Midis emrave që qarkullojnë në konfidencialitet para Konklavës në Vatikan, si pasues i mundshëm i Papa Françeskut, është edhe një figurë që spikat në një mënyrë të papritur, por gjithnjë e më të fortë: ajo e kardinalit amerikan Robert Francis Prevost.
Po sikur pasaporta amerikane, zakonisht një pengesë në garën për fronin papnor, të mos përfaqësonte një pengesë këtë herë? Prevost, i njohur nga të gjithë si “Ati Bob”, mund të mishëronte pikërisht atë linjë vazhdimësie me Papa Françeskun që shumë kardinalë po kërkojnë.
Një reformator i heshtur
I lindur në Çikago në vitin 1955 në një familje katolike me origjinë evropiane, Prevost është shumë më tepër sesa një klerik i Amerikës së Veriut. Përvoja e tij e gjatë misionare në Amerikën Latine, veçanërisht në Peru, e ka transformuar atë në një figurë që i zbeh kufijtë gjeografikë dhe ideologjikë midis Veriut dhe Jugut të botës. Për këtë arsye, ka nga ata që e konsiderojnë atë pothuajse një zë të të ashtuquajturit Jug Global, atij Jugu global që Papa Bergoglio e ka rikthyer në qendër të agjendës kishtare.
Gjatë qëndrimit të tij në Peru, në krye të një prej dioqezave më të varfra dhe më problematike në vend, Prevost ndau jetën e përditshme të komuniteteve lokale, duke mësuar ta lexojë botën dhe Kishën nga një perspektivë “e përmbysur”. Ishte ky vendi ku ai zhvilloi një ndjeshmëri të veçantë ndaj dinamikës së margjinalizimit, migrimit dhe pabarazive, duke intuituar potencialin profetik të një Kishe më afër më pak fatlumëve.