Kurti s’sheh mundësi për koalicion, por Presidentja u bind për mandatimin e Konjufcës, dha edhe “recetën” si mund të votohet ai - Gazeta Express
string(122) "kurti-ssheh-mundesi-per-koalicion-por-presidentja-u-bind-per-mandatimin-e-konjufces-dha-edhe-receten-si-mund-te-votohet-ai"

Lajme

Gazeta Express

05/11/2025 14:23

Kurti s’sheh mundësi për koalicion, por Presidentja u bind për mandatimin e Konjufcës, dha edhe “recetën” si mund të votohet ai

Lajme

Gazeta Express

05/11/2025 14:23

“Përpjekja” e Albin Kurtit për formimin e qeverisë së re po vazhdon. Këtë herë përmes mandatimit të Glauk Konjufcës, për çfarë e bindi presidenten se mund të krijohet shumica e re në këtë 15 ditësh shtesë. Vjosa Osmanit iu mbush mendja menjëherë se “paska gjasa”, ani pse kryetari i LVV-së nuk sheh as më të voglën mundësi për një koalicion dhe se partitë e tjera shqiptare i shohin zgjedhjet e reja si të vetmen rrugë përpara.

Gazeta Express

Ishte hera e parë në historinë parlamentare të Kosovës që një përbërje qeveritare nuk arriti të zgjidhej pas propozimit në Kuvend nga i mandatuari për kryeministër, kur Albin Kurti dështoi ta krijonte një shumicë parlamentare më 26 tetor.

Rreth dhjetë ditë pas këtij dështimi për të cilin ua hodhi faji partive tjera shqiptare që s’bashkëpunuan me të, kreut të Lëvizjes Vetëvendosje i erdhi në mendje një ide. E thirri një mbledhje të partisë të martën dhe i udhëzoi bashkëpartiakët që të votonin që emri i nënkryetarit Glauk Konjufca t’i dërgohej presidentes Vjosa Osmani për ta mandatuar për formimin e qeverisë së re.

Ashtu u bë. Pas një takimi paraprak me Osmanin, Kurti e mori formalisht miratimin e partisë dhe emri i Konjufcës shkoi te presidentja, të cilës kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku i kishin treguar se s’i kanë votat për qeveri – as ata, as LVV-ja.

Presidentja doli në mbrëmje për ta miratuar publikisht kërkesën e partisë së parë. E mandatoi Konjufcën për ta krijuar qeverinë e re në një afat prej 15 ditësh, siç e përcakton Kushtetuta kur dikush e merr këtë detyrë.

Osmani u thirr në disa aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese që sipas saj, ia kishin bërë të domosdoshme që ajo ta mandatojë Konjufcën, pa ndonjë garanci se ai do ta bëjë qeverinë. I mjaftoi biseda dhe tha se u bind se “ka gjasa”.

“Është interes i qytetarëve që të kemi institucione dhe të bëhen çdo përpjekje të mundshme që të krijohen, që së paku të miratojnë vendime të rëndësishme në të mirë të qytetarëve”, tha ajo, duke përmendur çështjen e buxhetit dhe të tjera.

Tha se në LVV kishin “besim të plotë se mund t’i arrijnë votat e nevojshme”.

“Mua më kanë bindur që kanë gjasa”, tha Osmani, pa treguar se si konkretisht. Përmendi raste, përfshirë një të vetin, kur deputetë votojnë ndryshe nga partia.

Vendimin e saj për ta mandatuar Konjufcën, Osmani e mbështeti me disa fjalë pak a shumë të njëjta – madje disa identike – të cilat paraprakisht i shkroi Hekuran Murati i LVV-së në një postim në Facebook.

PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja e Nisma ia bënë paraprakisht të ditur Osmanit se s’do ta votonin as Konjufcën.

PDK-ja tha në një reagim se mandatimi i Konjufcës përbën “humbje kohe, zvarritje dhe thellim të mungesës së besimit në institucione”.

“Ashtu siç dështoi Albin Kurti për të siguruar shumicën, do të dështojë çdo përpjekje tjetër për ta zgjatur artificialisht këtë proces nga Lëvizja Vetëvendosje. Realiteti politik është i qartë: askush nuk e ka shumicën për të formuar qeverinë nga kjo legjislaturë”, u tha në komunikatën e kësaj partie, e cila sheh se “aktualisht, zgjidhja e vetme e drejtë dhe demokratike janë zgjedhjet e reja të parakohshme”.

LDK-ja tha se “shtyrjet procedurale dhe interpretimet e stisura vetëm sa thellojnë pasigurinë politike dhe dëmtojnë besimin e qytetarëve në institucionet e Republikës”.

“LDK-ja apelon për veprim të shpejtë, të përgjegjshëm dhe në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe afatet ligjore. Dalja nga bllokada institucionale nuk mund të kërkohet përmes veprimeve jo-kushtetuese e marrëveshjeve të paqarta, por përmes kthimit te sovrani, te qytetari. Zgjedhjet e reja tashmë janë domosdoshmëri”, u tha në komunikatën e kësaj partie.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se presidentja nuk kishte mandat ta mandatonte askënd “pa dëshminë se kandidati i nominuar e ka shumicën e nevojshme”.

“Shumica e nevojshme dëshmohet vetëm me nënshkrime të deponuara të deputetëve. Në çdo situatë tjetër presidentja bën shkelje të rëndë kushtetuese. Kandidatura e dytë nga VV për qeveri është veç përpjekje për të vazhduar kapjen e institucioneve të shtetit, në kundërshtim me krejt normat kushtetuese e politike. Kjo farsë duhet të marrë fund menjëherë dhe vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme”.

Gjatë mbledhjes së partisë, Kurti e propozoi këtë ndërrim vendesh: “Unë marr vendin e Glaukut, e ai timin, siç jemi dakorduar bashkë mbrëmë”. I referohej postit të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm dhe Diasporës, ku Konjufca ishte caktuar në ekzekutivin e propozuar nga ai më 26 tetor – që dështoi ta merrte shumicën e nevojshme të votave në Kuvend.

Konjufca tha se do të kërkojnë një qeveri afatshkurtër për shmangien e mbajtjes së dy palë zgjedhjeve dhe për ta votuar buxhetin. Këtë ekzekutiv, tha se synojnë ta bëjnë pa koalicioni, por me “reflektim” të partive ish-opozitare.

“Glauk Konjufca i ka që të gjitha votat që i kam pasur unë. Ju e dini që më datën 26 tetor në Kuvend unë i mora 56 vota nga 61 sa është minimumi i nevojshëm. Ato i ka sigurt edhe Glauku, ndoshta merr edhe ndonjë më shumë. Më pak nuk mund të marrë. Prandaj është e pafalshme nëse nuk tentohet”, tha Kurti në një konferencë për media pasdite.

Megjithatë deklaroi se nuk sheh “as mundësi teorike” për koalicion.

“Le të përpiqemi ta formojmë një qeveri e të ecim përpara. Sa i përket koalicioneve qeverisëse me këto partitë, unë nuk shoh kurrfarë mundësie, as teorike më, për shkak të mosbashkëpunimit të tyre. Kemi shkruar letra, na janë përgjigjur publikisht, na kanë thënë që as nuk takohen. Dhe në këtë atmosferë kaq të intoksikuar, unë nuk po shoh se si mund të ketë bashkëpunim midis partive”.

Por Osmani e sheh si mundësi një skenar tjetër, dhe nuk hezitoi ta oforjë “recetën” e saj.

“Në historinë e Kuvendit të Kosovës keni plotë raste kur deputetët kanë votuar ndryshe nga deklarimet e partisë, unë kam qenë një prej tyre. Në vitin 2014, partia ime, ish-kryetari i ish-partisë sime, ishte propozuar për kryeministër, unë kam votuar kundër. Në fund unë dhe 5 deputetë të tjerë të LDK patën votuar kundër. Donika Kadaj në vitin 2021ka votuar kundër krijimit të qeverisë Hoti, ku ka qenë edhe partia e saj”, tha ajo.

“Teuta Rugova pat votuar për një qeveri që nuk ka qenë pjesë e partisë, sepse ne patëm mbet në opozitë. AKR totatlisht pat dalë nga ana tjetër. Kemi dy deputete një nga PDK një nga AAK që më kanë votuar për presidente dhe i falënderoj shumë. Mua më duhet ta respektojë atë që më thotë Kushtetuta, po citoj deputetët kanë vullnet të lirë dhe jo detyrues”, shtoi presidentja.

Pasi dështoi ta krijonte një shumicë të re parlamentare që do ta zgjidhte qeverinë e re më 26 tetor, Albin Kurti të nesërmen kishte folur me keqardhje për mossuksesin e tentimeve të tij, të cilat thoshte se ishin të “disahershme” dhe “shteruese”. Me Nismën tha se ishin “në kontakt të vazhdueshëm”. Por sipas Fatmir Limajt, në dy muaj, ata u takuan vetëm një herë, për dhjetë minuta, edhe atë të dielën, pas kohës kur duhej të niste seanca e jashtëzakonshme për votimin e qeverisë së re. Ndërkaq ka qenë fundi i prillit kur Kurti ia ka dërguar ftesën e dytë dhe të fundit LDK-së për koalicion.