48-vjeçari që u vra mbrëmë: Akuzohej për vrasje të trefishtë në Kaçanik dhe shpërthimin te lokali "Sekiraqa" - Gazeta Express
string(116) "kush-eshte-48-vjecari-qe-u-vra-mbreme-akuzohej-per-vrasje-te-trefishte-ne-kacanik-dhe-shperthimin-te-lokali-sekiraqa"

Lajme

Gazeta Express

24/01/2023 10:07

48-vjeçari që u vra mbrëmë: Akuzohej për vrasje të trefishtë në Kaçanik dhe shpërthimin te lokali “Sekiraqa”

Lajme

Gazeta Express

24/01/2023 10:07

Mbrëmjen e së hënës, Nysret Cena nga Kaçaniku u vra me breshëri plumbash nga persona akoma të paidentifikuar, të cilët e qëlluan në veturën e tij, duke e lënë të vdekur në vend.

Vdekjen e 48-vjeçarit e ka konfirmuar mjeku, teksa trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion. Të dyshuarit kanë ikur nga vendi i ngjarjes, ndërsa Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të rastit.

Lexo Edhe:

Nysret Cena nuk ishte emër i panjohur për organet e rendit. Ai ishte akuzuar dy herë për raste të ndryshme, e më pas ishte liruar nga akuzar.

Rasti i shpërthimit te lokali Sekiraqa

Para gjashtë vitesh, Gjykata Themelore e Prishtinës kishte liruar nga akuzat të pandehurit për rastin e shpërthimit në lokalin Sekiraqa në Prishtinë. Gjashtë vjet pas shpërthimit në këtë loka, Prokuroria Speciale e Kosovës pati ngritur aktakuzë të re kundër tetë personave, gjashtë prej të cilëve policë të Kosovës.

Prokurorja e këtij rasti Mariah Bamieh pati dorëzuar në Gjykatën Themelore të Prishtinës aktakuzën kundër Bejtullah Mehmetit, Luan Qekinit, Bekim Sumës, Fadil Sadikut, Mehmet Mehmetit – policë të Kosovës, Arbresh Dalipit, ish-policë dhe Nysret Cenës, ish-pjesëtar i TMK-së si dhe Afet Dalloshit.

Aktakuza që kishte gjashtë pika ngarkonte këtë grup kriminal se së bashku me dy ish-policët kanë përgjegjësi kriminale për përgatitje dhe ekzekutim të një shpërthimi që si pasojë kishte vrasjen e dy personave, plagosjen e 11 të tjerëve dhe shkatërrimin e pasurisë private e publike.

Ajo ishte ngritur pasi Besnik Hasani dhe Shpend Qerimi, të dënuar me nga 25 vjet burgim, e kishin pranuar përgjegjësinë e tyre, duke treguar në detaje përgatitjen dhe ekzekutimin e këtij akti.

Për vrasje të rëndë të Naim Muratit dhe Pleurat Sllamnikut, prokurorja Bamieh akuzonte grupin se e bënë “për hakmarrje të paskrupullt ose motive të ulëta duke vendosur dhe shpërthyer një mjet plasës të improvizuar në katin përdhes të një ndërtesë në Prishtinë”.

Prokuroria pretendonte se Policia e Ferizajt bashkë me policët e Njësisë ROSU kishin planifikuar hakmarrjen kundër Enver Sekiraçës duke hedhur në erë me bombë restorantin e tij në Prishtinë me 24 shtator 2007 në ora 2 e 10 minuta të mëngjesit, gjatë periudhës së Ramazanit. Atë kohë të gjitha baret dhe restorantet ishin të hapura e në punë deri në syfyr.

Sipas Prokurorisë nga Rakaj, Afet Dalloshi dhe Nysret Cena u dërguan për të marrë mjetin plasës, minë kundër-tank dhe armët, konkretisht dy armë MP5.

“Plani ishte të hidhej në erë restoranti Sekiraça në Prishtinë. Me kthimin e tyre, Nysret Cena vendosi mjetin plasës, konkretisht minën kundër-tank me lëndë plasëse dhe kapsulla. Pastaj ai udhëzoi dy pjesëmarrësit e maskuar, Arbresh Dalipi dhe Mehmet Mehmeti si dhe Bejtullah Mehmetin se çfarë të bënin”, thuhej në aktakuzë.

Nysret Cena dyshohej edhe për vrasjen e trefishtë në Kaçanik

Në këtë rast po akuzohen Agron dhe Afet Dalloshi për vrasje e vrasje të rëndë në tentativë, ndërsa së bashku me ta ka qenë i akuzuar edhe Nysret Cena i cili ishte liruar nga akuza me aktgjykim të formës së prerë.

Në lidhje me këtë rast, Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë më 2 nëntor 2009 ndaj të akuzuarve Besnik Hasani, Shpend Qerimi dhe Nysret Cena për veprat penale të vrasjeve, kurse Hasanit dhe Qerimit edhe për veprën penale të armëmbajtjes pa leje.

Lidhur me këtë, Gjykata e Qarkut në Prishtinë, me aktgjykimin e 7 shkurtit 2011, të akuzuarit Hasani dhe Qerimi i ka shpallur fajtor duke iu shqiptuar dënim me burgim afatgjatë, çdo njërit nga 33 vite, kurse të akuzuarin Nysret Cena e ka liruar nga aktakuza në mungesë të provave.

Pas shpalljes së këtij aktgjykimi, i akuzuari Hasani ka dashur të japë deklaratë në prokurori lidhur me vrasjet e datës në mes 27 e 28 shtator 2007, andaj prokuroria pas dëgjimit të tij, kishte ngritur aktakuzë më 13 shtator 2011 ndaj Nysret Cenës, Agron Dalloshit dhe Afet Dalloshit.

Por që me aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale më 5 mars 2012, është ndryshuar përshkrimi i dispozitivit të aktakuzës së 13 shtatorit 2011, ashtu që sa u përket veprave penale nën pikën I të aktakuzës, Nysret Cena nuk e ka cilësinë e të akuzuarit.

Ndërsa, të akuzuarit Agron Dalloshi e Afet Dalloshi akuzohen se sipas marrëveshjes paraprake të tyre dhe Shpend Qerimit, më 28 shator 2007, rreth orës 00:10-20, për shkak se Nysret Cena kishte pasur fjalosje me N.B. për shkak të një borxhi dhe i akuzuari Afet Dalloshi kishte pasur fjalosje më parë me N.B., për një femër, ashtu që me qëllim që të privojnë nga jeta atë, i akuzuari Afet Dalloshi me veturën e tipit “Audi A4” pronë e Nysret Cenës, ka bartur Nysret Cenën dhe të akuzuarin Agron Dalloshin, që të dy të armatosur me pushkë automatike, deri tek ura mbi lumin Lepenc në fshain Soponicë, ku kanë zënë vend afër gardhit të gjallë.

Tutje në aktin akuzues thuhet se sipas marrëveshjes të akuzuarit Besnik Hasani e Shpend Qerimi, me veturën e të akuzuarit Afet kanë shkuar në restorantin “Mani” i cili ndodhet në magjistralen Ferizaj-Kaçanik, për të parë momentin kur N.B. do të hyjë në veturën e tij për të shkuar në shtëpi, ashtu që me të rëna të borisë së veturës të informojnë Nysret Cenën dhe të akuzuarin Agron se N.B. ka arritur te ura mbi lumin Lepenc.

Gjithnjë sipas aktakuzës, në veturë të N.B. kanë qenë edhe S.B., U.B. dhe Bujar e Safik Baftiu, dhe i akuzuari Agron me Nysret Cenën, kur e kanë parë veturën, me dashje që t’i privojnë nga jeta, me pushkë automatike kanë shtënë me rafalë të gjata 40 fishekë.

Tutje, thuhet se N.B., është goditur me shumë predha në anën e djathtë të trupit dhe me një predhë në anën e djathë të kokës dhe ka ardhur deri te vdekja e tij, ndërsa S.B. dhe U.B. për shkak të dëmtimit të zemrës, mushkërive dhe mëlçisë kanë vdekur, ndërsa Bujar Baftiu nga predha e goditur ka pësuar lëndime të rënda trupore të rrezikshme për jetë, kurse Sadik Baftiu ka shpëtuar i pa lënduar.

Me këtë, të akuzuarit Agron dhe Afet Dalloshi, në bashkëkryerje me të akuzuarit Besnik Hasanin, Shpend Qerimin dhe Nysret Cenën sipas aktit akuzues kanë kryer veprat penale: të vrasjes së rëndë nga neni 147, paragrafi 1, nënparagrafi 3.9 dhe 11 lidhur me nenin 23 të Kodit Penal të Kosovës dhe veprën penale të vrasjes së rëndë në tentativë nga neni 147, paragrafi 1, nënparagrafi 3 e 11 lidhur me nenin 20 dhe 23 të Kodit Penal të Kosovës.

Në dispozitivin e dytë, të akuzuarit Nysret Cena dhe Agron Dalloshi akuzohen se më 27 dhe 29 shtator 2007, pa autorizim kanë poseduar dhe bartë çdo njëri nga një pushkë automatike “AK-47”, me ç’rast me ndihmën e tyre, tek ura e lumit Lepenc në fshatin Soponicë, privuan nga jeta N.B., S.B. dhe U.B., kurse tentuan të privojnë nga jeta edhe Sadik dhe Bujar Baftiun.

Me këtë sipas aktakuzës, kanë kryer çdo njëri veç e veç veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, posedim ose në shfrytëzim të paautorizuar të armëve” nga neni 328, paragrafi 2 të KPK-së./Sinjali/