotin dhe fenë

Arte

Gazeta Express

01/07/2022 17:25

Sistemet e reja të dogmave, të tilla si ato të nazistëve dhe komunistëve, janë edhe më të këqija se sistemet e vjetra, por ato nuk do të kishin fituar kurrë pushtet mbi mendjen e njerëzve, nëse shprehitë dogmatike ortodokse nuk do të kishin qenë ngulitur në rini

Bertrandt Russell

Lexo Edhe:

Ajo që i nxit realisht njerëzit të besojnë te Zoti nuk është asnjë lloj argumenti intelektual. Shumica e njerëzve beson te Zoti, sepse ata kanë nxënë të bëjnë këtë që në fëmijërinë e hershme dhe kjo është arsyeja kryesore. Veç kësaj unë mendoj se arsyeja tjetër më e fortë është dëshira për siguri, një lloj ndjesie se ekziston një vëlla i madh që kujdeset për ne. Kjo luan një rol shumë të rëndësishëm për të ndikuar në dëshirën e njerëzve për të besuar në Zot.

Tani vijmë te problemi moral. Për mendimin tim, në karakterin moral të Krishtit ka një defekt shumë serioz dhe ky ishte që ai besonte te Ferri. Unë vetë nuk mendoj se një person që është vërtet thellësisht njerëzor mund të besojë në ndëshkimin e përhershëm. Krishti, sikurse vizatohet nga Ungjijtë, me siguri besonte te ndëshkimi i përhershëm dhe mund të konstatohet në mënyrë të përsëritur një tërbim hakmarrës kundër atyre njerëzve që nuk i vinin veshin predikimit të tij – një sjellje që nuk është e pazakontë te predikuesit, por që e zvogëlon disi mirësinë absolute.

Feja, mendoj unë, bazohet së pari dhe kryesisht mbi frikën. Ajo është pjesërisht tmerri nga e panjohura dhe pjesërisht, sikurse thashë, dëshira për të ndier se kemi një vëlla të madh që na mbron në të gjitha shqetësimet dhe konfliktet tona. Gjithçka bazohet tek frika – frika nga misteriozja, frika nga disfata, frika nga vdekja. Frika është prindi i mizorisë, prandaj nuk është për t’u çuditur që mizoria dhe feja kanë ecur dorë për dore.

Bota, na thonë, u krijua nga Zoti, i cili është edhe i mirë, edhe i gjithëfuqishëm. Para se të krijonte botën, ai parashikoi të gjithë dhimbjen dhe mjerimin që do të përmbante ajo; pra, ai është përgjegjës për të gjitha këto. Është e kotë të argumentohet se dhimbja në botë shkaktohet prej mëkatit. Në radhë të parë, kjo nuk është e vërtetë; nuk është mëkati ai që bën lumenjtë të dalin nga shtretërit e tyre apo vullkanet të shpërthejnë. Por edhe po të ishte e vërtetë, kjo nuk do të ndryshonte gjë. Në qoftë se unë kërkoj të bëj një fëmijë, duke e ditur që fëmija do të jetë një maniak njerivrasës, unë do të jem përgjegjës për krimet e tij. Nëse Zoti i dinte që përpara mëkatet për të cilat do të ishte fajtor njeriu, është e qartë se, kur vendosi të krijonte njeriun, ai ishte përgjegjës për të gjitha pasojat e këtyre mëkateve.

Unë nuk pretendoj të jem i aftë të provoj se nuk ka Zot. Po njësoj, unë nuk mund të provoj se Satanai është një trillim. Zoti i krishterë mund të ekzistojë; po kështu, edhe zotat e Olimpit ose Egjiptit të lashtë, ose të Babilonisë. Por asnjëra prej këtyre hipotezave nuk ka më shumë gjasa se të tjera: ato janë jashtë sferës së një njohje qoftë edhe të mundshme dhe, prandaj, nuk ka arsye të merret njëra prej tyre. (…) Po të mos kishim frikë nga vdekja, nuk besoj se do të kishte lindur ndonjëherë ideja e pavdekësisë. Frika është baza e dogmës fetare, sikurse edhe në shumë gjëra të tjera të jetës njerëzore. Frika e qenieve njerëzore, individuale apo kolektive, sundon një pjesë të mirë të jetës sonë shoqërore, por është frika nga natyra ajo që i jep peshë fesë. Nëse bota kontrollohet nga Zoti dhe Zoti mund të vihet në lëvizje me lutje, ne fitojmë një copë plotfuqishmërie.    

Në të gjitha fazat e arsimimit ndikimi i besëtytnisë është shkatërrues. Një përqindje e caktuar e fëmijëve ka shprehinë e të menduarit; një prej synimeve të arsimimit është t’i mjekojë ata nga kjo shprehi. Pyetjet e papëlqyeshme priten me “shët, shët” ose me ndëshkime. Emocioni kolektiv përdoret për të ngulitur disa lloje të caktuara besimesh, më posaçërisht të llojeve nacionaliste.

Nuk besoj që rënia e besimit dogmatik mund të bëjë diçka tjetër veç së mirës. E pranoj menjëherë që sistemet e reja të dogmave, të tilla si ato të nazistëve dhe komunistëve, janë edhe më të këqija se sistemet e vjetra, por ato nuk do të kishin fituar kurrë pushtet mbi mendjen e njerëzve, nëse shprehitë dogmatike ortodokse nuk do të kishin qenë ngulitur në rini. Gjuha e Stalinit ka plot gjëra që të kujtojnë seminarin teologjik, ku ai mori mësimet e veta. Ajo për të cilën ka nevojë bota nuk është dogma, por qasja e hulumtimit shkencor, e bashkuar me besimin që torturimi i miliona njerëzve nuk është i dëshirueshëm, i shkaktuar ky qoftë nga Stalini, qoftë nga një Hyjni i përfytyruar një ngjashmëri me besimtarët.

/Marrë nga Bertrand Russell ‘Përse nuk jam i krishterë – dhe studime të tjera mbi fenë dhe tema të ngjashme’, me përkthim të Kujtim Ymeri, “DITURIA”, 2018

/Gazeta Express