Emisari europian Miroslav Lajçak pret zbatim të shpejtë të Marrëveshjes Bazike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, më pak se një muaj pasi tha se është naive të pritet ndonjë avancim para zgjedhjeve në Kosovë. Nga qëndrimi në New York dhe pas takimeve me Ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit, Jim O’Brien dhe të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof, sllovaku duket se është motivuar për një progres substancial më shpejt. Atij i pëlqyen disa ide të presidentes Vjosa Osmani për zbatimin e marrëveshjes, me kryeministrin Albin Kurti tha se u pajtua për “zbatim të shpejtë”, ndërsa për “nevojën për riangazhim” foli edhe me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Pati një “diskutim strategjik” me amerikanët, të cilin tha se do ta vazhdojnë këtë javë në Bruksel.
Gazeta Express
Ndërsa mandati i tij i zgjatur po shkon drejt fundit, emisarit të Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak i kanë pëlqyer disa ide të presidentes Vjosa Osmani për zbatimin e Marrëveshjes Bazike, që ka ngecur aktualisht.
Lajçak e takoi Osmanin të shtunën, para se të kthehej në Bruksel nga New Yorku, ku të dy qëndruan për Javën e Nivelit të Lartë të Asamblesë së OKB-së.
“I vlerësova mendimet dhe rekomandimet e saj për mënyrën se si të zbatohet Marrëveshja e Ohrit”, shkroi Lajçak në një postim në X.
Një ditë më herët, Lajçak u ul edhe përballë Albin Kurtit, në një takim të kryeministrit të Kosovës me Ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit, Jim O’Brien dhe të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof, po në New York.
Lajçak tha se iu bashkua amerikanëve në takimin me Kurtin për “ta diskutuar rrugën përpara”.
“U pajtuam se nuk ka alternativë për zbatimin e shpejtë të Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit”, tha ai.
Me O’Brien, Kasanof dhe Lajçak, Kurti tha se pati “biseda produktive për zhvillimet aktuale dhe të ardhmen”.
“Kryeministri Kurti gjithashtu nënvizoi përkushtimin e tij për bashkëpunim rajonal mbi parimet e përfaqësimit dhe pjesëmarrjes së barabartë në mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ritheksoi përkushtimin dhe angazhimin konstruktiv në procesin e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë sipas parimeve të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksin e saj, që duhet të zbatohet e plotë”, u tha në një komunikatë të lëshuar nga zyra e Kurtit.
Por, në një postim në “X” rreth këtij takimi Kurti tha se sërish ua ka përmendur O’Brien’it dhe Lajçakut se marrëveshja duhet të nënshkruhet.
Në margjinat e Asamblesë së OKB-së, Lajçak e takoi edhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, me të cilin tha se diskutoi edhe për “nevojën për riangazhimin dhe zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit në dritën e Planit të Rritjes të BE-së për rajonin”.
Më 13 shtator teksa po i shpallte “kushtet” e Serbisë si reagim ndaj veprimeve të Qeverisë së Kosovës në Veri, Vuçiq riafirmoi qëndrimin pro marrëveshjes së arritur në Ohër.
“Me marrëveshjen e Ohrit s’kemi problem, dhe për këtë kam folur edhe në Kuvendin e Serbisë. Fjalët e Presidentti të Republikës janë obligative sepse ato janë njësoj të rëndësishme sikur dokumenti i shkruar” kishte thënë Vuçiq.
Po aty, ai thoshte se s’ka ide rreth letrave të Ana Bërnabiq me të cilët shpreheshin rezerva rreth një pjese të marrëveshjes së Ohrit që lidhet me anëtarësimin e Kosovë në organizata ndërkombëtare.
“Nuk kam lidhje për çfarë letra bëhet fjalë”, tha Vuçiq.
Në Nju Jork, para takimit me Kurtin, Lajçak pati një takim veç me amerikanët O’Brien dhe Kasanof, me të cilët theksoi se pati një “diskutim strategjik për Dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë” dhe “dinamikat rajonale”.
“Mezi presim ta vazhdojmë bisedën tonë javën e ardhshme në Bruksel!”, paralajmëroi Lajçak.
Herën e fundit Kosova dhe Serbia kanë biseduar në Bruksel më 17 shtator, në nivel të kryenegociatorëve. Zbatimi i marrëveshjes ka qenë një nga temat, por çështja e sekuencimit se çfarë duhet të zbatojë njëra palë e çfarë tjera i ka bllokuar palët. Kosovës bashkësia ndërkombëtare i kërkon miratimin në qeveri të draft -statutit të Asociacionit dhë dërgimin e tij në Gjykatë Kushtetuese, por shumëkush këtë e sheh të pamundur për shkak të zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe kalkulimeve të Kurtit lidhur me këtë proces.
Zotimi i Kurtit në Bruksel për “kontruktivitet” dhe “zbatimin e të gjitha obligimeve” nga marrëveshja
Përpara udhëtimit në SHBA, Kurti qëndroi disa ditë në Bruksel. Më 20 shtator, ai u takua me drejtorin e përgjithshëm për Zgjerim të Bashkimit Europian, Gert Jan Koopman, me të cilin foli edhe për procesin e dialogut Kosovë-Serbi
Atij, siç njoftonte Zyra e Kryeministrit, Kurti i ka thënë se “Republika e Kosovës vazhdimisht ka qenë palë konstruktive dhe se e ka në interes përmbylljen e këtij procesi”.
“Në këtë kuptim, kryeministri ia ka konfirmuar Drejtorit Koopman qëndrimin në mbështetje të Marrëveshjes bazë dhe Planit Zbatues, të arritura vitin e kaluar”, thuhej në komunikatë.
Në atë takim, Kurti ishte zotuar për zbatimin e të gjitha obligimeve nga Marrëveshja Bazike.
Kryeministri, citohej se kishte thënë se “Kosova, me këtë, riafirmon përkushtimin e saj për procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe zotohet për angazhim konstruktiv në proces për ta çuar atë shpejt përpara”.
“Në këtë kontekst, Kosova zotohet që plotësisht të zbatojë të gjitha obligimet respektive që dalin nga Marrëveshja Bazike për Rrugën Drejt Normalizimit dhe Aneksi Zbatues i saj, përfshirë aty të gjitha marrëveshjet e kaluara të dialogut. Detajet e implementimit do të diskutohen në dialog nën lehtësimin e BE-së”, citohet të ketë thënë Kurti.
Për ato që tha Kurti në Bruksel para se të nisej drejt New York-ut “mbajti shënim” Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë Jorn Rohde. Sipas tij, zotimi i Kurtit mjafton që Kosovës t’i bëhen pagesat nga Plani i Rritjes.
Ai tha se ky është një zotim të qartë publik për të vazhduar dialogun me Serbinë në një frymë konstruktive.
“Ky është një hap kyç drejt shpërndarjes së parë në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së”, shkroi Rohde të premten.
Aktualisht, Kosova është nën masa të BE’së për shkak të veprimeve në Veri dhe për pasojë i janë bllokuar edhe fonde.
Pesimizmi i Lajçak në fillim të muajit
Miroslav Lajçak ishte në Pragë për forumin global të sigurisë, GLOBSEC 2024, dhe në një panel diskutimi atje shprehej pesimist se do të zbatohej Marrëveshja Bazike.
Diplomati sllovak e vlerësonte si “gjënë më të mirë” këtë marrëveshje, por theksonte se implementimi i saj “as që ka filluar”.
“Presidenti Macron dy ditë më parë tha në Beograd se rruga është shtruar dhe rruga quhet Marrëveshja e Ohrit, por ajo që mungon është vullneti politik dhe po ashtu dy shoqëritë s’janë gati”, deklaronte Lajçak.
Ai shprehej se ishte naive të besohej se mund të ketë zbatim të saj përpara zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025 në Kosovë.
“I kemi zgjedhjet parlamentare në Kosovë në shkurt kështu që është naive të besohet se mund të presim avancim para zgjedhjeve. Por duhet të sigurohemi se do të shohim progres substancial në zbatim menjëherë pas zgjedhjeve”, deklaronte emisari europian.
Në detyrë të zgjatur me kompetenca ‘shtesë‘
Pasi mandati i tij si emisar për dialogun u zgjat deri në janar 2025, Lajçak nisi me vrull në përpjekjen për normalizimin Kosovë-Serbi deri kur të jetë në detyrë.
Plani i BE-së për Rritje Ekonomike mendohet që t’i nxisë Kosovën dhe Serbinë që të përparojnë drejt zbatimit të Marrëveshjes.
Ky plan parasheh ndarjen e një fondi prej gjashtë miliardë eurosh për vendet e Ballkanit Perëndimor për periudhën 2024-2027, për ta përshpejtuar integrimin europian të rajonit. Dhe për të pasur qasje në këto fonde, Kosova dhe Serbia e kushtëzohen me angazhim konstruktiv në dialog.
Lajçak ka thënë se është personi përgjegjës që do ta bëjë vlerësimin për përparimin në dialog.
Kosova mund të përfitojë nga Plani i Rritjes një shumë prej rreth afro 1 miliard euro, të cilat Qeveria kishte thënë se do të shërbenin për zbatimin e reformave dhe projekteve investive.
Mandati i Lajçak si përfaqësues special për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që rregullisht do të përfundonte në vjeshtë, u zgjat deri në janar 2025 Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell e kishte emëruar sllovakun në këtë detyrë jo të lehtë në vitin 2020.
Pas katër vitesh, rezultati nuk është pozitiv. Marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve vetëm sa janë përkeqësuar, me tensionet që u përshkallëzuan deri në dhunë.
Gjithsesi, para se ta lë këtë pozitë, Lajçak duket se do ta bëjë edhe një përpjekje për sukses në detyrën e tij të vështirë.
Administrata aktuale amerikane po ashtu po përpiqet që të shtyjë përpara zbatimin derisa ky shtet do të ketë zgjedhje presidenciale me 5 nëntor. Ndryshimet eventuale atje ndryshojnë qasjen në dialogun Kosovë -Serbi.