Ku(sh) është Vjosa Osmani - Gazeta Express
string(23) "kush-eshte-vjosa-osmani"

Ku(sh) është Vjosa Osmani

OP/ED

Gazeta Express

05/04/2022 10:47

E prezantuar në publik si e zëshme ndaj padrejtësisë dhe reaktive ndaj tendencave për ta kontrolluar, për një vit e dëshmoi krejtësisht të kundërtën. Derisa nga një president lypset të jetë figurë uniteti, ajo s’ishte asgjë më shumë sesa presidentja ceremoniale e instrumentalizuar nga kreu i qeverisë

Shkodran Hoti

Lexo Edhe:

14 shkurti i vitit 2021 hoqi edhe një merak të kosovarëve. Më shumë se gjysma e tyre që dolën për të votuar në zgjedhjet e asaj dite, u përcaktuan  që në krye të shtetit të tyre të vendosin njerëz që i cilësonin të “paprovuar”.  Ishte ky një eksperiment i udhëhequr nga pretendimi që thotë se çdo gjë që nuk e kemi provuar është e mirë.

Ndodhi si ndodhi dhe pozitën e kryeministrit e mori veterani i luftës Albin Kurti. Si pjesëtar i krahut të luftës brenda koalicionit parazgjedhor VV-GUXO, ish-opozitari jashtëzakonisht i zëshëm ndau pozitën tjetër të rëndësishme të shtetit për krahun paqësor të koalicionit, grupacionin e guximtarëve. Ishte Vjosa Osmani ajo që do të bëhej presidente, e cila e ka fobi qëndrimin larg nga pozitat e larta.

Nuk ishte e lehtë të jetësohej kjo. Realisht do të ishte e pamundur pa elasticitetin e ish-partisë së Osmanit, LDK’së. U jetësua edhe falë disa mini-pazareve me disa deputetë minoritarë. Pati nevojë edhe për një afat kalimtar mes raundeve të votimit për ndonjë deputet “brucosh” nga opozita.

Sidoqoftë, u bë. Vjosa Osmani arriti ta plotësojë ambicien e madhe jetësore. Shumë 50-60 vjeçarë iu gëzuan “Vjollcës” kryetare të shtetit. Nuk jam i sigurt a ka pasur lotë gëzimi tek të gjithë idolizuesit e saj të shndërruar pastaj në staf e kabinet të të parës së Kosovës. Ndërsa historia flet për gëzim të shfrenuar të Prindon Sadriut, më shumë se për bashkëshorten, për titullin që do t’i takonte: Zotëriu i Parë.

Shkoi një vit. U harxhua 20% e mandatit. Vjosa Osmani më shumë ishte temë për heshtjen e saj sesa për fjalët. Më shumë është folur për mungesën e veprimeve të saj sesa për llojin e tyre, të kategorizuara në të mira e të këqija.

Për 365 ditë të motit më shumë bujë përi Zotëriu i Parë dhe “ushtaraku” Prindon Sadriu sesa pasardhësja e Ibrahim Rugovës. Derisa veprimtari Sadriu herē merrte vëmendjen me veshjen e tij si ndonjë yll estrade e herë sulmonte mediat por si bandit, Presidentja shfaqej për ta justifikuar apo shfajësuar.

Kur pritej reagimi i saj teksa çmimet e produkteve esenciale ushqimore u rriten, ajo heshti. Nuk foli as kur u shtrenjtua rryma. Rrinte e heshtur edhe kur Kuvendi i Kosovës vlonte nga gjuha homofobike e disa deputetëve ekstremistë e injorantë. Nuk reagoi as për seksizmin e patriarkalëve që kanë zënë ulëse deputeti në parlament. Nuk bëzante për asnjë veprim të qeverisë as kur cilësoheshin si problematike prej qarqeve të panënshtruara të shoqërisë civile apo ndërkombëtarëve. Ndërkohë, harroheshin çështjet derisa rritej kurreshtja se ku ishte Vjosa Osmani.

E prezantuar në publik si e zëshme ndaj padrejtësisë dhe reaktive ndaj tendencave për ta kontrolluar, për një vit e dëshmoi krejtësisht të kundërtën. Derisa nga një president lypset të jetë figurë uniteti, ajo s’ishte asgjë më shumë sesa presidentja ceremoniale e instrumentalizuar nga kreu i qeverisë. Krejt çka mundi të bëjë në 1/5 e mandatit ishte përkujdesja që të mos i lëvizë asnjë milimetër linjës së kryeministrit Kurti. Fije guximi nuk tregoi në asnjë moment. Madje as sa bashkëpunëtori i saj Burim Karameta, deputeti që një herë kritikoi ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia. Të gjitha këto ishin nxitje për të menduar se kush ishte tashmë Vjosa Osmani?

Ka edhe shumë të thuhet. Kështu shkoi viti i parë. Ta shohin në katër të tjerët. Unë nuk pres befasi.