Kush për çka / Norberto Bobbio: E djathta dhe e majta - Gazeta Express
string(50) "kush-per-cka-norberto-bobbio-e-djathta-dhe-e-majta"

Arte

Gazeta Express

22/07/2022 17:34

Kush për çka / Norberto Bobbio: E djathta dhe e majta

Arte

Gazeta Express

22/07/2022 17:34

Fat të çuditshëm kanë pasur, në këtë çerek të fundit të shekullit, konceptet, antitetike dhe komplementare, të së djathtës e të së majtës

“E djathta” dhe “e majta” janë dy terma antitetikë që po përdoren rëndom prej më se dy shekujsh, për të shënuar kontrastin në mes ideologjive dhe në mes lëvizjeve, i cili ndan më dysh universin, natyrisht konfliktual, të mendimit dhe të veprimit politik. Si terma antitetikë ata janë, në raport me universin, të cilit i referohen, reciprokisht ekskluzivë dhe bashkëlidhurazi shterues: ekskluziv në kuptimin se nuk ka doktrinë e as lëvizje që të jetë njëkohësisht e djathtë dhe e majtë; shteruese në kuptimin që, të paktën nga një pikëpamje themelore, siç do të kemi rast ta shohim më mirë në vijim, një doktrinë a një lëvizje do të jetë medoemos ose e majtë, ose e djathtë.

Lexo Edhe:

Puna është se dy termat e një diade mbajnë njëri-tjetrin: aty ku ka të djathtë, nuk ka as të majtë dhe anasjelltas. Me fjalë të tjera, e djathta ekziston, në atë mënyrë që ekziston e majta dhe e majta ekziston në atë masë që ekziston e majta. Si pasojë, për ta bërë të parëndësishme dallesën, nuk ka nevojë të provohet kotësia e saj (është e kotë të vazhdohet të ndahet universi politik në bazë të kriterit të ideologjive, në një kohë kur vetë ideologjitë nuk ekzistojnë më); paplotësia (është e pamjaftueshme ndarja e universit politik në dy pole, në një kohë që konstatohet ekzistenca e një poli të tretë, s’ka rëndësi nëse të ndërmjetëm ose të epërm); anakronizmi (janë shfaqur, në skenën politike, programe, probleme e lëvizje që nuk ekzistonin atëherë kur lindi diada e as kur kjo e përligjte vetën).

Besoj se nuk ka njeri që të jetë në gjendje përmend e të kuptojë të gjitha ato simpoziume e debate publike të këtyre viteve të fundit, të cilat kanë synuar t’u përgjigjen këtyre pyetjeve: “Kriza e së majtës”; “Mëdyshjet e së majtës për të majtën”; “E majta e zënë ngusht”; “E majta në agoni”. Të gjitha këto pyetje mund të përmblidhen më së miri në titullin e simpoziumit të zhvilluar në Torino në dhjetor 1992: “Ëhat is left” që do të thotë njëkohësisht, “Cfarë është e majta?” dhe “Cfarë ka mbetur”. Por edhe në këtë rast u dhanë përgjigje nga më të ndryshmet e kontradiktore: nga ato rrënjësisht negative: “E majta nuk ekziston më”, “E majta u varros në gërmadhat e perandorisë sovjetike”, në ato shpresëdhënëse: “Nëse e majta është ashtu siç është kuptuar tradicionalisht, atëherë kolapsi i sistemit sovjetik është për t’u marrë si triumf, se i hapë së majtës të gjitha ato perspektiva që i ishin mbyllur e varrosur nën sistemin tiranik të 1917-ës.

Vetë kategoria politike paraqitet, nga një teori mjaf e përhapur, nëpërmjet diadës “miku-armiku”, e cila përmbledh, në një nivel të lartë anstraksioni, idenë e politikës si truall të antagonizmit, forma më e sakjshme e të cilit është lufta, e cila është naturaliter dikotomike (mors tua vita mea). Në luftë, qoftë kjo e jashtme, qoftë e brendshme, nuk ka vend për një palë të Tretë, e cila nuk shfaqet veçse në trajtën e ndërmjetësit, që rrehë t’i jap fund, ose të arbitrit, që do të vendosë paqen. Lufta, si një lloj dueli, nuk njeh veçse dy partner (s’ka rëndësi nëse çdokush prej tyre ka pastaj aleatët e vet), nga të cilët njëri është i destinuar të fitojë e tjetri të humbë. Ajo luftë ku në fund nuk ka fitimtarë, as të mundur, është një luftë që nuk ia ka arritur qëllimit.

(…)nëse me shembjen e marksizëm-leninizmit mori fund njëherë e mirë interpretimi manikeist i kundërvënies e djathtë – e majtë, kjo e fundit nuk është se e humbi tërësisht kuptimin: “çlitimi i njeriut nga sundimi i padrejtë dhe shtypës (…) mbetet, në analizë të fundit, thelbi i patjetërsueshëm i së majtës si “kategori politike”, në gjendje t’i bëjë ballë çdo lloj procesi çmitizues. Nga ana tjetër edhe e djathta “përfaqëson një modalitet të njerëzores”, pasi shpreh “rrënjosjen në truallin e natyrës dhe historisë”, “mbrojtjen e së kaluarës, traditës dhe trashigimisë”. (…)Shpirti i së djathtës mund të shprehet përmbledhtas në monoton: “asgjë jashtë traditës e kundër saj, gjithçka brenda traditës e për të”.

Nga pikëpamja e mendësisë “i djathtë është ai që preokupohet, para së gjithash që të ruaj traditën, ndërsa i majtë është ai që synon, më tepër se gjithçka tjetër, që të lirojë vëllezërit e tij nga zingjirët e imponuar prej privilegjeve të racës, të shtresës, të klasës etj. “Tradita” dhe “emancipimi” mund të merren edhe si qëllime të fundme a themelore, nga të cilat nuk mund të hiqet dorë, qoftë nga njëra palë, qoftë nga tjetra; megjithatë, ato mund të arrihen me mjete të ndryshme, në vartësi të kohës dhe të rrethanave.

Konceptet e “së djathtës” dhe “së majtës” nuk janë koncepte absolute. Janë koncepte relative.  Nuk janë koncepte lëndore (substanciale) ose natologjike. Nuk janë cilësi të qenësishme të universit politik.  Janë vende të “hapësirës politike”. Përfaqësojnë një tipologji politike të caktuar, që nuk ka fare të bëjë me ontologjinë politike: “Nuk mund të jesh i djathtë ose i majtë në të njejtën mënyrë sikurse je “komunist”, “liberal” ose “katolik”. Me fjalë të tjera “e djathta” dhe “e majta” nuk janë fjalë që shenjojnë përmbajtje të ngulitura njëherë e mirë. Mund të përshenjojnë përmbajtje të ndryshme, në vartësi të kohës dhe të rrethanave. (…)Cka është e majtë, është e tillë në raport me çka është e djathtë. Fakti që e djathta dhe e majta përfaqësojnë një kundërvënie, do të thotë thjeshtë që nuk mund të jesh njëkohësisht i dhjathtë dhe i majtë. Por kjo nuk na thotë asgjë për përmbajtjen e dy palëve të kundërvëna. Kundërvënia mbetët në një kohë që përmbajtjet e dy të kundërvënave mund të ndryshojnë.

Koncepti i barazisë është relativ, jo absolut. Është relative në lidhje me të paktën tre ndryshore të cilat duhen pasur parasysh sa herë që bie fjala për shkallën e parapëlqimit të barazisë: subjektet mes të cilave duhen rishpërndarë të mirat materiale e jomateriale; të mirat materiale e jomateriale; të mirat materiale e jo materiale që duhen rishpërndajrë; kriteri në bazë të të cilit do të kryehet kjo rishpërndarje. (…)E dhëna faktike është kjo: njerëzit janë mes tyre sa të barabartë, aq edhe të pabarabartë përballë vdekjes, se të gjithë janë të vdekshëm, por janë të pabarabartë përballë mënyrës se si vdesin, pse çdonjëri vdes në mënyrën e vet. (…)Te njerëzit si barazia ashtu edhe pabarazia, janë realisht të vërteta, pse u përgjigjen vrojtimeve empirike të pakundërshtueshme. Mirëpo, kundërtia e gjasme mes dy gjykimeve: “njerëzit janë të barabartë” dhe “njerëzit janë të pabarabartë”, – varet vetëm e vetëm nga çka vrojtohet. Në këtë rast është e saktë të quhen barazimtarë ata që, edhe pse e dinë se njerëzit janë sa të barabartë, aq edhe të pabarabartë, i japin më shumë rëndësi, – për t’i gjykuar njerëzit e për t’u dhënë atyre të drejta e detyra, – asaj që i bën të pabarabartë; janë pabarazimtarë ata që, të nisur nga i njëjti konstatim, i japin më shumë rëndësi, në të njëjtin vështrim, asaj që i bën njerëzit të pabarabartë, dhe jo asaj që i bën të barabartë.

Fat të çuditshëm kanë pasur, në këtë çerek të fundit të shekullit, konceptet, antitetike dhe komplementare, të së djathtës e të së majtës. Dy koncepte që, brenda pak më shumë se një dhjetëvjeçari, u shndërruan në kriter ndërtimor e themeltar i ligjëratës politike e jo vetëm i atij antagonizmi të pamënjanueshëm që paravendoset prej saj, – kriter jo vetëm e përshkruan realitetin, po e përcakton edhe veprimin mbi të, – në një rrangallë ideologjike të destinuar për tu mbyllur në muzeun e madh të kukullave prej dylli, së bashku me iluzionet e vjetra të palingjenesës e me rrobat e vjetra të militantëve politikë.

/Marrë nga Norberto Bobbio ‘E djathta dhe e majta – Gjykime dhe kuptime të një dalluese politike’, me përkthim të Ardian Vehbiu, “IDK”, 1997

/Gazeta Express