Kurti u qëndroi prapa, ZRRE përpiqet ta shesë si autonom vendimin për treg të hapur: U vonua, vendosëm nga 1 qershori… - Gazeta Express
string(114) "kurti-u-qendroi-prapa-zrre-perpiqet-ta-shese-si-autonom-vendimin-per-treg-te-hapur-u-vonua-vendosem-nga-1-qershori"

Lajme

Gazeta Express

20/08/2025 10:14

Kurti u qëndroi prapa, ZRRE përpiqet ta shesë si autonom vendimin për treg të hapur: U vonua, vendosëm nga 1 qershori…

Lajme

Gazeta Express

20/08/2025 10:14

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka dalë me një komunikatë pas kundërshtive ndaj vendimit të saj për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike, duke thënë se ky vendim ishte marrë në vitin 2016 me miratimin e disa ligjeve në Kuvend.

Pavarësisht protestave e paralajmërimeve të bizneseve për pasoja nga ky vendim, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i kishte qëndruar prapa vendimit.

Kur pati protesta kundër liberalizimit të tregut, Kurti në një mbledhje të qeverisë në detyrë në maj, kishte sulmuar bizneset.

“Për të mbrojtur 1% të ndërmarrjeve më të fuqishme, në kurriz të 99 përqindëshit dhe të familjeve anë e mbanë Kosovës, ata duan që të bëjnë barrikada në hyrjet e Prishtinës. Por koha e barrikadave në Kosovë ka kaluar. I kemi hequr ato kudo ku kanë qenë dhe jemi zotuar që nuk do të lejojmë më të reja të vendosen. I bëjmë thirrje të gjitha odave dhe bizneseve të fillojnë të mendojnë mënyrë të mençur për efiçientën dhe optimizimin e shfrytëzimit të energjisë”, kishte thënë ai.

ZRRE tha se nga viti 2017 ka ndërmarrë veprime për krijimin e kushteve për liberalizimin e tregut dhe tha se arsyeja pse po zbatohet më 2025 është për shkak të pandemisë dhe krizës energjetike të viteve të fundit.

“Procesi i liberalizimit të tregut të energjisë elektrike është një detyrim ligjor, i përcaktuar me ligjet e miratuara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës në vitin 2016. Në atë kohë, Kuvendi i Republikës së Kosovës në ligjet e sektorit të energjisë ka transpozuar direktivat Evropiane për energjinë, duke përcaktuar se duhet të bëhet liberalizimi i tregut të energjisë elektrike. Pra, procesi i derregullimit dhe liberalizimit të tregut të energjisë elektrike në ligjet e sektorit të energjisë derivon nga obligimet kontraktuale që ka Republika e Kosovës si palë nënshkruese e Traktatit të Komunitetit të Energjisë. Duhet theksuar se nga viti 2017, ZRRE ka ndërmarrë të gjitha veprime ligjore dhe rregullative për krijimin e kushteve për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike, dhe në funksion të saj në vitin 2017 ka filluar procesin e derregullimit dhe liberalizimit të tregut të energjisë, me daljen në treg të konsumatorëve industrial”.

ZRRE tha se vendimi për dalje në treg të lirë tha se “krijon konkurrencë në një treg që deri më tani ka funksionuar si monopol”.

“Megjithatë, zbatimi i mëtutjeshëm i procesit të liberalizimit të tregut të energjisë për shkak të rrethanave të jashtëzakonshme ka pasur vonesa, si pasojë e pandemisë COVID-19 dhe krizës energjetike ndërkombëtare. Pas kësaj, ZRRE ka vendosur që nga data 1 Qershor 2025 të vazhdojë zbatimin e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike, si detyrim ligjor dhe në të mirë të konsumatorëve fundor. Duhet theksuar se liberalizimi i tregut të energjisë elektrike është i rëndësishëm jo vetëm për përafrimin me Direktivat Evropiane, por edhe sepse krijon konkurrencë në një treg që deri më tani ka funksionuar si monopol”.

ZRRE më pas bëri thirrje që bizneset të bëjnë marrëveshje me kompanitë që ajo ka licencuar.

“ZRRE ka të licencuar 23 kompani për aktivitetin e furnizimit me energji elektrike. Aktualisht, në tregun e hapur të energjisë elektrike janë 23 kompani të licencuara për furnizim me energji elektrik, prej të cilave 7 furnizues janë aktivë, të cilët kanë nënshkruar kontrata me konsumatorët. Sqarojmë opinionin publik se 9,963 pika matëse të  dërmarrjeve ekonomike i plotësojnë kriteret ligjore për të dalë në tregun e hapur të energjisë elektrike, ku prej tyre:  9,212 pika matëse (92%) janë duke u furnizuar me kontrata komerciale; 751 pika matëse (8%) ende janë pa furnizues”.

ZRRE tha se edhe këto pika matëse të cilët kanë mbetur pa furnizues, kanë qenë duke u furnizuar me energji elektrike që nga data 1 Qershor 2025 dhe se nga ajo periudhë kanë pasur mundësi të zgjedhin furnizuesin me energji elektrike dhe të nënshkruajnë kontratë.

“Për të lehtësuar kalimin e konsumatorëve që i plotësojnë kriteret për të dal në treg të hapur, ZRRE sipas dispozitave ligjore të Ligjit për Energji Elektrike, ka përcaktuar Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) si Furnizues i Mundësisë Fundit (FMF), dhe këta konsumator  që deri më 1 Qershor 2025 nuk kishin lidhur ende kontrata komerciale, janë furnizuar përmes FMF për një periudhë gjashtëdhjetë (60) ditore. Gjithashtu, duhet njoftuar se sipas dispozitave ligjore të Ligjit për Energjinë Elektrike, konsumatorët të cilët dështojnë të hyjnë në marrëveshje me një nga furnizuesit e licencuar, operatori i sistemit është i obliguar të ndërpresë furnizimin me energji elektrike për ta”.

“ZRRE do të vazhdojë mbikëqyrjen e procesit dhe inkurajon të gjithë konsumatorët që i plotësojnë kriteret për të dal në treg të hapur, e të cilët ende nuk kanë nënshkruar kontrata komerciale, sa më shpejt të lidhin kontratë me njërin nga furnizuesit e licencuar, për të garantuar furnizim të qëndrueshëm”.

KEDS ka nisur shkyçjen e bizneseve nga 16 gushti që s’kanë pasë marrëveshje me ndonjërin nga furnizuesit e licencuar./Express/