Kryetarja e partisë Alternativa, Mimoza Kusari- Lila, bëri të ditur se partia e saj në zgjedhjet lokale të 12 tetorit do të garojë e vetme në gjashtë komuna.
Në një konferencë për media, ajo tha se në të gjashtë këto komuna Alternativa do të ketë lista për kuvende komunale.
“Në tri prej tyre do të kemi kandidatë për kryetarë të Komunave. Alternativa do të garojë me listë për asamble në komunat: Prishtinë, Gjakovë, Pejë, Prizren, Mitrovicë të Jugut dhe Mitrovicë të Veriut”, tha ajo.
Kusari –Lila shtoi se se po punojnë që të shtrihen edhe në Komunën e Gjilanit dhe atë të Ferizajt.
“Në tri nga Komunat e lartpërmendura do të kemi kandidatë për kryetarë. Të enjten do të hapim zyrën tonë në Mitrovicë. Në Mitrovicë të Jugut e mbështesim kandidatin e LVV-së për kryetar të kësaj komune, Faton Pecin, siç e mbështesim Qeverinë për veprimet në veri të vendit”.
Kusari-Lila tha se si parti po punojnë në programin e tyre qeverisës./EO/