Asnjë problem. Asnjë gabim. Asnjë ngecje. Asnjë dështim. Vetëm “suksese” dhe rrëfim për përpjekjen e LVV-së dhe “pengimin” e saj në formimin e institucioneve të reja. Kështu ishte paraqitja e mbrëmshme e Albin Kurtit në RTK. Nuk pati “kohë” për t’u pyetur për zotimet e pambajtura, dështimet, ankesat e qytetarëve. “Besoj që do të jetë rasti në një intervistë tjetër”, tha gazetari Blerim Haxhiaj, që pothuajse gjatë gjithë kohës sa e shoqëroi kryeministrin në detyrë në këtë që u quajt “intervistë”, shtonte fjali, konfirmonte fjalët e tij dhe aty-këtu fuste arsyetime të tija.
Gazeta Express
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti është përpjekur shumë për t’i bindur njerëzit për punën e mirë të qeverisë së tij, megjithëse mbështetja partinë e tij ra në zgjedhjet e fundit parlamentare.
Pas zgjedhjeve, vendi tash është në një ngërç politik, ku Kuvendi nuk po konstituohet ende dhe LVV-ja po insiston në vetëm një opsion si zgjidhje: zgjedhjen e Albulena Haxhiut kryeparlamentare.
Kryeministri në detyrë, i cili ka shmangur çfarëdo paraqitje në mediat serioze të vendit, sikurse çdo mikrofon që i është drejtuar rrugës për në Kuvend, vendosi që të martën në darkë ta bënte një paraqitje afërsisht njëorëshe në RTK, televizionin publik drejtor i të cilit është Rilind Gërvalla, i cili ka qenë aktivist i LVV-së.
Foli çfarë deshi. U pyet çfarë deshi të pyetej, në zyrën e tij në qeveri.
“Të nderuar shikues, përshëndetje dhe mirë se takohemi në këtë speciale, që është speciale më e veçantë se specialet e tjera”. Kështu e nisi gazetari i RTK-së, Blerim Haxhiaj atë që u quajt “intervistë”.
Votimi i fshehtë “kthim në fillim”
Kurti u pyet fillimisht se çfarë do të ndodhte nesër (sot), në seancën konstituive që u ndërpre për të nëntëmbëdhjetën herë. Tha se Albulena Haxhiu është “propozimi i duhur”, duke konfirmuar se s’kanë ndërmend të ndërrojnë propozim.
“Nëse opozita janë të sigurt që Albulena nuk kalon përsëri, le ta provojnë me votimin e fshehtë. Dhe porsa të konstituohet Kuvendi, si kryeministër në detyrë, si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje që i ka fituar zgjedhjet, një parti që është më e madhe se partia e parë dhe e dytë marrë së bashku, do t’i kem 61 vota minimum për qeverinë e re, por paraprakisht na duhet Kuvendi i ri”, tha ai.
Pasi Albulena Haxhiu dështoi disa herë me radhë që t’i merrte 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur kryeparlamentare, LVV-ja po e hedh në votim çdo dy ditë propozimin për formimin e një komisioni për votim të fshehtë, i cili gjithashtu nuk po i merr votat e nevojshme. Partitë tjera shqiptare argumentojnë se është shkelje ndërrimi i mënyrës së votimit në gjysmë të procesit.
Gjykata Kushtetuese me gjasë po e shqyrton një pyetje që ka shkuar atje në lidhje me këtë çështje, por për gazetarin e RTK-së “është e qartë” se propozimi i LVV-së nuk përbën asnjë shkelje.
“Çështja ka mbetur te komisioni i fshehtë. Kjo është zgjidhja alternative që ju e keni propozuar: shkojmë me një votim të fshehtë. Një metodë demokratike që e parasheh edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, kjo është e qartë…”. Nisi kështu “pyetja” e radhës.
“Ndërrimi i metodës është sërish kthim në fillim, e jo ndryshim në gjysmë të rrugës”, tha Kurti.
Gazetari tha se ky ishte “një lloj sfidimi i partive tjera që nuk kanë arritur t’i fitojnë zgjedhjet dhe sigurisht bëjnë përpjekjet e tyre që ta marrin pushtetin nëse u vjen atyre rendi”.
Kurti tha se “deputetët opozitarë janë në një trysni të madhe nga shefat e partive që ta ruajnë homogjenitetin e tyre publik dhe pikërisht në një situatë të këtillë ata do ta kishin lirinë e tyre të plotë që me një votim të fshehtë ta shprehnin vullnetin e tyre”.
Kurti do që Albulena Haxhiun t’ia votojnë “të gjithë”
LVV-ja nuk kishte votuar asnjëherë asnjë kandidat për kryetar Kuvendi që s’ka ardhur nga kjo parti. Megjithatë, Kurti, i cili vite më parë kur vonohej formimi i institucioneve ia hedhte fajin partisë së parë, tani thotë se përgjegjësia është “e të gjithëve”.
Pa ia kontestuar asnjë fjalë dhe pa e sfiduar në asnjë moment, gazetari Haxhiaj shpesh ndjente t’i replikonte me “po, është e qartë”.
Kurti tha se “konstituim të Kuvendit të Kosovës pa marrëveshje nuk mund të ketë”, megjithëse zgjidhja që ofron është vetëm një, ajo që po provohet pa sukses çdo dy ditë.
Ai pranoi se i duhen “koncesione dhe kompromise” për qeverinë e re, por tha se Albulena Haxhiu do të duhej të votohej për kryeparlamentare që të ruhej “shëndeti i demokracisë”.
Gluk Konjufcën, kryetarin e deritashëm i Kuvendit, Kurti tha se e ka ndërmend ta kthejë në ekzekutiv.
“Le të më testojnë”
Gazetari konstatoi se zgjedhjet e reja “nuk çojnë askund” dhe tha se nuk beson që shumica e deputetëve i dëshirojnë.
Kurti kërkoi që partitë tjera ta votojnë Haxhiun për ta testuar atë nëse mund ta bëjë qeverinë e re.
“Kolegët e mi në Kuvendin e Republikës që janë të partive opozitare që udhëheqin subjektet e tyre, ata nuk besojnë që unë i kam 61 vota për kryeministër. Dhe unë u them atyre që më testoni. Nëse ata besojnë që Albin Kurti nuk i ka 61 vota të deputetëve për t’u bërë kryeministër përsëri, e kanë në dorë të më testojnë. Le ta votojnë Albulenën dhe të më testojnë mua. Nëse unë dështoj, pikërisht kjo do të ishte fitore për ta”, tha ai.
Kundërshtarët, Kurti tha se po duan që ai të mbetet kryeministër, gazetari thotë se populli “ka folur” dhe LVV-ja është “shpresa”
Kurti tha se po i duhet “s’po e di çka po do opozita”.
“Bile ka filluar të më duket, t’ju them të drejtën, që ndoshta thua se e kanë një dëshirë latente që unë të mbetem kryeministër, se si ta kuptoj ndryshe”, tha ai. “Pra, nëse ata dëshirojnë që të më largojnë mua, do të duhej ta votojnë Albulenën”.
Partitë e tjera, ai tha se duhet ta bëjnë këtë hap për të dëshmuar që “po merr fund qeverisja e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje”.
Gazetari u nxitua të thoshte se kjo “nuk është kaq e thjeshtë”, pasi populli “ka folur”.
“Po tani nuk është kaq e thjeshtë, kur ti merr mbi 40 e sa përqind të votave, rreth 50 deputetë, i bie që populli ka folur, sovrani ka folur. Por sovrani nuk ka thënë që ju duhet të qeverisni vetëm këtë mandat. Ju duhet të bëni partneritet dhe ju këtë e keni të qartë në aspektin e qeverisjes”.
Kurti tha se e pranon këtë, ndërsa gazetari Haxhiaj vazhdoi duke thënë se “në të kaluarën ka pasur pazare nga më të ndryshme për pjesën e pushtetit” dhe se “shpresa te ju është që ju do t’i jepni fund kësaj praktike”.
“Koalicioni i duhur” i Kurtit: LVV, LDK, Nisma, pakicat
Për Albin Kurtin “rruga e duhur përpara” do të ishte një koalicion i LVV-së me LDK-në dhe Nismën.
“Unë i kam ofruar koalicion Lidhjes Demokratike të Kosovës për shkak se konsideroj që më së afërmi në bashkëqeverisje, edhe sa i përket orientimeve, edhe sa i përket përvojave, por edhe sa i përket elektorateve tona, do të ishte koalicioni i duhur. Vetëvendosje, plus LDK, plus këto pakicat joserbe, do të bëheshin 77. Se 57 jemi, edhe 20 të LDK-së, do të bëheshim 77. Madje nëse na shtohen edhe 3 të Nismës do të bëheshim 80”, tha ai.
Ndërsa Kurti po fliste, gazetari shtoi këtë fjali: “Sigurisht do të ishte më stabile”.
PDK-ja, Kurti tha se duhet të jetë në opozitë “edhe një mandat minimalisht”.
“Unë nuk jam për ato solucionet teknike, qeveri teknike, qeveri tranzicionale, qeveri gjithpërfshirëse, të cilat e lënë Kosovën pa opozitë. Në demokraci duhet të kemi opozitë. Duhet të kemi qeveri dhe duhet të kemi opozitë. Dhe besoj që edhe një mandat minimalisht i duhet PDK-së të jetë në opozitë. Mezi pas 20 vjetëve e nxorëm në opozitë. Unë nuk e di pse gjithë ky zell i disa të atyre që janë në opozitë e nuk janë në PDK, ta kthejnë PDK në qeverisje”.
“Komandant Çeliku”
Kryetarin e Nismës, Fatmir Limajn, me të cilin ka negociuar jo pak për të bashkëqeverisur, Albin Kurti u kthye ta quante “Komandant Çeliku” – pa epitetet e mëhershme kur e akuzonte për vjedhje e korrupsion.
“Është lajm që Fatmir Limaj, komandant Çeliku, siç njihej gjatë luftës, është kthyer në Kuvendin e Republikës, që Nisma Socialdemokrate, që do të duhej të jetë parti simotër me Lëvizjen Vetëvendosje i ka tre deputetë në Kuvendi e Republikës. Por, le mos ta harrojmë edhe një gjë tjetër: jo vetëm që u rikthye Fatmir Limaj në Kuvendin e Republikës, por njëkohësisht ia mundësoi AAK-së ta kalojë pragun. Pa Nismën, AAK-ja kësaj radhe do të ngelej nën prag”, tha Kurti.
Me Limajn tha se s’u morën vesh thjesht për shkak të pozitës së kryeparlamentarit
Kryetari i LVV-së tha se me kryetarin e Nismës “pa dyshim” është ‘shumë i interesuar” për të bashkëqeverisur.
Ai tha se një marrëveshje për koalicion mungon ende për shkak të pozitës së kryetarit të Kuvendit.
“Unë kam pasur takime me kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limajn. Takimet kanë kaluar në një atmosferë ku është rritur besimi, ku është rritur mirëbesimi, vullneti për të bashkëpunuar, mirëpo ku nuk ka pasur marrëveshje, thjesht për shkak të insistimit si një lloj parakushti, madje as kushti por parakushti për bashkëpunim në të ardhmen me pozitën e kryeparlamentarit. Tash unë jam në koalicion parazgjedhor me partinë Guxo dhe me partinë Alternativa. Partia Guxo i ka 6 deputetë. Dhe tash një partie me 3 deputetë t’ia japim kryeparlamentarin kur e kam koalicionin me një parti e cila është dyfishi për nga numri i deputetëve, kjo e dëmton pariparueshëm arkitekturën e marrëveshjes paraprake që e ka Lëvizja Vetëvendosje me partinë Guxo dhe partinë Alternativa. Pra nuk ishte një gjë e mundur”, tha ai.
“Nuk është e shëndetshme”, tha ai, që “kur ke tre deputetë, ta kesh kryetarin e Kuvendit”.
Nuk pati “kohë” për të folur për zotimet e Albin Kurtit
Gazetari i RTK-së, tha më herët se do të flisnin edhe për “disa zotime” të Kurtit dhe partisë së tij në këtë intervistë, por kjo nuk ndodhi.
“Besoj do të kemi vetëm pak kohë vetëm për t’i përmendur në fund, sepse e kemi të fokusuar te konstituimi”, tha ai, por megjithatë nuk pati as “pak kohë” për to.
Te kjo pjesë e fundit, gazetari tha se ndërsa Kurti përmend rritjen ekonomike dhe “e ka të bazuar në statistika”. Pasi përmendi “inflacionin që e ka goditur krejt botën” dhe shtrenjtimin e rrymës.
Pyetjen, që dukej se s’po mundte as ta parashtronte si duhet, gazetari e arsyetoi gjatë edhe me premtimet e zotimet “e zvarritura” në Gjykatën Kushtetuese.
Në fund pak kohë për “mediat” që “po e sulmojnë LVV-në”
Gazetari Haxhiaj e përmendi si me mosbesim rënien në lirinë e shtypit në raportin e Reporterëve pa Kufij. I tha Kurtit se atë e sulmojnë shumë “një pjesë e madhe e mediave”.
Prej të gjitha çështjeve që janë “shumë më mirë” në vend, sipas Kurtit vetëm mediat nuk janë më mirë.
Ai tha se “do të duhej të ketë debat edhe për mediat”, ndërsa përmendi opnionistët dhe analistët si një problem.
Për gjë tjetër nuk patën kohë të flisnin.
“Besoj që do të jetë rasti në një intervistë tjetër”, tha në një rast gazetari. Tha se e di “që ka shumë pyetje që do të duhej t’ua bëja”. Shikuesve u kërkoi falje që s’arriti t’i bënte ato, sepse tha se “koha është e kufizuar”.