string(78) "kush-eshte-karol-nawrocki-presidenti-qe-ishte-njekohesisht-boksier-dhe-huligan"

Lajme

Gazeta Express

02/06/2025 9:39

Kush është Karol Nawrocki: Presidenti që ishte njëkohësisht boksier dhe huligan

Lajme

Gazeta Express

02/06/2025 9:39

Polakët në raundin e dytë të zgjedhjeve të dielën zgjodhën për president 42-vjeçarin Karol Navrocki, historian me një të kaluar huligane, president i Institutit të Kujtesës Kombëtare, ish-boksier, i cili e sheh si frymëzim politik liderin amerikan Donald Trump dhe lëvizjen MAGA.

Pas numërimit të votave nga të gjitha vendvotimet, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve njoftoi se Navrocki, kandidati i populistëve konservatorë nga partia “Ligji dhe Drejtësia”, fitoi 50.89 për qind të votave, ndërsa kandidati i koalicionit qeverisës, kryetari liberal dhe pro-evropian i Varshavës, Rafal Tçaskovski, mori 49.11 për qind.

Në zgjedhje morën pjesë 71.6 për qind e 28.9 milionë votuesve të regjistruar, të cilët i dhanë Navrockit 10,606,628 vota, rreth 370,000 më shumë sesa Tçaskovski.

Presidenti aktual i Polonisë, Andrzej Duda, e uroi Navrockin këtë mëngjes dhe përmes platformës X falënderoi votuesit për marrjen e përgjegjësisë për vendin.

Parashikimet para raundit të dytë ishin aq të ngushta saqë agjencitë hezitonin të jepnin parashikime, sepse diferenca në vota ishte brenda kufijve të gabimit statistikor. Anketa e parë dalëse nga agjencia Ipsos i jepte një epërsi të vogël prej vetëm 0.6 për qind Tçaskovskit.

“Ne nuk do të lejojmë që të konsolidohet monopoli i pushtetit i kryeministrit Donald Tusk që po na vjedh ëndrrat tona. Sonte duhet të fitojmë dhe e dimë që kjo do të ndodhë. Besoj se nesër në mëngjes do të zgjohemi me presidentin e ri të Polonisë, Karol Navrockin”, deklaroi ai në reagimin e parë për mbështetësit dhe gazetarët në shtabin elektoral.

Në fitoren e Navrockit, të cilin e mbështetën fuqishëm gjatë fushatës zyrtarë të administratës amerikane në të dy raundet, dhe me të cilin vetë Donald Trump u fotografua me gishtin e madh lart në Zyrën Ovale gjatë fushatës, u pasqyrua hendeku i thellë në shoqërinë polake. Atëherë, falë votave proteste kundër kandidatëve sistemikë, u forcua e djathta polake – përfshirë edhe ajo radikale, si partia Konfederata, madje edhe antisemitisti dhe huligani famëkeq Gzhegozh Braun, i cili në raundin e parë fitoi 6.3 për qind të votave.

Analistët theksojnë se është zgjedhur një historian me të kaluar të dyshimtë – dikur boksier dhe pjesëmarrës në përleshje huliganësh në qytetin e tij të lindjes, Gdanjsk. Ai bart gjithashtu barrën e skandaleve të tjera, siç është keqpërdorimi i një të moshuari polak për të përfituar në mënyrë të paligjshme një banesë komunale në Gdanjsk, dhe në rininë e tij, kur punonte si sigurim në hotelin “Grand”, shërbente prostituta për klientët.

Sipas tyre, kjo nënkupton edhe fundin e planit të qeverisë pro-evropiane dhe demokratike të kryeministrit Donald Tusk për të rikthyer sundimin e ligjit pas tetë vitesh të shkatërrimit të tij nën drejtimin e Jaroslaw Kaçinskit dhe populistëve të “Ligjit dhe Drejtësisë”.

Humbjes së Tçaskovskit i kontribuoi edhe zhgënjimi i votuesve të koalicionit qeverisës, të cilët për më shumë se një vit e gjysmë nuk arritën të realizojnë një pjesë të madhe të premtimeve elektorale, për shkak të bllokadës së vazhdueshme përmes vetove apo dërgimit të çështjeve në Gjykatën Kushtetuese, e cila është nën kontrollin e opozitës dhe të presidentit Duda.

Nuk dihet si do të reagojë kryeministri Tusk, pasi tashmë është e qartë se nuk do të ketë rikthim të Polonisë në mesin e lojtarëve kryesorë në Bashkimin Evropian, dhe as ndonjë shpresë për çmontimin e elementëve autoritarë nga reformat populiste që politizuan mediat dhe gjyqësorin me Navrockin si president.

Navrocki, si drejtor i Institutit të Kujtesës Kombëtare, ka zbatuar me përpikëri direktivat e politikës patriotike dhe të ashtuquajturës politikë historike të populistëve të Kaçinskit. Më parë, në vitin 2018, si drejtor i sapoemëruar i Muzeut të Luftës së Dytë Botërore në Gdanjsk, nuk hezitoi të censuronte ekspozitën kryesore për të fshirë numrat e pjesëmarrësve të lëvizjes partizane por edhe asaj çetnike në Jugosllavi, në mënyrë që të mos dukej se rezistenca në Jugosllavi gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte më e madhe, më e fortë dhe më e rëndësishme se ajo në Poloni.

Populistët e Kaçinskit, gjatë natës së kaluar, kur po mbërrinin rezultatet e pjesshme që konfirmonin epërsinë e Navrockit, kërkuan që qeveria e kryeministrit Tusk të japë dorëheqje dhe të shpallen zgjedhje të parakohshme.