Kush është Bajram BERISHA, i sapozgjedhur Anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë - Gazeta Express
string(96) "kush-eshte-bajram-berisha-i-sapozgjedhur-anetar-i-jashtem-i-akademise-se-shkencave-te-shqiperise"

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

04/06/2021 10:54

Kush është Bajram BERISHA, i sapozgjedhur Anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

04/06/2021 10:54

Institucioni më i lartë i shkencave i Republikës së Shqipërisë, Akademia e Shkencave e Shqipërisë (ASHSH), më 28 maj 2021 në mbledhjen solemne të Asamblesë së saj ia dorëzoi Profesor dr. habil. Bajram Berisha, certifikatën Anëtar i Jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë

Fisnik Dragusha

Profesor Bajram Berisha, më 27 maj 2021 u zgjodh anëtar i jashtëm i ASHSH-së me vota unanime të Asamblesë së ASHSH-së.

Kryetari i ASHSH-së, Akademik Skënder Gjinushi, me rastin e dorëzimit të certifikatës anëtar i jashtëm i ASHSH-së profesor Bajram Berishës, ndër të tjera tha: “Prof. Bajram Berisha i zgjedhur nga Asambleja e ASHASH me të gjitha votat pro, është mësimdhënës universitar në Kosovë, në Gjermani e në Shqipëri. Prof. Berisha ka një numër të madh botimesh, mbi 74 artikuj shkencorë gjermanisht, anglisht në SCOPUS, mbi 132 artikuj shkencorë shqip, gjermanisht e anglisht në ResearchGate dhe me mbi 3500 citime, më tepër s’ka nevojë …”

E ne do të shtonim se Profesor Bajram Berisha është shkencëtar i shquar shqiptar me përvojë ndërkombëtare në fushën e Bioteknologjisë dhe profesor i zgjedhur në Universitetin e Prishtinës (Kosovë), në Universitetin Teknik të Munihut (Gjermani) dhe në Universitetin Bujqësor të Tiranës (Shqipëri) i cili gjatë këtyre 20 vjetëve të fundit ka pasur edhe një bashkëpunim intensiv, të vazhdueshëm dhe shumë të suksesshëm me institucione të ndryshme të arsimit të lartë dhe të kërkimit shkencor të Shqipërisë. Si rezultat i këtij bashkëpunimi, ai në fillim të këtij viti u propozua për anëtarësim në institucionin më të lartë kombëtar të shkencave, në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. Propozimi për Prof. Berishën është bërë nga dy shkencëtarë të shquar shqiptarë, Akademik Arben Merkoçi (Universiteti i Barcelonës) dhe Akademik Nazim Gruda (Universiteti i Bonit), është miratuar pastaj nga të gjitha instancat e ASHSH-së dhe së fundmi është votuar njëzëri edhe nga asambleja e Akademisë.

Bajram Berisha, që tashmë është anëtar i jashtëm i Akademisë se Shkencave të Shqipërisë, aktualisht është Profesor i rregullt në Universitetin e Prishtinës (UP), ku është duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në strategjinë e zhvillimit të kërkimit shkencor dhe në ndërkombëtarizimin e Universitetit të Prishtinës.

Është diplomuar në Fakultetin e Bujqësisë (Universitetit i Prishtinës), ndërkaq studimet pasuniversitare (magjistraturën) i ka kryer në Fakultetin Bioteknik të Universitetit të Lubjanës (Slloveni). Studimet e doktoratës dhe të habilitimit (venia legendi) i ka kryer në Universitetin Teknik të Munihut (TUM, Gjermani) në fushën e bioteknologjisë shtazore.

Bazuar në rezultatet e tij të jashtëzakonshme shkencore, Prof. Berisha është pranuar në TUM në vitin 1996 ku ka punuar pa ndërprerje deri në vitin 2008. Pas kthimit nga Gjermania në Kosovë, në vitin 2008 është zgjedhur “Profesor i asocuar”, ndërsa në vitin 2012 “Profesor i rregullt” në Fakultetin e Bujqësisë dhe të Veterinarisë të Universitetit të Prishtinës. Në vitin 2011 është zgjedhur “Profesor” në Universitetin Bujqësor të Tiranës (UBT).

Profesor Bajram Berisha ka botuar mbi 350 publikime të kategorive të ndryshme, 110 publikime të plota shkencore, 70 prej tyre të publikuara në revista shkencore që rangohen ndër më të njohurat në botë, gjë që shihet nga impakt-faktori i lartë i tyre.

Profesor Bajram Berisha ka qenë pjesëmarrës aktiv në mbi 200 konferenca shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare, në mbi 80 prej tyre si ligjërues, shpeshherë edhe ligjërues i ftuar gjithandej nëpër botë (SHBA, Evropë, Azi e Japoni, por edhe në Kosovë, në Shqipëri etj.). Është autor i 2 librave shkencorë të publikuar në Gjermani dhe i mbi 40 sekuencave të reja të gjeneve dhe proteinave të publikuara në bankën e gjeneve në NCBI.

Fokuset e punimeve të tij shkencore synojnë që të shpjegojnë mekanizmat lokalë fiziologjikë që ndikojnë në angiogjenezën (krijimin e enëve të reja të gjakut) në proceset fiziologjike. Në fakt, shfrytëzimi i njohurive të fituara nga modeli i angiogjenezës fiziologjike të vezores (ovarium) ka qenë dhe mbetet shumë i rëndësishëm, në krijimin e strategjive të reja që do të kontribuonin edhe në luftën kundër patologjive të tumoreve (angiogjeneza patologjike).

Bazuar në rezultatet e tij shkencore, Prof. Berisha ka marrë Mirënjohje dhe Dekorata nga Universitete dhe Institucione të ndryshme shkencore. Ai është Laureat i Çmimit ndërkombëtar shkencor “Zietzschman-Preus Award” për punimin më të mirë për vitin 2017 në fushën e anatomisë dhe embriologjisë veterinare. Ky çmim ndahet për të arriturat kulmore shkencore, i ndahet vetëm një autori gjatë një viti dhe menaxhohet nga Asociacioni Botëror i Anatomëve të Veterinarisë. Për të arriturat e tij të jashtëzakonshme shkencore Prof. Berisha është nderuar edhe me tituj dhe mirënjohje të tjera nga të cilat këtu po përmendim: “Ambasador i TUM 2018” i dekoruar nga Presidenti i TUM, me rastin e 150-vjetorit të themelimit të Universitetit Teknik te Munihut (TUM) në Gjermani. “Shkencëtari kosovar i vitit” i përzgjedhur nga Ministria e Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë (MASHT) e Kosovës etj.

Punimet e Prof. Bajram Berishës janë shumë të cituara nga kolegët e fushës, ndërkaq “Hiersh index” i tij aktual është H=40 sipas Google Scholar. Kjo flet për cilësinë e punimeve të tij, si dhe për respektin që prof. Berisha gëzon në komunitetin shkencor ndërkombëtar dhe kombëtar.

Prof. Berisha bashkëpunon me dhjetëra grupe shkencore nëpër universitete të ndryshme në Gjermani, në Japoni, në Austri, në SHBA, në Britani të Madhe, në Izrael, në Shqipëri etj., që tregon për aftësitë e tij të jashtëzakonshme për komunikime dhe bashkëpunim ndërkombëtar në fushën e shkencës.

Po ashtu është autor dhe realizues i disa projekteve shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare (nga Bashkësia hulumtuese gjermane Deutsche Forshungs Gemeinschaft-DFG). Anëtar i bordit udhëheqës i disa projekteve TEMPUS, dhe përfitues dhe koordinator i një projektit të madh TEMPUS nga Komisioni Evropian, i cili Universitetit të Prishtinës i ka ofruar një program evropian të studimeve PhD në „fushën e shkencave të ushqimit”.

Mentor i dhjetëra studentëve Bachelor, Master dhe tëDoktoratësnë Universitetin Teknik të Munihut (TUM) dhe në Universitetin e Prishtinës (UP). Prof. Berisha është gjithashtu vlerësues i mbi 30 punimeve të doktoratës nga fushat e shkencave të natyrës dhe bioteknike në TUM. Kjo tregon për kontributin e Prof. Berishës në ngritjen e kuadrit cilësor në TUM dhe UP, si dhe gatishmërinë e tij që njohuritë dhe përvojat shkencore t’i përcjellë te gjeneratat e reja.

Anëtari disa shoqatave dhe asociacioneve shkencore ndërkombëtare të fushës së tij shkencore (SSR, DVG, DGE, Albshkenca etj.), dhe koordinator për Kosovën në Asociacionin e Rrjetit Tematik Evropian të Bioteknologjisë.

Prof. Berisha ka kryer disa funksione me përgjegjësi në Universitetin e Prishtinës dhe në vend, nga të cilat po përmendim vetëm disa: (1) Kryetar i Këshillit Shkencor në MASHT; (2) Anëtar i Këshillit Kombëtar të Cilësisë (KKC) në Agjencinë për Akreditim të Kosovës; (3) Anëtar i Këshillit Kombëtar për Njohjen e Gradave Akademike (NARIC); (4) Anëtar i grupit të ekspertëve për arsimin e lartë të Kosovës (HERE); (5) Prorektor për mësimdhënie dhe kërkime shkencore në Universitetin e Prishtinës (6) Kryesues i komisionit qendror të Universitetit të Prishtinës për çështje akademike, i komisionit qendror për sigurim të cilësisë dhe i komisionit qendror për botime në UP etj.

Profesor Dr. habil. Bajram Berisha ka përvojë ndërkombëtare mbi 20-vjeçare në mësimdhënie universitare dhe në kërkime shkencore në Universitetin Teknik të Munihut, ku vazhdon të kontribuojë në vazhdimësi në cilësinë e bashkëpunëtorit shkencor dhe Profesorit vizitor.