Kush ka frikë nga COVID-19 - Gazeta Express
string(26) "kush-ka-frike-nga-covid-19"

Gazeta Express

07/05/2020 11:04

Kush ka frikë nga COVID-19

Gazeta Express

07/05/2020 11:04

Paniku i verbër nuk i bën mirë askujt. Në shumë vende, veçanërisht në botën në zhvillim, ai po çon në politika që gjenerojnë më shumë rreziqe – siç janë vështirësitë ekonomike, pasiguria ushqimore dhe ankthi i përgjithshëm – sesa lehtësime të situatës. Krijimi i politikave të zgjuara do të kërkojë që liderët dhe qytetarët po ashtu të fitojnë një perspektivë më të gjerë

Shkruan: Kaushik Basu

Lexo Edhe:

Njerëzit nuk janë të zotët ta vlerësojnë si duhet rrezikun edhe në kohërat më të mira. Gjatë një pandemie – kur sëmundja është e panjohur, njerëzit janë të izoluar dhe stresuar dhe numri i vdekjeve po rritet – perceptimi ynë i rrezikut bëhet edhe më i shtrembëruar, me frikën që shpesh mbizotëron arsyen tonë. Kjo është një recetë për gabime katastrofike.

Të jemi të qartë, rreziku i paraqitur nga shpërthimi i COVID-19 nuk duhet të nënvlerësohet. Përvojat e Italisë, Spanjës dhe Shteteve të Bashkuara kanë treguar se masat e vonuara për të kufizuar përhapjen e virusit mund të çojnë në sëmundje dhe vdekje në shkallë të gjerë.

Por paniku i verbër nuk i bën mirë askujt. Në shumë vende, veçanërisht në botën në zhvillim, ai po çon në politika që gjenerojnë më shumë rreziqe – siç janë vështirësitë ekonomike, pasiguria ushqimore dhe ankthi i përgjithshëm – sesa lehtësime të situatës. Krijimi i politikave të zgjuara do të kërkojë që liderët dhe qytetarët po ashtu të fitojnë një perspektivë më të gjerë.

Edhe pse është e vështirë të dish shkallën e saktë të vdekshmërisë nga COVID-19, ne jemi shumë më mirë në llogaritjen e viktimave sesa në llogaritjen e numrit të personave të infektuar, pasi kjo e fundit kërkon testime në një shkallë masive. Dhe nga të dhënat e fataliteteve, është e qartë se rreziku i vdekjes mbetet shumë i ulët për shumicën e njerëzve – pra, kushdo që nuk është i moshuar dhe nuk ka sëmundje të tjera shoqëruese. Në shumicën e vendeve në zhvillim, një njeri ka më shumë shanse të vdesë në një aksident rrugor sesa nga COVID-19. Në Indi, më shumë se 150,000 njerëz vdesin në aksidente rrugore çdo vit.

Por shumica e njerëzve nuk janë të stresuar kur ngasin makinë në autostradë, ndërsa shumë të tjerë janë tmerruar të dalin nga shtëpia që prej fillimit të pandemisë. Literatura e gjerë në psikologji mbi këtë temë na ndihmon ta kuptojmë këtë, siç ka treguar ekonomisti laureat i Nobelit George Akerlof.

Imagjinoni sikur po kërkoni të blini makinën më të sigurt të mundshme. Me siguri do të lexoni mbi të dhënat e sigurisë së këtyre modeleve – sa probleme mekanike apo elektronike ka, sa aksidente ose vdekje kanë ndodhur për, për shembull, çdo 10,000 makina në rrugë – dhe do të zgjidhni modelin me numrin më të ulët. Por natën para se të planifikonit të blini makinën, takoheni me një mik, i cili ju thotë se një kushëriri i tij u plagos rëndë vetëm një javë pasi bleu të njëjtin model makine që keni zgjedhur edhe ju.

Kjo bisedë do të bënte që shumë njerëz të dyshonin, madje edhe të ndërronin, vendimin e tyre, sepse rreziku që paraqet makina që ata kanë zgjedhur është më i dukshëm sesa të dhënat e thata për rreth 10,000 makina.

Edhe mënyra sesi paraqiten vetë shifrat mund ta shtrembërojë imazhin e përgjithshëm. Nëse një listë tregon numrin e përgjithshëm të aksidenteve ku janë të përfshira lloje të ndryshme makinash, një model mund të duket se po ecën shymë më keq sesa disa modele të tjera, thjesht sepse është më popullore. Mund të duket e qartë se shkalla e aksidenteve është më e rëndësishme sesa numri total i aksidenteve, e megjithatë kjo nuancë mund të humbasë, sidomos kur është e përfshirë frika.

Diçka e ngjashme po ndodh sot me të dhënat për COVID-19. Javët e fundit, njerëzit në të gjithë botën kanë parë që numri i vdekjeve të konfirmuara të lidhura me koronavirusin në Amerikë është rritur në mënyrë të qëndrueshme dhe ka arritur në mbi 70,000. Kjo është, natyrisht, shumë më tepër sesa 8,000 vdekjet e Belgjikës. Por, për dhjetë milionë banorë, shkalla e vdekjeve në Belgjikë është shumë më e keqe sesa ajo në Amerikë. Pra, tani një person në Belgjikë ka tre herë më shumë gjasa të vdesë nga COVID-19 sesa dikush në SHBA.

Dallimi midis shkallëve të vdekjes në Amerikën e Veriut dhe Europë, nga njëra anë, dhe Afrikë dhe Azi, nga ana tjetër, është edhe më e qartë. Shansi që një person të vdesë nga COVID-19 në Evropë është zakonisht 2-4 mijë herë më i lartë sesa në Afrikë ose Azinë e Jugut. Edhe kur merren në konsideratë vendet evropiane me performancë më të mirë, hendeku është i madh: rreziku i vdekjes nga COVID-19 në Gjermani është rreth 100 herë më i lartë sesa në Indi.

Megjithatë, rreziku i skamjes është shumë më i lartë në Indi sesa në Gjermani. Megjithatë, në vend që t’i faktorizojë këto dallime në hartimin e tyre të politikave, shumë vende në zhvillim janë përqendruar vetëm në zbutjen e rrezikut ultra të spikatur, por statistikisht të ulët të vdekjes nga COVID-19.

Kostot e kësaj qasje po rriten. Në ekonomitë në zhvillim në Afrikë dhe Azinë e Jugut, masat e gjata kufizuese ndoshta po shpëtojnë jetë njerëzish nga COVID-19, por po i dënojnë shumë të tjerë të vdesin nga skamja dhe uria.

Disa do të argumentojnë se ky përfundim është i parakohshëm. Sri Lanka, India, Kenia dhe Nigeria, të cilat kanë nivele të ulëta fataliteti sot, mund të përballen nesër një valë shkatërruese infeksionesh. Hartuesit e politikave duhet të parashikojnë rreziqet e ardhshme dhe të veprojnë herët për t’i lehtësuar ato.

Por nuk është aspak e qartë se shpërthimi i virusit do të ndjekë të njëjtën trajektore në Azinë e Jugut dhe Afrikë siç ka bërë në Europë dhe Amerikën e Veriut. Shkalla e ndryshimeve midis të gjitha vendeve në Afrikë dhe Azinë e Jugut, dhe praktikisht të gjitha vendeve në Amerikën e Veriut dhe Europë është mjaft e madhe për të sugjeruar që faktorë të tjerë mund të ndikojnë në transmetimin e virusit COVID-19. Një mundësi është përdorimi i gjerë i vaksinës Bacillus Calmette-Guérin (BCG), e cila mbron kundër tuberkulozit, në Azinë Jugore dhe Afrikë, ku tuberkulozi dhe infeksionet nga malaria janë shumë më të zakonshme.

Kjo nuk do të thotë që liderët e vendeve në zhvillim nuk duhet të përgatiten për rreziqe në të ardhmen, veçanërisht duke marrë parasysh sa nuk dimë ende për COVID-19. Ata me siguri nuk duhet të hedhin poshtë ose minimizojnë rreziqet, siç ka bërë presidenti Brazilian Jair Bolsonaro.

Por liderët gjithashtu duhet të shmangin përgjigjet kundër-produktive dhe të drejtuara nga frika. Përkundrazi, ata duhet të bëjnë zgjedhje të vështira, por të ekuilibruara të bazuara në të dhëna të sakta dhe te këshillat e ekspertëve. Ata duhet të adaptojnë politikat e tyre ndërkohë që informacionet dhe kushtet ndryshojnë, si edhe duhet t’i mbajnë njerëzit të informuar. Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron janë të dy modelet e një lidershipi të tillë.

E njëjta gjë vlen edhe për qytetarët. Për të ndihmuar në mbrojtjen e komuniteteve tona, ne duhet të marrim të gjitha masat e duhura dhe të mundshme për shëndetin publik, siç janë vendosja e maskave dhe minimizimi i kontaktit fizik, sidomos me njerëzit më të prekshëm nga ky virus. Megjithatë, duhet të kuptojmë se një pjesë e madhe e një sjelljeje të tillë është e domosdoshme jo vetëm për shkak të rrezikut për veten tonë, por për shkak të përgjegjësisë sociale që kërkon përballja me një sëmundje infektuese.