Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka uruar qytetarët me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë, duke theksuar se Kosova po shënon rritje të vazhdueshme në disa fusha kyçe.
Në mesazhin e tij, Kurti u shpreh se vendi po rritet jo vetëm në numrin e viteve të pavarësisë dhe të njohjeve ndërkombëtare. “Por edhe në zhvillimin ekonomik, mirëqenien e qytetarëve dhe fuqizimin e shtetit”, ka shkruar ai.
Ai rikujtoi se para 18 vjetësh lindi Pavarësia e Republikës së Kosovës, e cila sipas tij “lindi e pjekur”, falë kontributit dhe sakrificës së shumë brezave të veprimtarëve dhe të gjithë popullit ndër vite për liri, demokraci dhe sovranitet.
Kryeministri theksoi se kjo ditë është njëkohësisht festë dhe moment nderimi për rezistencën paqësore dhe kryengritjet e armatosura, të cilat kulmuan me luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Gëzuar Pavarësia, 18-vjetori, dhe kremtofshim të gjithë bashkë për jetë e mot!”, thuhet në urimin e tij.
Kurti ka publikuar edhe një video nga pjesëmarrja e tij në ceremoninë e ngritjes së flamurit të Kosovës në oborrin e Qeverisë.