Në qytetin Sweida në jug të Sirisë, dhuna mes forcave të qeverisë dhe milicive druze ka lënë dhjetëra të vdekur dhe të plagosur.
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, fillimisht ushtria siriane ndërhyri për të ndalur përplasjet mes fiseve beduine dhe druzëve, po kjo gjë çoi në sulme ajrore nga Izraeli që thotë se po mbron komunitetin druz. Raportohet se veç sulmeve në Sweida, Izraeli ka sulmuar edhe Pallatin Presidencial në Damask si dhe zyrat e Ministrisë së Mbrojtjes.
Reagimi ndërkombëtar
SHBA e ka quajtur situatën “shqetësuese” dhe raportohet se ka kërkuar nga Izraeli të ndalë sulmet. Megjithatë, Izraeli ka paralajmëruar se do të intensifikojë sulmet nëse ushtria siriane nuk tërhiqet nga qyteti.
Por, kush janë druzët?
Druzët janë një sekt arab me rreth 1 milion ndjekës, të përqendruar në Siri, Liban dhe Izrael. Ata praktikojnë një fe të veçantë islame që nuk lejon konvertime apo martesa të përziera. Në Siri, shumica e tyre jetojnë në Sweida dhe në afërsi të Lartësive të Golanit – një zonë strategjike e aneksuar nga Izraeli në 1981. Në Golan dihet se jetojnë mbi 20,000 druzë, shumica me identitet sirian.
Pse po përplasen me ushtrinë siriane?
Pas rrëzimit të Bashar al-Asadit në dhjetor 2024, presidenti i ri Ahmed al-Sharaa premtoi përfshirje dhe mbrojtje për pakicat. Por forcat islamiste që e mbështesin qeverinë kanë goditur komunitetet minoritare, përfshirë alavitët dhe druzët. Druzët refuzojnë të çarmatosen dhe të integrohen në ushtrinë e re dhe janë të pakënaqur me përfaqësimin në qeveri.
Pse po ndërhynë Izraeli?
Izraeli thotë se është duke ndërhyrë në luftime për të mbrojtur druzët në Siri, për shkak të lidhjeve historike dhe familjare me rreth 130,000 druzë që jetojnë në Izrael dhe shërbejnë në ushtri. Tel Avivi ka shpallur një zonë të demilitarizuar në jug të Sirisë, por qeveria siriane e ka refuzuar atë si shkelje të sovranitetit të saj.
A mund të ketë marrëveshje mes Izraelit dhe qeverisë së re siriane?
Që nga rrëzimi i Asadit, Izraeli ka vazhduar sulmet në Siri dhe ka marrë më shumë territor, megjithë përpjekjet e SHBA-së për ta afruar Sirinë me marrëveshjet e Abrahamit. Në maj, presidenti Trump u takua me presidentin sirian al-Sharaa në Riad dhe shpalli heqjen e sanksioneve amerikane ndaj Sirisë – një hap drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërkombëtare.
Poashtu, dihet se Izraeli ka zhvilluar bisedime të drejtpërdrejta dhe të tërthorta me qeverinë e re siriane që nga rrëzimi i regjimit të Asadit. Por sulmet e përsëritura të Izraelit në territorin sirian dhe prania e zgjeruar ushtarake në vend rrezikojnë t’i komplikojnë këto ambicie.
Në maj, al-Sharaa deklaroi se bisedimet indirekte me Izraelin kishin për qëllim t’i jepnin fund sulmeve. Por kjo nuk ka ndodhur.
Netanyahu më parë e ka quajtur qeverinë e re në Damask si një “regjim islamik ekstremist” dhe një kërcënim për shtetin e Izraelit. Sulmet izraelite ndaj Sirisë gjithashtu e vështirësojnë përpjekjen e al-Sharaa-s për të konsoliduar autoritetin në vend dhe për ta paraqitur një marrëveshje të mundshme normalizimi si një fitore për sovranitetin e Sirisë dhe popullin e saj.