Zyra e Kryeministrit në largim ka dërguar një reagim për media rreth tensioneve Izrael – Iran. Në deklaratë thuhet se Republika e Kosovës po i përcjell me shqetësim zhvillimet atje.
Në një deklaratë nga ZKM, autoritetet kosovare u kërkojnë të gjitha palëve të përfshira të tregojnë maturi dhe përgjegjësi, për të parandaluar pasoja të rënda rajonale dhe globale.
Kosova ka ngritur shqetësimin e saj edhe për raportimet se Irani ka intensifikuar pasurimin e uraniumit në kundërshtim me detyrimet ndërkombëtare.
“Irani ka përshpejtuar pasurimin e uraniumit saqë edhe Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike deklaroi të enjten se Irani nuk po përmbushte detyrimet e tij për mospërhapjen bërthamore. Prandaj, Irani duhet të ndalojë veprimet hibride që cenojnë stabilitetin rajonal dhe më gjerë dhe t’i përmbahet detyrimeve të IAEA” thuhet në deklaratë.
Kosova nënvizon se diplomacia mbetet mjeti i vetëm efektiv për adresimin e sfidave të sigurisë dhe ndaljen e dhunës. Sipas deklaratës, është thelbësore që jeta e civilëve të mbrohet në çdo rrethanë.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës, veçanërisht atyre që ndodhen në rajon ose kanë kontakte atje, që të jenë të kujdesshëm dhe të ndjekin me përpikëri udhëzimet e institucioneve kompetente, si dhe të autoriteteve vendore.
“Përshkallëzimi i mëtejmë i dhunës mund të çojë jo vetëm në tragjedi njerëzore për popujt e përfshirë, por edhe në destabilizim të sigurisë dhe ekonomisë globale. Në një botë që ka nevojë për më shumë paqe dhe stabilitet, kjo është rruga që duhet ndjekur,” përfundon reagimi.
Kosova rithekson përkushtimin e saj ndaj vlerave të paqes, demokracisë dhe sigurisë ndërkombëtare, duke shprehur solidaritet me të gjithë qytetarët e prekur nga tensionet aktuale.