Kurti: Pres që Borell të shkëputet nga Mogherini, s'ka dialog me harta - Gazeta Express
string(67) "kurti-pres-qe-borell-te-shkeputet-nga-mogherini-ska-dialog-me-harta"

Kurti: Pres që Borell të shkëputet nga Mogherini, s’ka dialog me harta

Gazeta Express

29/11/2019 15:19

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili pritet të jetë edhe kryenegociator në dialogun me Serbinë, në rast se emërohet kryeministër i ri i Republikës së Kosovës pas një koalicioni me LDK-në, në një intervistë për “New Perspektiva” ka treguar tri parimet e tij kryesore se si duhet përmbyllur problematika me Serbinë.

Kurti ka thënë se nuk do të ketë marrëveshje me Serbinë pa bërë dialog, ndërkohë gjithashtu ka potencuar se në dialog nuk do të ketë pazare me harta, raporton Gazeta Express.

Lexo Edhe:

“Nuk ka marrëveshje pa dialog. Sepse këtë u përpoqën të bënin, bisedime sekrete për një marrëveshje, për një zgjidhje të shpejtë. Dhe u përqendruan shumë në festën pas marrëveshjes e jo në dialogun para marrëveshjes. Parimi i dytë: nuk ka dialog me harta. Mund të diskutojmë cilat duhet të jenë të drejtat e njerëzve, çfarë marrëdhënie do t’i kemi me njëri-tjetrin si dy vende, çfarë mund të bëjmë që të punojmë së bashku dhe të bashkëpunojmë, bilateralisht dhe multilateralisht; cilat janë nevojat e komuniteteve në të dyja anët e kufirit, por nuk mund ta bëjmë këtë me harta, thuajse jemi ca gjeneral ushtrisë të Luftës së Parë Botërore me lapsa jo aq të mprehtë mbi harta duke bërë përpjekje të rivizatojmë dhe luajmë me zjarrin e gjeopolitikës. Jo, jo dialog me harta! Dhe parimi numër tre – paj, meqë hartat do të ekzistojnë, këtë e dimë – nuk ka harta me presidentë rreth tyre. Vetëm ekspertë të demarkacionit. Jo presidentë rreth hartave. Pra, aty ku ka harta, nuk dua t’i shohë presidentët afër. Ky është parimi numër tre”, ka thënë Kurti.

Gjithashtu, kreu i VV-së ka thënë se pret që shefi i ri i politikës së Jashtme të BE-së, spanjolli Josep Borell, të shkëputet nga puna që ka bërë Federica Mogherini sa ka qenë ndërmjetësuese, punë kjo për të cilën Kurti thotë se ka lënë plagë të hapura të cilat duhet mbyllur.

“Paj, dua të shoh nëse z. Borrell do të bëjë një shkëputje nga zonja Mogherini. Është me rëndësi ta dimë këtë. Ekziston një plagë e hapur nga dy vitet e fundit të bisedimeve sekrete midis dy liderëve sa i përket këmbimit të territoreve. Presidenti ynë siç duket pati dy vjet për ta bindur popullin e Kosovës që të angazhohet në këtë aventurë. Ai dështoi ta bënte këtë, dhe në vend të kësaj ai nxiti protestën më të madhe kundër vetvetes që është mbajtur ndonjëherë në Kosovën e pasluftës, d.m.th. protestën më 29 shtator 2018, kur dhjetëra mija vetë dolën në rrugët e Prishtinës me moton “Populli nuk i nënshtrohet një njeriu”, një qeneje njerëzore. Pra, ne duhet ta mbyllim këtë plagë. Projekti i tyre për këmbimin e territoreve dështoi. Ideja ende nuk ka vdekur”, ka thënë Kurti.

Kurti ndër të tjera ka thënë se mezi pret që të takohet me Josep Borell dhe shton se për t’u përgatitur për rinisjen e dialogut duhet mbyllur plaga e hapur përgjatë kohës sa Mogherini ka ndërmjetësuar dialogun, në të cilin Thaçi e Vuçiq tentonin korrigjim kufijsh e shkëmbim territoresh. /GazetaExpress/