Kush do të na çlirojë nga kryeministri - Gazeta Express
string(38) "kush-do-te-na-cliroje-nga-kryeministri"

OP/ED

Gazeta Express

08/06/2023 13:22

Kush do të na çlirojë nga kryeministri

OP/ED

Gazeta Express

08/06/2023 13:22

Është e qartë si drita e diellit dhe na është thënë s’ka ku të shkojë më thjesht dhe troç se për politikën shtetërore amerikane «nuk është problem vendi ynë, por kryeministri ynë». Tutje, mund të nxjerrim konkludime, kryeministri ynë nuk ka probleme personale me ndonjë emisar, apo me emisarin, por me politikën shtetërore amerikane. Në këtë rast, në raste të tilla pra, emisari e emisarët dhe kryeministri e kryeministrat shkojnë e vijnë, raportet ndërshtetërore mbesin.

Arben Idrizi

Lexo Edhe:

A është vërtet emisari amerikan, një emisar i caktuar amerikan, dikush që përfaqëson vetëm veten, tekat e veta personale, apo në të vërtetë është krejtësisht i zhveshur nga bindjet personale, pushteti personal dhe përfaqëson një politikë shtetërore, e cila, e tillë si është, përfaqësohej dje nga dikush tjetër dhe do të përfaqësohet nesër nga dikush tjetër?

Kryeministri i Kosovës, vevistët, vevefilët dhe vevelogët po mundohen, me një retorikë boshe dhe shumë perfide, të na bindin se përgjigjja është te pjesa e parë e pyetjes. Që të jenë më të besueshëm (dhe po supozojmë se ne të tjerët jemi plotësisht në errësirë të çështjes), natyrisht se do të duhej, me fjalë të thjeshta dhe të kuptueshme, të na e shpalosnin dhe shpjegonin qëndrimin shtetëror amerikan, përtej asaj të shprehur nga një emisar.

Për mua tingëllon shumë banal ky diskutim. Por prapëseprapë nuk dua të mjaftohem të them se pala tjetër, karshi meje,nesh, që po e mendon atë që po e mendon, ose që thjesht po e thotë atë që po e thotë, e mendon a thotë thjesht ngase ka një mungesë të dhimbshme – dhe tragjike për vendin – të arsyes.

Pra, nëse ato që na i thotë Escobar – qoftë me mirëkuptim e druajtje, qoftë me ashpërsi dhe arrogancë, janë qëndrim personal i një njeriu të vetëm – atëherë cili qenka qëndrimi i vërtetë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përkitazi me Asociacionin në veçanti dhe gjendjen e tanishme në përgjithësi? Qortimi dhe kërcënimi me sanksione dhe pasoja të tjera pas gjendjes së krijuar në veri ishte qëndrim i emisarit, apo i politikës zyrtare amerikane? Dhe Shtetet e Bashkuara lejuakan që një emisar i caktuar, diku në një qoshk të shkretë të botës, të manifestojë kaubojllëkun e tij si t’ia ketë ëndja, pa iu kërkuar llogari për këtë? Apo më tej, ky qëndrim i sotëm shtetëror amerikan është aksidentalisht i tillë, i përkohshëm, i kësaj qeverie të përbërë prej këtyre përfaqësuesve? A kemi ndonjë siguri të logjikshme se ndërrimi i mundshëm i qeverisë amerikane do të thoshte automatikisht edhe ndërrim të politikës amerikane ndaj problemit tonë?  

Mua më duken shumë, më e pakta, teori komploti përgjigjet pohuese. Madje një gjë e tillë, kaq qesharake, them s’do të mund t’i ndodhte as një shteti të shkretë siç është ky i yni.

E qartë se për kryeministrin manipulimi i tillë i opinionit, të paktën atij që i beson verbërisht, është një veprim i dobishëm, për të. Qoftë edhe sa për të fituar pak kohë derisa (nëse do) të ndërrojnë mendje, pas reagimeve konkrete ndërkombëtare.

Po nëse kryeministri s’e ka ndërmend që vetë të ndërrojë mendje dhe qëndrim, për të mirën e vendit, atëherë duhet të shpresojmë që të paktën pasojat t’i bartë ai vetë, politikisht. Është e qartë si drita e diellit dhe na është thënë s’ka ku të shkojë më thjesht dhe troç se për politikën shtetërore amerikane «nuk është problem vendi ynë, por kryeministri ynë». Tutje, mund të nxjerrim konkludime, kryeministri ynë nuk ka probleme personale me ndonjë emisar, apo me emisarin, por me politikën shtetërore amerikane. Në këtë rast, në raste të tilla pra, emisari e emisarët dhe kryeministri e kryeministrat shkojnë e vijnë, raportet ndërshtetërore mbesin.

Kryeministri edhe mund të ketë hatërmbetje, mospajtime, urrejtje a mosdurim ideologjik ndaj një «perandorie imperialiste», megjithatë atë luftë të tijën ai nuk mund ta bëjë nga pozita e kryeministrit të një vendi që është krijuar dhe ekzistenca e të cilit varet nga vetë ajo perandori. Mësimi i vetëm, i dhimbshëm, që mund të nxjerrim nga kjo është se në të vërtetë vetë vendi ynë, i tëri dhe i shkreti, ka një problem serioz me një njeri të vetëm, kryeministrin, i cili ia ka zënë qafën me çizmen e tij të plumbtë.

Mbase edhe këtë herë do të na çlirojë «perandoria imperialiste».