Kush për çka / Milan Kundera: Nostalgjia - Gazeta Express
string(37) "kush-per-cka-milan-kundera-nostalgjia"

Arte

Gazeta Express

23/09/2022 16:11

Kush për çka / Milan Kundera: Nostalgjia

Arte

Gazeta Express

23/09/2022 16:11

Uliksi jetoi te Kalipsoja një dolce vita të vërtetë, jetë të rehatshme, jetë qejfesh. Megjithatë, mes dolce vita-s në dhe të huaj dhe kthimit në shtëpi, ai zgjodhi kthimin

Milan Kundera

Lexo Edhe:

Kthimi, në greqisht i thonnë nostos. Algos do të thotë “vuajtje”. Nostalgjia, pra, është vuajtja që shkaktohet nga dëshira e paplotësuar për t’u kthyer. Për këtë nocion themelor, shumica e europianëve mund të përdorin një fjalë me zanafillë greke (nostalgjie, nostalgjia), pastaj të tjera fjalë që i kanë rrënjët në gjuhën kombëtare: anoranza thonë spanjollët; saudade thonë portugezët. Në secilën gjuhë, këto fjalë bartin një nuancë kuptimore të ndryshme. Shpesh ato duan të thonë vetëm trishtim, shkaktuar nga pamundësia për t’u kthyer në vendin e vet. Dhimbja nga malli për vendin. Malli për shtëpinë. Ajo që anglisht quhet homesickness, në gjermanisht Heimëeh, në holandisht heimëee… Por, në fakt, është një rrudhje hapësinore e këtij nocioni të madh. Një nga gjuhët më të vjetra europiane, islandishtja, dallon dy terma: soknudur; “nostalgji” në kuptimin e përgjithshëm dhe heimfra: “dhimbjenga malli për vendin tënd”. çekët, krahas fjalës nostalgji, marrë nga greqishtja, kanë edhe një emër të mirëfillt për të shprehur këtë nocion: stesk, dhe një folje të mirëfillt; shprehja e dashurisë më prekëse në çekisht është: Styska se mi po tobe: “kam mall për ty”; “nuk e duroj dot dhimbjen e mungesës tënde”. Në spanjisht, anoranza vjen nga folja anorar (të provosh nostalgji) që vjen nga katalanishtja enyorar, kjo e fundit rrjedh nga fjala latine ignorare (të mos dish).

Nën këtë dritë etimologjike, nostalgjia shfaqet si vuajtje prej mosdijes; ti je larg, ndërsa unë nuk di se ç’bëhesh. Disa gjuhë kanë ca vështërsi me nostalgjinë: francëzët e shprehin vëç me këtë emërtimin me prejardhje greke e nuk kanë folje për të; ata thonë je m’ennuie de toi (mërzitem pa ty), por folja s’ennuyer (mërzitem) është shumë e zbehtë, e ftohtë, gjithsesi tepër e lehtë për një ndjenjë aq të rëndë. gjermanët e përdorin rrallë foljen nostalgji në trajtën e saj greke dhe parapëlqejnë të thonë Sehnsucht: “dëshirë për atë që mungon”. Por Sehnsucht mund të thuhet për diçka që mungon, por edhe për diçka që s’ka qenë asnjherë (një aventur e re) dhe nuk përfshin domosdoshmërisht idenë e nostos-it; për të shtuar kuptimin e dëshirës për t’u kthyer, Sehnsucht duhet plotësuar: Sehnsucht nach der Vergangenheit, nach der verlorenen Kindheit, nach der ersten Libe (dëshirë për të shkuarën, dëshirë për fëmijërinë e humbur, për dashurinë e parë).

Në agim të kulturës së lashtë greke lindi Odiseja, epopeja themeluese e nostalgjisë. Le ta theksojmë: Uliksi, aventurieri më i madh i të gjitha kohërave, është edhe nostalgjiku më i madh. Ai (pa ndonjë dëshirë të madhe) shkoi në luftën e Trojës, ku mbeti dhjet vjet. Më pas u ngut të kthehej në Itakën e tij të lindjes, por intrigat e perëndive ia zgjatën rrugëtimin, së pari me tre vjet plotë ngjarje nga më të pangjashmet, pastaj edhe shtatë vite të tjera, që i kaloi si peng e dashnor te perëndesha Kalipso, e cila, e dashuruar pas tij, nuk e linte të ikte nga ishulli i saj. Në këngën e pestë të Odisesë, Uliksi i thotë: “E di fort mirë, sado e urtë dhe e bukur qoftë Penelopa ime, para teje nuk i vlen gjë as pamja, as bukuria… Megjithëkëtë çdo ditë i uroj vetes t’kthehem atje, të shohë njëherë shtëpinë.” Dhe Homeri vazhdon: “Kështu Uliksi foli. Perëndoi dielli, muzgu filloi të bjerë. Atëherë brenda na atë shpellë u futën të kalojnë natën në dashuri të përqafuar.”

Uliksi jetoi te Kalipsoja një dolce vita të vërtetë, jetë të rehatshme, jetë qejfesh. Megjithatë, mes dolce vita-s në dhe të huaj dhe kthimit në shtëpi, ai zgjodhi kthimin. Kundrejt zbulimit marramendës të së panjohurës (aventurës), ai zgjodhi rrezatimin e së njohurës (kthimin). Ndaj të pafundmes (sepse aventura nuk di të mbaroj ndonjëherë), ai parapëlqeu fundin (sepse kthimi është pajtim me të fundmen e jetës). Pa i nxjerrë gjumin, marinarët feakas e lëshuan Uliksin, mbështjellë me pëlhurë në brigjet e Itakës, në rrënjët e një ulliri, dhe u nisën. Ky ishte fundi i udhëtimit. Ai flinte i rraskapitur. Kur u zgjua, nuk dinte ku ishte. Pastaj Athinaja ia shpërndau mjegullën nga sytë dhe ai u trallis; trallisja e Kthimit të Madh; dalldia e së njohurës; muzika që dridhte ajrin mes tokës dhe qiellit: ai pa limanin që dinte qysh nga fëmijëria, malin që i varej sipër dhe përkëdheli ullirin e vjetër për t’u siguruar se kishte mbetur siç e kishte lënë njëzet vjet më parë. Homeri lëvdoi nostalgjinë me një kuror dafinash dhe ngriti kështu një hierarki morale ndjenjash, ku Penelopa zuri majën, lart, shumë lart mbi Kalipsonë.

/Marrë nga Milan Kundera ‘Mosdija’, me përkthim të Mirela Kumbaro, Shtëpia Botuese “DITURIA”, 2014

/Gazeta Express