Kush për çka / Agamben: Mbi ‘Gjendjen e jashëzakonshme’ - Gazeta Express
string(50) "kush-per-cka-agamben-mbi-gjendjen-e-jashezakonshme"

Arte

Gazeta Express

09/12/2022 17:11

Kush për çka / Agamben: Mbi ‘Gjendjen e jashëzakonshme’

Arte

Gazeta Express

09/12/2022 17:11

Gjendja e jashtëzakonshme nuk vjen si përgjigje ndaj kurrfarë boshllëku normativ, por paraqitet përkundrazi si hapja e një boshllëku fiktiv në gjirin e rendit juridik, me qëllim që të shpëtoj ekzistencën e normës dhe zbatueshmërinë e saj në situatë normale

Giorgio Agamben

Lexo Edhe:

Carl Schmitt e pati fiksuar ngjasimin thelbësor mes gjendjes së jashtëzakonshme dhe sovranitetit në librin e vet Politische Theologie (19220). Mirëpo, megjithëse përkufizimi i famshëm që dha ai për sovranitetin si <<ai që vendosë mbi gjendjen e jashtëzakonshme>> është komentuar e diskutuar gjerësisht, ende sot, në të drejtën publike, mungon një teori e mirëfilltë e gjendjes së jashtëzakonshme. (…) Një nga elementet që e vështërsojnë përkufizimin e prerë të gjendjes së jashtëzakonshme është sigurisht marrëdhënia e ngushtë që ka ajo me luftën civile, kryengritjen dhe rezistencën. Duke qenë se lufta civile është e kundërta e gjendjes normale, ajo ndodhet në një zonë padallueshmërie në raport me gjendjen e jashtëzakonshme, e cila, nga ana e vet, paraqitet si përgjigjja e menjëherëshme që pushteti shtetëror u kundërvë konflikteve të brendshme më të sakjshme.

Le të marrim rastin e shtetit nazist. Hitleri, sapo mori pushtetin (ose, siç do të duhej thënë për të qenë më të saktë, sapo atij iu dorëzua pushteti), shpalli më 28 shkurt Dekretin për mbrojtjen e popullit dhe shtetit, i cili pezullonte të tëra nenet e kushtetutës së Vajmarit që kishin të bënin me liritë e personave. Dekreti në fjalë nuk u shfuqizua kurrë, kështu që, nga ikpamja juridike, i gjithë Rajhu i Tretë mund të konsiderohet si një gjendje e jashtëzakonshme që zgjati dymbëdhjetë vjet. Në këtë kuptim totalitarizmi modern mund të përkufizohet si vendosja – përmes gjendjes së jashtëzakonshme – në një luftë civile legale, luftë e cila lejon zhdukjen fizike jo vetëm të kundërshtarëve politikë, por edhe atë të kategorive të tëra qytetarësh të cilët, për ndonjë arsye të caktuar, rezultojnë si të paintegrueshëm në sistemin politik.

Përballë përparimit të asaj që disa e kanë përkufizuar si <<luftë civile botërore>>, gjendja e jashtëzakonshme priret të bëhet, përherë e më tepër, paradigma sunduese e qeverisjes në politikën bashkëkohore. Si pasojë e këtij shpërfytyrimi të një mase të përkohshme dhe të jashtëzakonshme në teknikë normale qeverisjeje, struktura dhe kuptimi tradicional i dallimit mes formave të ndryshme kushtetuese rrezikojnë të pësojnë transformime rrënjësore – të cilat janë jo pak të ndjeshme tashmë. Nga kjo pikëpamje, gjendja e jashtëzakonshme paraqitet si një prag padallueshmërie në mes demokracisë dhe absolutizimit.

Domethënia rrënjësisht biopolitike e gjendjes së jashtëzakonshme si strukturë themeltare përmes së cilës e drejta përfshinë [include] të gjallën përmes vetëpezullimit të saj si e drejtë, kjo domethënie pra, duket qartë në rastin e një <<military order>>, të nxjerrë nga presidenti i Shteteve të Bashkuara më 13 nëntor 2001, i cili autorizonte kundrejt qytetarëve jo-amerikanë që dyshoheshin për pjesëmarrje në aktivitete terroriste një <<indefinite detention>>, si dhe kyengritjen e proceseve gjyqësore nga ana e <<military commissions>> (që ’’duhen ngatërruar me gjykatat ushtarake të parashikuara nga e drejta e luftës).

Gjendja e jashtëzakonshme nuk shënjon ndonjë të drejtë të veçantë (si p.sh. e drejta e luftës), por, duke qenë pezullimi i vet rendit juridik si të tillë, përvijon njëherazi pragun e tij dhe konceptin-kufi. (…)Në të vërtetë, gjendja e jashtëzakonshme nuk qëndron as brenda rendit juridik dhe problemi i përkufizimit të saj ka të bëjë pikërisht me shtrirjen e një pragu, një zone padallueshmërie, ku brendia dhe jashtësia nuk përjashtojnë por i mbivendosen njëra-tjetrës. Sidoqoftë, kuptimi i problemit të gjendjes së jashtëzakonshme nënkupton përcaktimin e saktë paraprak të lokalizimit (ose jolokalizimit) të saj.

Gjendja e jashtëzakonshme nuk vjen si përgjigje ndaj kurrfarë boshllëku normativ, por paraqitet përkundrazi si hapja e një boshllëku fiktiv në gjirin e rendit juridik, me qëllim që të shpëtoj ekzistencën e normës dhe zbatueshmërinë e saj në situatë normale. Boshllëku nuk është në brendinë e ligjit, por ka të bëjë me raportin mes ligjit dhe realitetit, pra me vetë mundësinë e zabatimit të tij. Duket sikur një krisje thelbësore përshkon natyrën e së drejtës në përcaktimin mes vendosjes së normës dhe zbatimit të saj, thyerje që, në raste ekstreme, mund të mbushet vetëm në saj të gjendjes së jashtëzakonshme, domethënë duke çelur një zonë të ndërmjetme ku zbatimi gjendet i pezulluar, ndërkohë që ligji, mbështet në fuqi.

/Marrë nga Giorgio Agamben ‘Gjendjen e jashëzakonshme – Homo Sacer, II, 1’, me përkthim të Orgest Azizi, “Botim ZENIT”, Tiranë 2016

/Gazeta Express