Kush ishte Violeta, motra e Armend Rexhepagiqit që ka vdekur sot në moshën 55 vjeçare - Gazeta Express

Arte

Gazeta Express

16/04/2020 11:35

Kush ishte Violeta, motra e Armend Rexhepagiqit që ka vdekur sot në moshën 55 vjeçare

Arte

Gazeta Express

16/04/2020 11:35

Ka vdekur sot Violeta Rexhepagiqi, këngëtarja më avangarde shqiptare dhe gazetarja e guximshme që gjithmonë ishte para kohës me stilin e saj.

Një revolucion në muzikën shqipe, Violeta Rexhepagiqi lehtë mund të njihet nga fotografitë e rinisë së saj të hershme.

Një grua e bukur, e mençur, një stil unik dhe i veçantë e deri asokohe edhe i paparë për syrin e shqiptarëve, nga një shqiptare, Violeta Rexhepagiqi nisi një karrierë të suksesshme e cila do të ndërpritej pas një aksidenti të tmerrshëm.

E lindur në vitin 1965, ajo mbetet një prej këngëtareve më avangarde të një kohe tjetër në Kosovë. Mësimet e para Violeta i ndoqi në shkollën e qytetit – “Faik Konica”. Pas suksesit me këngë dhe si spikere për programe të fëmijëve në “Radio Prishtinë” ajo filloi të ndjekë mësimet edhe në shkollën e ultë të muzikës.

Ajo ka interpretuar rreth 40 këngë për fëmijë për të kaluar më pas në një dimension tjetër, në këngët për të rritur, aty ku edhe dolën hitet e saj si solo këngëtare por edhe bashkë me Armend Rexhepagiqin e Aida Barakun.

Dy herë ajo tentoi të përfaqësonte Jugosllavinë në Eurovizion. Viti 1986 e solli atë në garë me këngën “Nora”, ku ajo përfundoi e shtata në listë, ndërsa një vit më vonë ajo kthehet në festivalin përzgjedhës për këngën në Eurovizion – Jugovizija, me këngën “Nuk të harroj” dhe me këngën “Fedora” në kuadër të grupit Vivien.

Violeta Rexhepagiqi “Yjet” Arkiv nga viti 1987 TVP

Një grua me plot elegancë dhe e suksesshme, ajo punoi për një kohë edhe pranë televizioneve të huaja, duke raportuar edhe rreth luftës në Kosovë. Violeta në ndërkohë punoi edhe në Radio Televizionin e Kosovës.

Sot, më larg skenës, Violeta nuk e ka humbur muzikalitetin që e karakterizon. Ende kujtojmë këngët “Romantika” apo “Zhurmë e erërave të dikurshme” nga Grupi Vivien, të cilat gjithmonë na e sjellin në kujtesë një grua që ka sjellë një pamje të re për kosovarët dhe hapi rrugën për të tjerët këngëtarë më pas që të sfidonin rregullat dhe normat e shoqërisë shqiptare. / KultPlus

Violeta & Armend Rexhepagiqi – KËNGA E FUNDIT