Kush për çka / Bazin: Mbi Kinemanë - Gazeta Express
string(31) "kush-per-cka-bazin-mbi-kinemane"

Arte

Gazeta Express

03/02/2023 17:28

Kush për çka / Bazin: Mbi Kinemanë

Arte

Gazeta Express

03/02/2023 17:28

Nëse kinemaja lindi, kjo erdhi si konvergjencë e manisë së tyre: domethënë të një miti, atij të kinemasë totale.

André Bazin

Lexo Edhe:

Psikoanaliza e arteve plastike mund ta konsideronte praktikën e balsamimit si një fakt themelues të ngjizjes së këtyre arteve. Në origjinën e pikturës dhe skulpturës do të gjente “kompleksin” e mumies. E drejtuar e tëra kundër vdekjes, feja egjiptiane e vinte mbijetesën nën varësinë e përjetësisë materiale të trupit. Kënaqte kësisoj një nevojë themelore të psikologjisë njerëzore: mbrojtjen prej kohës. Vdekja nuk është gjë tjetër veçse triumfi i kohës. Duke ia fiksuar artificialisht dukjet mishtore, e shkëpuste qenien prej lumit të kohësisë: ia ngjiste jetës.

Të vendosura në këtë perspektivë sociologjike, fotografia dhe kinemaja e shpjegojnë krejt natyrshëm krizën e madhe shpirtrore dhe teknike të pikturës modern që zë fill në mesin e shekullit XIX. Në artikullin e tij në “Verve”, André Malraux shkruante se “kinemaja është vetëm aspekti më i zhvilluar i realizmit plastic me parim të shpallur në Rilindje dhe që gjeti shprehjen e vet kufi në pikturën baroke”. (…) Origjinaliteti i fotografisë në lidhje me pikturën qëndron pra në objektivitetin e saj thelbësor. Aq sa grupi i thjerrëzave që përbën syrin fotografik, zëvendësues i syrit njerëzor, merr emrin “objektiv”. Për herë të parë, mes objektit fillestar dhe përfytyrimit të tij, nuk vendoset asgjë tjetër veçse një tjetër objekt. Për herë të parë imazhi i botës së jashtme formohet automatikisht pa ndërhyrjen krijuese të njeriut, por prej një determinizmi të ashpër.

Nga kjo perspektivë kinemaja duket si përmbyllja në kohë e objektivitetit fotografik. Filmi nuk mjaftohet më të ruaj objektivitetin e rrëmbyer prej çastit të tij, ashtu siç ruhet trupi në qelibar, i paprekur prej insekteve të një kohe të shkuar. Ai e çliron artin barok prej ngërçit muskulor. Për herë të parë imazhi i gjërave është dhe ai i kohërrjedhjes së gjërave, mumifikimi i ndryshimit të tyre. (…)Kinemaja është fenomen idealist. Ideja që ndërtuan njerëzit mbi kinemanë ekzistonte tashmë e ngurtë në trurin e tyre, sit ë vinte prej qiellit platonian. Më shumë na habitë rezistenca kokëforte e lëndës ndaj idesë, sesa ngacmimet e teknikës mbi imagjinatën e kërkuesit. Kështu që kinemaja nuk i ka pothuajse asnjë borxh shpirtit shkencor.

Pra, miti drejtues i shpikjes së kinemasë është përmbushja e mitit që mbizotëron të gjitha teknikat e riprodhimit mekanik të realitetit, teknika të lindura përgjatë shekullit XIX, prej fotografisë deri te fonografi. Është miti i realizimit tërësor, i rikrijimit të botës në imazhin e saj, imazh në të cilin nuk do të rëndonte më as hipoteza e lirisë së interpretimit të artistit, as pakthyeshmëria e kohës. Nëse kinemaja në djep nuk i gëzoi të gjitha atributet e kinemasë totale të së nesërmes, kjo ndodhi veç prej hallit. Zanat e saj ishin teknikisht të pafuqishme ta pajisnin më mirë pavarësisht dëshirës së tyre.

Kjo ngjizje automatike e tronditi rrënjësisht psikologjinë e imazhit. Objektiviteti i fotografisë i autorizon një fuqi besueshmërie që i mungon çdo vepre pikturore. Cilatdo qofshin kundërshtitë e shpirtit tonë kritik, jemi të detyruar të besojmë ekzistencën e objektit të paraqitur, efektivisht të para-qitur, domethënë i bërë i pranishëm në kohë dhe hapësirë. Fotografia gëzon transfertën e realitetit nga gjëja te riprodhimi i saj. Vizatimi më besnik mund të na jap më tepër informacione mbi modelin, por nuk do ta zgjerojë kurrë, megjithë shpirtin tonë kritik, pushtetin irracional të fotografisë që fiton besimin tonë. (…)Mund të themi se kinemaja e çliroi disi teatrin prej ekzistencës paraprakisht të domosdoshme.

Kujtesa është filmi më besnik, e vetmja që mund të lërë gjurmë në çdo intensitet dhe veçanërisht deri në vdekje. E kush e ndjen dallimin mes kujtimit dhe imazhit objekti që e përjetëson konkretisht!

/Marrë nga André Bazin ‘Ç’është KINEMAJA?’, me përkthim të Elvis Hoxhës, “BOTIM ZENIT”, Tiranë 2012

/Gazeta Express