Kush për çka / Benedict Anderson: Komunitete imagjinare - Gazeta Express
string(52) "kush-per-cka-benedict-anderson-komunitete-imagjinare"

Arte

Gazeta Express

13/05/2022 17:15

Kush për çka / Benedict Anderson: Komunitete imagjinare

Arte

Gazeta Express

13/05/2022 17:15

Nuk ka emblema më mahnitëse në kulturën moderne të nacionalizmit se sa lapidaret dhe varret e Ushtarëve të Panjohur

Benedict Anderson

Lexo Edhe:

Ndryshe nga teoritë tjera, nacionalizmi nuk ka prodhuar kurrë mendimtarë të mëdhenj: s’i Hobbes-ët, Tocquevill-ët, Marx-ët ose Weber-ët. Kjo ‘zbrazëti’ me lehtësi i jep krah, deri në një masë intelektualëve shumëgjuhësh dhe kozmopolit. (…) Pjesë e vështirësive është edhe fakti se dikush tenton ta zmadhojë N-në e nacionalizmit dhe më pas ta kategorizojë atë si një ideologji. Mendoj se do t’i thjeshtonte gjërat nëse dikush do ta trajtonte atë si pjesë të ndonjë ‘lidhjeje familjare’ apo të ndonjë ‘religjioni’ sesa si pjesë të ‘liberalizmit’ apo ‘fashizmit’.

Në frymën e antropologjisë, unë ofroj përkufizimin pasues të kombit: është një komunitet politik i imagjinuar – dhe i imagjinuar si i pandashëm dhe sovran njëkohësisht. Është i imagjinuar sepse madje edhe anëtarët e kombit më të vogël nuk do t’i njohin kurrë bashkë-anëtarët  e tyre të tjerë. Nuk do t’i takojnë dhe as do të dëgjojnë rreth tyre, gjithsesi në mendjen e secilit syresh jeton imazhi i bashkësisë. Kombi imagjinohet si i kufizuar pasi edhe më i madhi syresh, që përmban ndoshta një miliard njerëz, ka kufij ttë fundshëm, përtej të cilave shtrihen kombet e tjera. Asnjë komb nuk e imagjinon vetën të përmbajë si të tijët gjithë racën njerëzore. Edhe nacionalistët më mesianikë nuk ëndërrojnë për ditën kur të gjithë anëtarët e racës njerëzore do t’i bashkohen kombit të tyre në mënyrë që ishte e mundur në epoka tjera, të themi, të krishterët tek ëndërronin për një planet të tërë kristian.

Nuk ka emblema më mahnitëse në kulturën moderne të nacionalizmit se sa lapidaret dhe varret e Ushtarëve të Panjohur. Përnderimi ceremonial publik që iu bashkëngjit këtyre monumenteve pikërisht sepse këta janë qëllimisht të krijuar bosh ose askush nuk e di kush gjendet në monument, nuk ka precedent në kohë më të hershme. Për të ndjerë forcën e këtij moderniteti duhet vetëm të imagjinosh reagimin e ngatërrestarit që ‘zbuloi’ emrin e Ushtarit të Panjohur apo që insistoi për mbushjen e kenotafit me disa kocka të vërteta. Sakrilegji i një lloji të çuditshëm dhe bashkëkohor! Edhe pse të zbrazëta, këto varre të mbetjeve të vdekshme e të identifikueshme apo të shpirtrave të pavdekshëm, janë të ngopura me imagjinime kombëtare fantazmash.

Nëse shtypi si luks është çelësi drejt gjeneratës se ideve plotësisht të reja të simultantitetit, ende, mbetemi tek pika ku komunitetet e tipit ‘horizontalë e laikë, përtej kohës’ bëhen të mundshëm. Në fund të fundit, ka të ngjarë që konfidencializimi i latinishtes, Reformacioni, dhe zhvillimi i parregullt i gjuhëve vendase administrative të jenë kuptimplotë, në kontekstin e tanishëm, së pari në një sens negativ për kontributin e tyre në zbritjen e latinishtes prej fronit. Është plotësisht e mundshme të perceptohet urgjenca e imagjinimit të komuniteteve të reja kombëtare pa pasur nevojën e prezencës së tyre. Ajo që në sensin pozitiv i bëri komunitetet e reja të imagjinueshme ishe një ndërveprim gjysmë i rastësishëm, por shpërthyes, midis një sistemi prodhimi dhe marrëdhënieve të prodhimit (kapitalizmit), një teknologjie komunikimi (shtypi), dhe fatalitetit të larmisë gjuhësore njerëzore.

Gjëja thelbësore është bashkëveprimi ndërmjet fatalitetit, teknologjisë dhe kapitalizmit. Në Europën e para-shtypit, dhe sigurisht, kudo në botë, larmia e gjuhëve të folura, ato gjuhë të cilat për folësit e tyre ishin (dhe janë) litari dhe thurja e jetës së tyre, ishte e pafund; kaq sa, në fakt, pasi e përdori kapitalizmin-e-shtypit për shfrytëzimin e çdo tregu të mundshëm oral të gjuhëve vendase, do ta kishte lënë si kapitalizëm të përmasave të papërfillshme. Asgjë më shumë se kapitalizmi nuk shërbeu për të ‘përmbledhur’ gjuhë vendase të ngjashme, i cili brenda limiteve të vendosura prej gramatikës dhe sintaksës, krijoi gjuhë-shtypi të riprodhueshme mekanikisht, të afta për t’u shpërhapur përmes tregut. Këto gjuhë-shtypi ndërtuan bazat e ndërgjegjes kombëtare në tri mënyra të veçanta. Së pari dhe mbi të gjitha, krijuan fusha të njësuara shkëmbimi dhe komunikimi nën latinishten dhe mbi gjuhët e folura vendase. Së dyti, kapitalizmi-i-shtypit i dha soliditet të ri gjuhës, e cila përgjatë rrugës së saj ndihmoi në ndërtimin e imazhit të antikitetit që ishte qendror për idenë subjektive të kombit. Së treti, kapitalizmi-i-shtypit krijoi gjuhë-pushteti të një lloji të ndryshëm prej gjuhëve vendase të administratës. Disa dialekte të caktuara pashmangshmërisht ishin më afër gjuhëve-të-shtypit dhe si rrjedhojë dominuan në formësimin e tyre përfundimtar.  

/Marrë nga Benedict AndersonKomunitete imagjinare’, me përkthim të Brenton Kotorri, “dy Lindje & dy Perëndime”, 2013

/Gazeta Express