Kush për çka / Kant: Mbi të Bukurën dhe të Madhërishmen - Gazeta Express
string(52) "kush-per-cka-kant-mbi-te-bukuren-dhe-te-madherishmen"

Arte

Gazeta Express

27/01/2023 17:10

Kush për çka / Kant: Mbi të Bukurën dhe të Madhërishmen

Arte

Gazeta Express

27/01/2023 17:10

Shërbimi i sinqertë është fisnik, politesa dhe mirësjellja janë të bukura. Cilësitë e madhërishme ngjallin respekt, kurse cilësitë e bukura zgjojnë dashurinë

MBI TË BUKURËN DHE TË MADHËRISHMEN

Lexo Edhe:

Nga Immanuel Kant

Ndryshimi i ndjenjës së kënaqësisë ose të pakënaqësisë nuk bazohet aq shumë në cilësitë e gjërave të jashtme që i shkaktojnë këto ndjenja, sa në cilësinë e brendshme të secilit njeri që veprimit të këtyre gjërave t’u përgjigjet me gëzim ose hidhërim. Prandaj disa njerëz gjejnë gëzim në atë që për të tjerët është e neveritshme, kurse pasionin e dashurisë, që shpeshherë për secilin është enigmë, ose neveri e rënd – atje ku të tjerët janë plotësisht indiferent. Fusha në të cilën shfaqen këto karakteristika të natyrës së njeriut shtrihet gjer e gjatë dhe paralajmëron një pasuri të tërë zbulimesh që janë po aq të këndshme sa edhe didaktike.

Ndjenja e një lloji më delikat që po dëshirojmë ta ekzaminojmë tash është kryesisht e dyfishtë: ndjenja e së madhërishmes dhe ndjenja e së bukurës. Të dyja na janë të këndshme, por në mënyra shumë të ndryshme. Shikimi i bjeshkëve, majat me borë të të cilave ua kalojnë reve, përshkrimi i fërfëllizës së tërbuar, ose përshkrimi i ferrit që e bën Milton-i na kënaq, por edhe na çon rrëqethët; përkundrazi shikimi i livadheve të lulëzuara, luginat me përrojet zigzage nëpër të cilat kullosin tufat, përshkrimi i Eliziumit ose përshkrimi i belit të Afroditës, që bën Homeri, zgjojnë gjithashtu ndjenja të këndshme, por këto ndjenja përcillen me gëzim dhe buzëqeshje.

E madhërishmja njeriun e prek, e bukura e magjeps. Fytyra e njeriut që është e përshkuar nga ndjenja e së madhërishmes është serioze, ndonjëherë e përqendruar dhe e admiruar. Kurse ndjenja e kthjellët e së bukurës tregohet në shkëlqimin e gjallë të syve, në vizat e buzëqeshura të vizave të fytyrës, e shpeshherë edhe në hëzimin e vrullshëm. Edhe e madhërishmja mund të jetë e ndryshme. Ndonjëherë tek ne e përcjell njëfarë të rrëqethuri ose ngashënjimi, ndonjëherë vetëm admirim i qetë, kurse në disa raste bukuria e zhvilluar e gjerë mbi bazën e madhërishme. Të parën do ta quaj të llahtarshme, të dytën fisnike, kurse të tretën madhështore. Vetmia e qetë është e madhërishme, por në një mënyrë të llahtarshme. Prandaj shkretëtirat e mëdha, të gjera, sikurse është shkretëtira shumë e madhe Shamo në Tatari, gjithnjë i kanë shtyrë njerëzit që t’i banojnë me fantazma të tmerrshme, lugetër e hije.

Mendja është e madhërishme, shkathtësia është e bukur. Trimëria është e madhërishme dhe e madhe, dinakëria është e imtë, por e bukur. Maturia, sipas fjalëve të Kromvelit është virtyt i kryetarëve të komunave. Adhurimi i së vërtetës dhe ndershmërisë janë të thjeshta dhe fisnike, mahia dhe lajkat e sjellshme janë delikate dhe të bukura. Njerëzia është bukuria e virtytit. Shërbimi i sinqertë është fisnik, politesa dhe mirësjellja janë të bukura. Cilësitë e madhërishme ngjallin respekt, kurse cilësitë e bukura zgjojnë dashurinë.

/Marrë nga Immanuel Kant ‘Mbi të Bukurën dhe të Madhërishmen’, me përkthim të Vehap Shita, “RILINDJA”, Prishtinë, 1977

/Gazeta Express