Në Dhomat e Specializuara të Hagës ka vijuar sot procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ku në seancën e radhës ka filluar dëshminë e tij Jock Covey, i thirrur si dëshmitar i mbrojtjes në rastin e ish-presidentit Hashim Thaçi.
Covey, një ish-zyrtar i lartë ndërkombëtar me përvojë në Ballkan gjatë dhe pas luftës në Kosovë, pritet të dëshmojë në mbrojtje të Thaçit.
Kush është Jock Covey?
Jock Covey është një ish-zyrtar i lartë ndërkombëtar, i cili gjatë pasluftës në Kosovë shërbeu si zëvendës i përfaqësuesit special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë (UNMIK) si dhe kishte qenë zëvendës i Bernard Kouchner.
Në këtë rol, ai ka qenë një nga figurat kyçe në administratën ndërkombëtare që menaxhonte tranzicionin e Kosovës pas përfundimit të luftës në vitin 1999.
Covey kishte ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimet politike dhe institucionale të vendit gjatë periudhës së ndjeshme të rindërtimit dhe stabilizimit.
Për shkak të përvojës dhe njohurive të tij mbi kontekstin politik dhe të sigurisë në Kosovë, ai është ftuar si dëshmitar i mbrojtjes në gjyqin ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi në Dhomat e Specializuara të Hagës.
Ai pritet të dëshmojë për dy deri në tre ditë./Lajmi.net/