Me kalimin e ditëve po dalin në dritë detaje të reja rreth aksidentit tragjik rrugor që i mori jetën Diogo Jotës dhe vëllait të tij, André Silva. Ndërsa tronditja për ngjarjen vazhdon të jetë e madhe, hetuesit po përpiqen të zbulojnë më shumë rreth shkaqeve të përplasjes fatale.
Sipas të dhënave të fundit, është konfirmuar se Lamborghini me të cilën udhëtonin dy futbollistët po lëvizte me shpejtësi shumë të lartë dhe doli jashtë kontrollit për shkak të shpërthimit të një gome. Gjithashtu, sipas provave të mbledhura deri tani, duket se vetë Diogo Jota ishte në timon.
Bëhet fjalë për një Lamborghini Huracán të marrë me qira për udhëtimin në autostradën A-52, pranë Palacios de Sanabria, në orët e para të mëngjesit të së enjtes, më 2 korrik. Sipas burimeve nga Guardia Civil, automjeti, gjatë një tentative për të parakaluar një tjetër veturë, ka dalë nga rruga me shpejtësi jashtëzakonisht të lartë. Ngjarja lidhet me një “defekt teknik”, konkretisht shpërthimi i një gome që e bëri të pamundur kontrollin e makinës.
Personat e përfshirë në hetime kanë bërë të ditur se nga ekspertiza rezulton se makina e dy vëllezërve portugezë po udhëtonte me një shpejtësi që tejkalonte kufirin prej 120 km/h. Këtë e kanë konfirmuar gjurmët e lëna në asfalt nga njëra prej rrotave të veturës, e cila pas përplasjes mori flakë. Diogo Jota dhe André Silva kanë ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.
Hetimi mbetet ende i ndërlikuar për shkak të zjarrit që shpërtheu pas aksidentit dhe që e ka vështirësuar punën e hetuesve. Megjithatë, provat e deritanishme dhe përfundimet e nxjerra kanë gjetur mbështetje të konsiderueshme. Në përmbledhje, mund të thuhet se aksidenti i tmerrshëm ndodhi si pasojë e një kombinimi të rrezikshëm mes shpejtësisë së lartë dhe një defekti teknik në një nga rrotat e makinës.