Kush e solli Lirinë?! - Gazeta Express
string(19) "kush-e-solli-lirine"

Kush e solli Lirinë?!

OP/ED

Dritan Dragusha

26/11/2020 10:47

“Lirinë nuk ua solla unë, atë e gjeta në mesin tuaj”, kështu thotë Barleti, se ju drejtua Skenderbeu atëbotë njerëzve që kishin dal ta nderonin. Ç’është e vërteta edhe kjo frazë poetike i përket mitit që e rrethon edhe vet figurën e Skenderbeut.

Dilema se kush e solli lirinë nisë çdoherë pasi që shoqëritë të jenë çliruar. Pothuajse asnjëherë nuk ka një dakordim të gjithëmbarshëm rreth kësaj dileme, sepse liria për një shoqëri, për një shtet, madje edhe për një individ duket se është konglomerat i shumë faktorve, rrethanor, gjeografik, histork, ekonomik, politik, ideologjik etj. Prandaj, pas çlirimit ka shumë mospajtime, ka mashtrime, sepse përmes sjelljeve të tilla tentohet të fitohet prestigj e pushtet që buron mëpastaj. Supremacia e dinjitetit moroal, pushtetit dhe të së vërtetës në këso raste është rruga a posteriori.

Lexo Edhe:

Devijimi i rrëfimit, i të vërtetës mbi çlirimin, ose edhe përvetsimi i meritave, sjell pastaj pervertim të vetë lirisë, sepse abuzimet fillojnë në emër të kësaj logjike dhe se njerëzit, disa fillojnë të mashtrojnë, e disa fillojnë edhe të vetmashtrohen. I tillë është edhe personazhi real i romanit dokumentar Mashtruesi, të shkrimtarit spanjoll Javier Cercas. Ai kishte pranuar meritat më të larta nga shteti dhe respektin më të madh nga shoqëria, sepse konsiderohej si një kundërshtar i frankizmit, dhe si i mbijetuar i kampeve naziste për tri vjet ishte kryetar i shoqatës së të mbijetuarve të Holokaustit Amical de Mathausen, ku më 2005, si i mbijetuari i fundit mbajti një fjalim në parlamentin spanjoll.

Ky ishte Enric Marco, i cili për ‘bëmat’ e tij kishte dhënë me qindra intervista e prononcime, për të ishin bërë filma, i ishin shpërndarë mirënjohje dhe dekorata, mirëpo, më 2005, pak kohë para se te kremtohej, në ish kampin e Mathausen-it gjashtëdhjetëvjetori i çlirimit të kampeve naziste, një historian i ri (Benito Bermeho) e zbulon se e tërë historia e Enric Marco-s është një mashtrim. Kjo ngjarje sikur e përmbysi jo vetëm historinë e këtij mashtruesi gjenial, por edhe e shpërfaqi nevojën që kishte Spanja dhe shoqëria spanjolle për vetëmashtrim. Mbështetja që Spanja i kishte dhënë Hitlerit dhe, në njëfarë mënyre, dorëzimi i shoqërisë spanjolle para pushtetit të diktatorit Franko, sikur kishte krijuar një nevojë të pashpjegueshme për një demencë kolektive për të kaluarën (në rastin më të keq), ose mbështetja e një historie (nuk ka lidhje vërtetësia), ku spanjollët i nxjerr edhe si luftëtarë ndaj nazizmit dhe kryengritës ndaj diktaturës. Dhe historia e Enric Marco-s e përmbushte mjaft mirë këtë boshllëk moral e shpirtëror që e kishte shoqëria spanjolle.

Mirëpo, më 2005 rrëfimi i Enric Marco-s faktohet se është gënjeshtër dhe këtë më së miri na e paraqet shkrimtari Cercas, tek romani Mashtruesi. Një element që e prekë edhe thelbin e gjithë rrëfimit të Enric Marco-s në raport me shoqërinë spanjolle, sipas Cercas është se; në fakt Enric Marco kishte bërë atë që shoqëria spanjolle (Spanja) dëshironte ta kishte dhe ai me tërë gjenialitetin e tij ia ofroi. Spanja dëshironte ta harronte historinë (e turpshme) reale të saj, madje mundësisht ta fshinte dhe si zëvendësim ishte Enric Marco me historinë e tij të lavdishme, historinë që do të duhej ta kishte Spanja dhe të përfaqësohej nga ajo.

E përbashkëta jonë ka lidhje (në parim) edhe me historinë e Enric Marco-s, por edhe me shoqërinë spanjolle. Sikurse “heroi” spanjoll që kishte shpifur duke shpikur historinë e tij, edhe tek ne shumë individë e shpikën historinë e tyre, kinse ishin pjesë e luftës (madje kontribut në këtë historinë e gënjeshtërt të tyre kanë edhe ata që ishin vërtet në luftë dhe madje ishin edhe udhëheqës të saj), ku edhe këta që njihen në publik si veteranë të rrejshëm, i shpërbleu shteti, sepse ua njohu statusin e veteranit dhe ua dha benefitet që bart ky status (sic!).

Mendoj se kjo shpjegohet disi në këtë mënyrë: duke marrë parasysh se pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte një numër jashtëzakonisht i vogël, duket se edhe ne si shoqëri kishim nevojë që disi këtë numër të mos e pranonim, sepse sikur ky numër na e nxirrte në pah frikën kolektive që kishim për të luftuar, e që pas luftës kjo përjetohej si e metë. Duke qenë një disproporcion kaq i madh në pjesëmarrje kjo pastaj pas luftës krijoi një narracion tjetër mbi të vërtetën e çlirimit të vendit.

Ata që kishin luftuar (disa, sidomos protagonistët politikë) thonë se ne përmes pushkës e çliruam vendin, domethënë, ju ikët. Kurse refugjatët (ikanakët – e që këtu futen edhe të ashtuquajturit krahu i paqes), si ekstremi tjetër, thonë se po të mos ishte NATO (Amerika) ne nuk do të çliroheshim kurrë. Në të dyja qëndrimet ka një mashtrim. Mashtrimi është ky: çlirimi i Kosovës nga aparati shtetëror serb nuk mund të shihet si rast i izoluar prej asaj se çfarë kishte ndodhë më herët në luftërat në ish Jugosllavi.

Serbia e Millosheviçit te bashkësia ndërkombëtare në njëfarë forme e kishte mbushur kupën, në luftën me kroatët, e sidomos me boshnjakët, e veçanërisht me rastin e gjenocidit që u shkaktua në Srebrenicë. Srebrenica i shkakton dy probleme për ndërkombëtarët; e para: se aty ushtrohet gjenocid në civilë dhe e dyta: se aty gjithashtu përdhoset dinjiteti i sigurisë ndërkombëtare (ju kujtohen forcat paqeruajtëse të lidhura për shtylla elektrike nga forcat serbe).

Këto dy elemente e kishin futur Perëndimin thellësisht në një antagonizëm të brendshëm. Midis Europe, përpara syve të botës dhe nën mbrojtjen e forcave paqeruajtëse u vranë, masakruan dhe zhdukën 8372 boshnjakë të pafajshëm për pak ditë. Ky ishte një poshtërim i madh për botën perëndimore. Ishte kafshatë e madhe që nuk mund ta kapërdinte. Prandaj, ndërhyrja e NATO-s në Kosovë nuk mund të shihet veças kësaj ngjarje. Po ashtu, masakrat që filluan nëpër territorin e Kosovës, për Perëndimin shiheshin si një zgjatim i masakrave në Bosnje dhe mbi të gjitha spastrimi etnik që serbët po kryenin ndaj shqiptarëve të Kosovës ishte vula e ndërhyrjes.

Pra, çlirimi i Kosovës dhe liria e saj, deri edhe shtetësia nuk mund të shihet jashtë një konteksti ndërkombëtar dhe ideologjik madje. Ndërkombëtar, sepse në shpërbërje të Jugosllavisë nuk ishin faktorët e vetëm ato njësi që e përbënin atë, por ishin të përfshira direkt dhe indirekt edhe vende të ndryshme dhe që kjo implikonte përplasjen ideologjike, ku i ashtuquajturi Blloku Lindor kishte filluar të binte sikur gurët e dominos. Ne ishim aty, madje për shkak të shumë shkaqeve që u cekën këtu dhe shumë të tjerave, ishim në qendër të vëmendjes, si asnjëherë më parë dhe si askund në botë që pas Luftës së Dytë Botërore. Fundi i shekullit XX përmbyllet me rënien e komunizmit dhe më çlirimin tonë fillon shekulli XXI.

Arsyeja se pse ndër ne debati se kush e solli lirinë (edhepse, poeti Fernando Pessoa mendonte se “Liria ekziston vetëm në iluzionin e saj”), ka qenë përherë i pranishëm, është për faktin se nuk kemi pasur një çlirim të tipit klasik, ku ne do të organizoheshim masovikisht edhe do të luftonim dhe do ta largonim Serbinë nga vendi ynë.

Madje, kjo nuk duhet parë si ligësi, sepse në botën moderne pothuajse nuk ka popull e shtet që është çliruar vetëm me forcat e veta; as Franca dhe vendet e tjera nuk u çliruan pa ndihmën e aleatëve nga Gjermania naziste, e as kroatët dhe boshnjakët nuk u çliruan vetë. Pra, ajo që na bëri ne të veçantë karshi ndërhyrjes ndërkombëtare ishin viktimat, madje të gjithë që jetonim në ish Jugosllavi ishim viktima të një makinerie vrastare që udhëhiqej nga regjimi i Millosheviçit.

Të gjithë, si refugjati, si ai/ajo që ra në betejë, si ai/ajo për fatin e të cilit nuk dimë gjë, si ai/ajo shëmbëlltyra e të cilit shkrihet tani në bronz, e ai/ajo me pushkë në dorë, si i/e dhunuara, si ushtari e komandanti i tij, e fëmija dhe i moshuari, si i burgosuri për politikë ose jo; ishim dhe do të mbetemi përgjithmonë viktima të një lufte të tmerrshme.

Prandaj, nëse veçse na kërkohet ta themi se kush e solli lirinë, atëherë, që të mos vetëmashtrohemi dhe t’i mashtrojmë ata që do të vijnë pas nesh, na duhet pak modesti e shumë sinqeritet, se lirinë na e sollën ata që sot nuk janë mes nesh dhe ne që s’do të jemi nesër mes atyre që do të vijnë.