Kurtit i duhet përplasja me PDK, LDK, AAK, por opsionin e koalicionit me Limajn e mban aktiv - çfarë tha mbrëmë - Gazeta Express
string(106) "kurtit-i-duhet-perplasja-me-pdk-ldk-aak-por-opsionin-e-koalicionit-me-limajn-e-mban-aktiv-cfare-tha-mbreme"

Lajme

Gazeta Express

03/07/2025 13:48

Kurtit i duhet përplasja me PDK, LDK, AAK, por opsionin e koalicionit me Limajn e mban aktiv – çfarë tha mbrëmë

Lajme

Gazeta Express

03/07/2025 13:48

Albin Kurti është i bindur se partitë tjera shqiptare po e lexojnë keq, gabimisht, aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili edhe një javë pasi u shpall, s’e ka zgjidhur situatën. Ndërsa duket në kondicion të mirë për t’u përplasur në distancë me kryetarët e PDK-së, LDK-së e AAK-së për këtë, ai është i vetëdijshëm se do t’i duhet ta gjejë një partner nga ana e partive tjera shqiptare. Mbrëmë tha se është në kontakt të vazhdueshëm me kryetarin e Nismës, Fatmir Limaj.

Ngërçin politik në Kuvend nuk e ka zgjidhur as një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese. Një javë pas shpalljes së tij, seanca konstituive, e nisur më 15 prill, u ndërpre sërish, për herë të 41-të sot.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha të shtunën se PDK-ja dhe LDK-ja “e kanë keqlexuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe po e keqinterpretojnë atë publikisht”, pas një takimi që pati me kryetarët e të dyja partive.

“Gjykata Kushtetuese nuk ka thënë që komisioni për votim të fshehtë është antikushtetues dhe as që votimi i fshehtë është i tillë. Po ashtu Gjykata Kushtetuese nuk thotë askund që kryesuesi Avni Dehari ka bërë ndonjë shkelje”, ka thënë ai.

Takimi që zgjati mbi dy orë nuk solli ndonjë rezultat në pajtimin e partive për rrugën e daljes nga bllokada. Sipas Kurtit, partitë tjera shqiptare kishin rënë në “lajthitje”.

Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e thonë të kundërtën – se aktgjykimi konstatoi se votimi duhet të bëhet hapur.

Kurti nuk duket i bindur, megjithëse të mërkurën tha se do të bëjnë “çmos” që “në frymën e bashkëpunimit” të konstituohet Kuvendi.

“Afatet po rrjedhin. Në javën e fundit të korrikut duhet që ta kemi konstituimin e legjislaturës së re”, tha ai pas një takimi me presidenten Vjosa Osmani.

Kurti, megjithatë e di se do t’i duhet të gjejë një partner nga ana e partive tjera shqiptare, të cilët i quajti “hajvanë” kur partia e tij doli e para në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, por pa marrë mjaftueshëm vota për të qeverisur e vetme sërish.

Ai e negocion herë pas here me kryetarin e Nismës, Fatmir Limaj për një marrëveshje politike – ende pa rezultat – dhe pëballet me dy kërkesa konkrete: pozitën e kryetarit të Kuvendit dhe një “paketë ligjore”, në të cilën përfshihet edhe ulja e pragut zgjedhor nga 5 në 2%.

Kurti mbrëmë e konfirmoi se është “në kontakt të vazhdueshëm” me Limajn.

“Unë besoj që nëse do të ketë lëvizje, ajo do të ndodhë gjatë këtij muaji, kur e kemi edhe afatin përfundimtar. Jemi në kontakt të vazhdueshëm, atmosfera është shumë më e mirë sesa hapat që janë ndërmarrë deri tani. Tani mbetet të shihet nëse kjo atmosferë e mirë do të çojë drejt një qëllimi konkret apo jo”, tha ai në një intervistë në Tëvë1.

Ai tha se mendon se do të kenë bashkëpunim edhe për Kuvendin edhe për Qeverinë, por shtoi se për Limajn kryeparlamentar “nuk ka pasur dakordim” brenda grupit parlamentar të LVV-së.

Në një intervistë për Gazetën Express të dielën, ish-kryetari i Gjykatës kushtetuese, Enver Hasani ka theksuar aktgjykimi i fundit i Kushtetueses “është i ndrojtur dhe nuk i ka shkuar deri në fund zgjidhjes së ngërçit”.

Ai ka thënë se “opozita” ka bazë për të dërguar lëndë të re dhe se Kushtetetueses me këtë rast do t’i duhej ta përmirësojë veten.

“Për rrjedhojë, çdo vendim tjetër për të njëjtën çështje e vë në siklet Gjykatën Kushtetuese, sepse do të duhej të korrigjojë vetveten brenda një afati të shkurtër”, ka thënë Hasani.

Presidentja të mërkurën i ka takuar krerët e partive më të mëdha politike në vend për të diskutuar për konstituimin e Kuvendit dhe sot po vazhdon me takime edhe me kryetarët e partive të tjera më të vogla.

Vjosa Osmani ka kërkuar që “në frymën e bashkëpunimit dhe mirëbesimit, si dhe në dobi të interesit qytetar dhe shtetëror, sa më shpejt, por gjithsesi brenda afatit 30-ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, të arrihet një pajtim rreth rrugës përpara për konstituimin e Kuvendit”, sipas një komunikate.