Kush për çka / Kundera për Kitsch-in - Gazeta Express
string(34) "kush-per-cka-kundera-per-kitsch-in"

Arte

Gazeta Express

13/01/2023 17:19

Kush për çka / Kundera për Kitsch-in

Arte

Gazeta Express

13/01/2023 17:19

Tautologjia idiote (“Rroftë jeta!”) i shtynte drejt parakalimit komunist edhe ata që s’donin t’ia dinin fare për idetë komuniste

Milan Kundera: Kiçi

Muti është një problem teologjik më i vështirë se e keqja. Zoti i dha njeriut lirinë, pra mund të pranojmë se ai nuk është përgjegjës për krimet e njerëzimit. Por përgjegjësia e mutit bie mbi atë që krijoi njeriun, dhe vetëm mbi atë. (…)Nëse deri para pak kohësh, fjalën mut në libra e zëvendësonim me pika-pika, kjo nuk bëhej për arsye morale. Sidoqoftë, nuk do të shkojmë deri aty sa të themi se muti është imoral. Mospajtimi me mutin është metafizik. Çasti i jashtëqitjes është prova e përditshme e natyrës së papranueshme të Krijuesit. O njëra o tjetra: ose muti është i pranueshëm (atëherë mos u mbyllni me çelës në banjë!), ose mënyra se si na kanë krijuar, është e papranueshme. Nga kjo rrjedh se marrëveshja kategorike me qenien ka për ideal estetik një botë ku muti mohohet dhe ku secili sillet sikur muti të mos ekzistonte. Ky ideal estetik quhet Kitsch.

Kitsch-i, në thelb, është mohim absolut i mutit; në kuptimin e vërtetë të fjalës ashtu sikurse në kuptimin e figurshëm: kitsch-i e përjashton nga fushëpamja e vet gjithçka që në ekzistencën njerëzore është thelbësisht e papranueshme. Kur flet zemra, nuk është e udhës që mendja ta kundërshtojë. Në mbretërinë e kitsch-it mbizotëron diktatura e zemrës.

Kitsch-i është ideali estetik i të gjithë politikanëve, i të gjitha lëvizjeve politike. Në një shoqëri ku bashkëjetojnë shumë rryma politike dhe ku ndikimi i tyre anulohet ose kufizohet reciprokisht, mund t’i shpëtosh inkuizivionit të kitsch-it; individi mund ta ruaj origjinalitetin e tij dhe artisti mund të vazhdojë të krijojë vepra të pazakonta. Por aty ku një lëvizje e vetme politike ka të gjithë pushtetin, gjendemi sakaq në mbretërinë e kitsch-it totalitar.

Në botën e vërtetë komuniste, njeriu edhe mund të jetojë. Në botën e idealit komunist të realizuar, në atë botën e teveqelëve të qeshur me të cilët nuk do të kshte mundur të këmbente asnjë fjalë, do të kishte vdekur nga tmerri brenda javës. (…)Në mbretërinë e kitsch-it totalitar, përgjigjet jepen paraprakishtdhe përjashtojnë çdo pyetje të re. Nga kjo rrjedhë se kundërshtari i vërtetë i kitsch-it totalitar është njeriu që bën pyetje. Pyetja është si thika që çjerr telajon e pikturuar të dekorit, që të mund të shohë se ç’fshihet pas.

Burimi i kitsch-it është marrëveshja kategorike me qenien. Por cili është themeli i qenies? Zoti? Njerëzimi? Lufta? Dashuria? Njeriu? Gruaja? Ka gjithëfarë mendimesh për këtë, sikundër ka gjithëfarë kitsch-esh: kitsch katolik, protestant, çifut, komunist, fashist, demokratik, feminist, europian, amerikan, kombëtar, ndërkombëtar.

Identiteti i kitsch-it nuk përcaktohet nga ndonjë strategji politike por nga figura, metafora, një fjalor i caktuar. Pra, është e mundur t’i thyesh zakonet dhe të marshosh kundër interesave të një vendi komunist. Por nuk është e mundur t’i zëvendësosh fjalët me fjalë tjera. Mund të kërcënosh me grusht ushtrinë vjetameze. Por nuk mund të thërrasësh: “Poshtë komunizmi!”. Sepse “Poshtë komunizmi!” është parulla e armiqve të Marëshimit të Madh dhe ai që nuk do ta nxijë faqen, duhet t’i mbetet besnik pastërtisë së kitsch-it të vet.

Revolta e parë e brendshme e individit kundër komunizmit nuk kishte karakter etik, por estetik. Nuk e neveriste aq shëmtia e botës komuniste (kështjellat e shndërruara në stalla) sesa maska e bukurisë pas së cilës fshihej, me fjalë të tjera, kitsch-i komunist. Modeli i këtij kitsch-i është e ashtuquajtura festa e 1 Majit. (…)Festa e 1 Majit ushqehej nga burimi i thellë i marrëveshjes kategorike me qenien. Parulla e heshtur dhe e pashkruar e parakalimit nuk ishte “Rroftë komunizmi!” por “Rroftë jeta!”. Forca dhe dredhia e politikës komuniste qëndronte në faktin se ajo e kishte përvetësuar këtë parullë. Pikërisht kjo tautologji idiote (“Rroftë jeta!”) i shtynte drejt parakalimit komunist edhe ata që s’donin t’ia dinin fare për idetë komuniste.

/Marrë nga Milan Kundera ‘Lehtësia e padurueshme e qenies’, me përkthim të Saverina Pasho, “DITURIA”, Tiranë, 2019

/Gazeta Express