Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar sot ambasadoren e re të Finlandës, Eevamari Laaksonen, të cilës i uroi mirëseardhje dhe suksese në detyrën e re.
Në komunikatë shtohet se Kurti shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Finlandës ndaj Kosovës.
Komunikata:
Kryeministri Kurti mirëpriti ambasadoren e re të Finlandës në Kosovë, Eevamari Laaksonen
Prishtinë, 4 shtator 2025
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti sot në takim ambasadoren e re të Finlandës në Kosovë, Eevamari Laaksonen, të cilës i uroi mirëseardhje dhe suksese në detyrën e re.
Kryeministri shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Finlandës ndaj Kosovës, para, gjatë dhe pas shpalljes së pavarësisë, duke vlerësuar kontributin e saj përmes FINNIDA-s, si dhe mbështetjen në rrugëtimin euro-atlantik të Kosovës.
Ai theksoi progresin demokratik dhe ekonomik të Republikës së Kosovës, si ndër demokracitë më të avancuara në Ballkanin Perëndimor dhe si vend i përafruar plotësisht me politikën e jashtme dhe të sigurisë së Bashktimit Evropian.
Duke e falënderuar për mbështetjen e Finlandës në shtet-ndërtim dhe forcim të institucioneve demokratike, kryeministri shprehu përkushtimin në thellimin e bashkëpunimit në fushën e edukimit, inovacionit dhe teknologjisë, si dhe mbrojtjes dhe sigurisë.