Kurti thotë se dallimet me SHBA'në i ka në "rrafsh patriotik": Për Serbinë dhe strukturat e saj -s'i përmend sulmet ndaj sistemit të drejtësisë - Gazeta Express
string(137) "kurti-thote-se-dallimet-me-shbane-i-ka-ne-rrafsh-patriotik-per-serbine-dhe-strukturat-e-saj-si-permend-sulmet-ndaj-sistemit-te-drejtesise"

Lajme

Gazeta Express

19/09/2025 23:18

Kurti thotë se dallimet me SHBA’në i ka në “rrafsh patriotik”: Për Serbinë dhe strukturat e saj -s’i përmend sulmet ndaj sistemit të drejtësisë

Lajme

Gazeta Express

19/09/2025 23:18

Javën e kaluar, u njoftua se aleati kryesor i vendit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë pezulluar për një kohë të pacaktuar dialogun strategjik të planifikuar me Kosovën. Arsyeja për këtë u tha qartësisht se ishte për shkak të shqetësimeve në lidhje me veprimet e qeverisë në detyrë të Albin Kurtit. Kjo goditje drejtuar pushtetit dhe Kurtit, u cilësua gjerësisht si një nga situatat me të rënda të raporteve mes Kosovës dhe SHBA-së, për të cilën, përsëri u kritikua lideri i Vetëvendosjes, shkruan Gazeta Express.

Përderisa gjatë ditëve pasuese u dhanë analiza e mendime të ndryshme se cilat veprime të Kurtit mund të kenë çuar SHBA-së drejt këtij vendimi, një nga njerëzit e kryeministrit në detyrë, vendimin e Amerikës e lidhi me sulmet e pushtetit drejtuar sistemit të drejtësisë.

Ishte ministri në detyrë për Kthim dhe Komunitete, Nenad Rashiq, ai që e bëri këtë ndërlidhje, dhe madje për të cilën ai tha, se ishte paralajmëruar nga e ngarkuara me Punë në Ambasadën Amerikane, Annu Prattipati. Rashiq deklaroi edhe se vendimi lidhet kryesisht me kritikat ndaj Kushtetueses.

Pavarësisht një vale reagimesh e qëndrimesh që ngritën shqetësime për raportet Kosovë-SHBA, Kurti në anën tjetër, sot gjatë një fjalimi u deklarua me indiferent ndaj situatës duke thënë ndër tjerash se ‘’nuk jemi prishur me Amerikën, por kemi disa dallime’’.

‘‘Sa i përket njoftimit nga ambasada amerikane javën e kaluar, së pari, duam të qartësojmë për qytetarët tanë se bëhet fjalë për pezullimin e planifikimit për Dialog Strategjik, jo të Dialogut Strategjik si proces të nisur e as të komunikimit të rregullt që ne e kemi. Nuk jemi prishur me Amerikën, por kemi disa dallime’’, tha ai.

Lideri i VV-së, në deklarimin e tij, dha vlerësimin se, sipas tij, çështja e vendimit të SHBA-së, po ‘’stërmadhohet’’ nga opozitarët, duke dhënë garancinë se qeveria i trajton me seriozitet deklaratat dhe qëndrimet e SHBA’ve.

Përderisa dha këto komente, Kurti si arsye të vendimit të SHBA-së e dha aspektin diplomatik. Për këtë, Kurti tha se në këtë aspekt, ata me aleatin më të madh të vendit, kanë ‘‘disa dallime dhe ato shumë shpesh kanë të bëjnë me qëndrimet tona në raport me Serbinë dhe veprimet ndaj strukturave ilegale të saj në Kosovë’’.

‘‘Ndonëse opozitarët po e stërmadhojnë në dritë negative çdo ndodhi për raportet e qeverisë sonë me qeverinë amerikane, unë nuk dua t’i minimizoj zhvillimet e fundit. I siguroj qytetarët tanë se qeveria jonë i trajton seriozisht deklaratat dhe qëndrimet e ambasadës amerikane. Përgjatë mandatit tonë jemi angazhuar që raportet dhe partneriteti ynë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës të forcohet në tri shtylla kryesore: diplomaci, mbrojtje dhe zhvillim. Në shtyllën e diplomacisë kemi disa dallime dhe ato shumë shpesh kanë të bëjnë me qëndrimet tona në raport me Serbinë dhe veprimet ndaj strukturave ilegale të saj në Kosovë. Përderisa pajtohemi për vlera, interesa dhe qëllime, nganjëherë jo edhe për çështje operacionale e taktike. Me gjithë këto vështirësi në këtë shtyllë, padyshim që ka ecje substanciale në dy shtyllat tjera, atë të mbrojtjes dhe të zhvillimit. Bashkëpunimi ushtarak po vijon, me ç ‘rast blerja e pajisjeve dhe municioneve me administratën aktuale po shkon edhe më mirë. Kurse në shtyllën e zhvillimit, qeveria jonë hoqi tarifën 10% ndaj produkteve me origjinë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, administrata e re atje vazhdoi programin Kompakt të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) për Republikën e Kosovës’’, deklaroi ai.

 Ndryshe nga Kurti,  ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, përmendi arsye tjera.

Ky i fundit, edhe pse fillimisht vlerësoi se vendimi i SHBA-ve erdhi si pasojë e një ‘‘grumbullim i frustrimeve’’, ajo ‘‘pika që e mbushi kupën’’, ishin pikërisht sulmet që Kurti dhe pjesa tjetër e pushtetit i bën drejtpërdrejt Gjykatën Kushtetuese.

‘‘Nga këndvështrimi i çdo vëzhguesi, kjo dukej e papajtueshme me parimet e një demokracie të mirë, me mbrojtjen e pavarësisë së gjykatave dhe me respektimin e aftësisë së gjykatës për të marrë vendime’’, tha ai mes tjerash.

Edhe pse reagimi i SHBA-ve që erdhi përmes këtij vendimi qe goditja më e rëndë ndaj pushtetit të Kurtit, të tilla pati edhe nga aleatë të tjerë të Kosovës.

Është edhe ambasada gjermane ajo që ka bërë thirrje që sulme të tilla të dalën dhe të mos ndodhin.

“Në iu bëjmë thirrje të gjithë akterëve politikë dhe institucioneve në Kosovë që të respektojnë Gjykatën Kushtetuese dhe të gjithë pavarësinë juridike dhe të përmbahen nga çfarëdo ndërhyrje, përfshirë sulmet personale”, thuhet në reagim.

Nga ambasada gjermane u bë thirrje edhe që të respektohet pavarësia e Gjykatës Kushtetuese. /GazetaExpress