Kryeministri në detyrë, Albin Kurti e ka sulmuar Odën Ekonomike të Kosovës dhe bizneset, duke thënë se “po tentojnë t’i bllokojnë rrugët magjistrale”, duke kërkuar, siç tha, ta bartin koston e energjisë elektrike të 1200 ndërmarrjeve “te faturat e qytetarëve”.
Kurti tha në mbledhjen e sotme të Qeverisë në detyrë se “i mirëkupton brengat e tyre në lidhje me sfidat e kësaj faze të tranzicionit”, por më pas i sulmoi këto biznese që kanë nisur t’i bllokojnë disa rrugë, në shenjë proteste ndaj liberalizimit të tregut të energjisë elektrike, që pritet të hyjë në fuqi më 1 qershor. Oda Ekonomike e Kosovës është ankuar se në treg të lirë përballen me oferta me çmime prej 200% më të larta dhe se kjo do të ketë ndikim të rëndë.
“Po komunikojmë dhe bashkëpunojmë ngushtë me prodhuesit dhe odat për të sjellur komunikim më të mirë mes bizneseve, Rregullatorit e furnizuesve me qëllim të mirëinformimit dhe rritjes së konkurrencës që i shërben bizneseve dhe interesit publik. Ndërkohë, përderisa ne po flasim këtu, Oda Ekonomike e Kosovës, që do të duhej të qëndronte pranë bizneseve për t’u përballur me realitetin e ri, sot po tenton të bllokojë rrugët magjistrale, me një kërkesë të vetme: shtyrjen e zbatimit të liberalizimit të tregut. Shtyrjen e vendimit po e kërkojnë me justifikimin se për një vit do të përgatiten, duke injoruar faktin që nga ana e tyre nuk kanë bërë asnjë përgatitje për tetë vitet e shkuara, përderisa është shtyrë nga viti në vit ky proces”, tha Kurti.
“Të dashur qytetarë, të dashur përfaqësues të bizneseve, ajo çfarë Oda Ekonomike e Kosovës nuk po ju tregon, është se plotësimi i kërkesës së tyre nuk e zgjidhë problemin, por veçse e bartë koston e energjisë së këtyre 1200 ndërmarrjeve te faturat e secilit prej jush. Secilës familje dhe mbi 100 mijë biznese të tjera më të vogla që janë më pak të fuqishme e të zëshme sikurse disa”, shtoi ai.
Kryeministri në detyrë paralajmëroi se nuk do të lejojnë bllokimin e rrugëve.
“Për të mbrojtur 1% të ndërmarrjeve më të fuqishme, në kurriz të 99 përqindëshit dhe të familjeve anë e mbanë Kosovës, ata duan që të bëjnë barrikada në hyrjet e Prishtinës. Por koha e barrikadave në Kosovë ka kaluar. I kemi hequr ato kudo ku kanë qenë dhe jemi zotuar që nuk do të lejojmë më të reja të vendosen. I bëjmë thirrje të gjitha odave dhe bizneseve të fillojnë të mendojnë mënyrë të mençur për efiçientën dhe optimizimin e shfrytëzimit të energjisë”, tha ai.
Kurti e mbrojti vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji për bizneset dhe tha se “ky proces nuk është i befasishëm”.
“Ligji për energji elektrike është miratuar që në vitin 2016. Faza e parë e liberalizimit ka filluar në vitin 2017 me daljen e tri ndërmarrjeve të mëdha në treg, ndërsa faza e dytë është shtyrë disa herë në tetë vitet e fundit. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut e kanë zbatuar këtë reformë vitin e parë, e duke përfshirë një pjesë shumë më të madhe të bizneseve, ndërsa bizneset tona kanë përfituar ndërkohë nga tarfiat e rregulluara dhe subvencionet direkte të faturave të bizneseve në vlerë prej 26 milionë euro. Kësi soj, edhe pse sfida ekziston, bizneset tona kanë krijuar avantazh konkurrues, e kanë pasur më shumë kohë se të tjerët për t’u përgatitur për ndikimin e daljes në treg”, tha ai.
Kurti tha se si qeveri i kanë përkrahur “të gjitha bizneset gjatë pandemisë dhe krizës energjetike”.
“Veçanërisht kemi qenë dhe do të jemi gjithmonë pranë prodhuesve vendorë. Me 100 milionë euro kredi të subvencionuara, miliona euro për certifikime, digjitalizim dhe promovim të eksporteve, kemi ndihmuar me përkushtim që prodhuesit tanë të rriten, të modernizohen dhe të konkurrojnë fuqishëm. Sot po zhvillojmë edhe instrumente të reja për t’i përkrahur ata në këtë fazë të tranzicionit, siç janë skema për efiçiencë energjetike e sisteme solare, subvencione për makineri efiçiente, mbështetje për auditime energjetike, etj”, tha ai.
Pas sulmeve që ua bëri bizneseve të pakënaqura që po protestojnë, Kurti u tha atyre se do t’i ndihmojmë “bizneset që modernizohen dhe investojnë në efiçiencë të energjisë, në të mirë të tyre, të shtetit e të qytetarëve”.
“Qeverinë e Republikës së Kosovës, mua si kryeministër, na kanë partnerë. Ne jemi të gatshëm dhe shumë të interesuar për dialog për zgjidhje”, tha ai.
Kurti tha se me prodhuesit e Kosovës, Qeveria në detyrë do të jetë “bashkë në çdo hap e në çdo betejë në këtë proces”, në mënyra, që, siç tha, “janë të shëndetshme për ju e në përputhje me interesin publik”.