Kush për çka / Max Weber: Kapitalizmi - Gazeta Express
string(34) "kush-per-cka-max-weber-kapitalizmi"

Arte

Gazeta Express

17/03/2023 17:12

Kush për çka / Max Weber: Kapitalizmi

Arte

Gazeta Express

17/03/2023 17:12

Oksidenti ka nxjerrë kapitalizëm me një shkallë të tillë rëndësie dhe, gjë që shpjegon arsyen e saj, në lloje, forma dhe drejtime, që nuk kanë ekzistuar kurrë diku gjetkë

Max Weber

Lexo Edhe:

“Instinkti për përvetësim”, “synimi për fitim”, për fitim parash, për fitimin mundësisht sa më të lartë në para, në vetvete nuk ka të bëjë aspak me kapitalizmin. Ky synim ka ekzistuar dhe ekziston tek kamerierët, mjekët, karrocierët, kryqtarët, kumarxhinjtë, lypsarët. Mund të thuhet tek “all sorts and conditions of men”, në të gjitha epokat dhe në të gjitha vendet e botës, ku ka qenë dhënë dhe jepet në njëfarë mënyre mundësia objektive për të përfituar. I përket edukimit në fushën e historisë së kaluarës, që ky koncept naiv për kapitalizmin të braktiset njëherë e përgjithmonë. Lakmia më e pakufishme për përvetësim nuk është aspak baras me kapitalizëm dhe akoma më pak është e barabartë me “shpirtin” e kapitalizmit. Kapitalizmi madje mund të jetë identik me frenimin ose të paktën me zbutjen racionale të këtij instinkti irracional. Sigurisht kapitalizmi është identik me synimin për fitim, për fitim gjithnjë të ri, për “rentabilitet” me anë të veprimtarisë së vazhdueshme, racionale, kapitaliste. Ai domosdoshmërisht duhet të jetë i tillë.

Atje ku fitimi kapitalist synohet në mënyrë racionale edhe veprimtaria përkatëse ka si busull llogaritjen e kapitalit. Kjo do të thotë se veprimtaria përfshihet në përdorimin me plan si mjete fitimi të shërbimeve të dobishme materiale ose njerëzore në atë mënyrë që: fryti përfundimtar i një sipërmarrje të veçantë, pra asetet në para të llogaritura me anë të bilancit (ose vlerësimit periodik, i llogaritur me anë të bilancit, i aseteve në para gjatë një veprimtarie sipërmarrjeje të pareshtur) duhet të kapërcejnë “kapitalin”, d.m.th., vlerën e llogaritur me anë të bilancit të mjeteve konkrete të përdorura për të fituar me anë të shkëmbimit (pra gjatë një sipërmarrjeje të përhershme duhet ta kapërcejnë atë përherë sërishmi). Nuk ka rëndësi në bëhet fjalë për një kompleks mallrash në natyrë të besuara një tregtari në lëvizje, ku ta ardhurat përfundimtare mund të konsistojnë përsëri mallra të tjerë të marrë në natyrë apo bëhet fjalë për një fabrikë asetet e së cilës; ndërtesat, makineritë, rezervat në para, lëndët e para, produktet gjysmë të gatshëm dhe të gatshëm, paraqesin kërkesa të detyrueshme.

Oksidenti ka nxjerrë kapitalizëm me një shkallë të tillë rëndësie dhe, gjë që shpjegon arsyen e saj, në lloje, forma dhe drejtime, që nuk kanë ekzistuar kurrë diku gjetkë. Në të gjithë botën ka pasur tregtarë; tregtarë me shumicë dhe me pakicë, tregtarë të angazhuar në tregtinë lokale dhe atë angazhuar në tregtinë e jashtme. Ka pasur hua të të gjitha llojeve dhe banka me funksione jashtëzakonisht të ndryshme, por megjithatë në thelb të ngjashme të paktën me funksionet e bankave tona të themi të shekullit 16. Huatë detare, tregtia me mirëbesim dhe bizneset me partneritet të kufizuar si dhe shoqëritë kanë qenë shumë të përhapura madje edhe si biznese të vazhdueshme. Gjithmonë ku ekzistonin financat në para të enteve publike, atje shfaqej edhe huadhënësi si në Babiloni, Greqi, Indi, Kinë, Romë për të financuar para së gjithash luftërat dhe piraterinë detare, për furnizime  dhe ndërtime të të gjitha llojeve.

Kapitalizmi i tipit të çerekut të fundit të shek. 19, kapitalizmi i spekulantëve të mëdhenj, kapitalizmi i kolonializmit dhe kapitalizmi modern financiar qysh në paqe, por para së gjithash kapitalizmi i orientuar veçanërisht në shfrytëzimin e luftës, e mbartin këtë tipar edhe në Oksidentin e sotëm dhe pjesë të veçanta – vetëm të veçanta- të tregtisë së madhe ndërkombëtare kanë edhe sot lidhje të ngushta me të si dikur. Por krahas tij Oksidenti ka zhvilluar në Kohën e Re një lloj krejtësisht tjetër të kapitalizmit, i cili nuk është shfaqur asgjëkundi tjetër në botë: organizimin kapitalist racionali të punës (formalisht) të lirë. (…)Organizimi modern racional i ndërmarrjes kapitaliste nuk do të kishte qenë i mundur pa dy elemente të tjera të rëndësishme të zhvillimit: ndarjen e biznesit nga ekonomia shtëpiake, që sundon plotësisht jetën e sotme ekonomike dhe e lidhur ngushtë me të, llogarimbajtjen racionale.

Kështu në një histori universale të kulturës problemi qendror për ne në fund të fundit nuk është, edhe nga një këndvështrim i pastër ekonomik, lulëzimi kudo i formave të ndryshme të veprimtarisë kapitaliste si të tilla si: kapitalizmi i tipit aventurier ose kapitalizmi tregtar ose kapitalizmi i orientuar tek lufta, politika, administrata dhe në shanset e fitimit nëpërmjet tyre. Përkundrazi më shumë është lindja e kapitalizmit me ndërmarrjet borgjeze, me organizimin e tyre racional të punës së lirë. Ose e kthyer në termat e historisë kulturore, problemi konsiston në lindjen e borgjezisë perëndimore dhe veçorisë së saj, që sigurisht është në lidhje të ngushtë me lindjen e organizimit kapitalist të punës, por natyrisht nuk është thjesht identike me të. Sepse “borgjezi” në sensin e sërës shoqërore ekzistonte tashmë para zhvillimit të kapitalizmit specifik perëndimor, por sigurisht vetëm në Oksident.

/Marrë nga Max Weber ‘Etika protestante dhe shpirti i kapitalizmit’, me përkthim të Gaqo Karakashi, “Plejad”, Tiranë, 2005

/Gazeta Express