Kurti përsëri në siklet me Veriun – shtetet e fuqishme i kërkojnë t'i shtyjë zgjedhjet - Gazeta Express
string(83) "kurti-perseri-ne-siklet-me-veriun-shtetet-e-fuqishme-i-kerkojne-ti-shtyje-zgjedhjet"

Kurti përsëri në siklet me Veriun – shtetet e fuqishme i kërkojnë t’i shtyjë zgjedhjet

Lajme

Gazeta Express

09/12/2022 12:28

Zyrtarët e Qeverisë kanë shkuar larg me cilësimin e zhvillimeve në Veri,  i kanë quajtuar akte terroriste në të cilat janë përfshirë edhe ish – policë të Kosovës që kanë lënë detyrat. Por, karshi këtyre zhvillimeve shtete të fuqishme si SHBA dhe Gjermania po kërkojnë të shtyhen zgjedhjet pasi nuk ka kushte për t’u mbajtur.  Kurti personalisht nuk ka folur, Konjufca tha se nuk beson që do të ketë shtyrje ndërsa Sveçla është i bindur se policia mund të sigurojë kushte për procesin elektoral. Megjithatë, mbrëmë, një polic mbeti i lënduar nga një sulm i armatosur që u krye atje.

Gazeta Express

Lexo Edhe:

Tetëmbëdhjetë dhjetori është data që Presidentja Vjosa Osmani e ka shpallur për t’u mbajtur zgjedhjet në katër komunat e veriut të Kosovës, pas dorëheqjes së kryetarëve të tyre, që vinin nga Lista Serbe.

Ditëve të fundit kanë nisur incidentet në veri të vendit. Më 6 dhjetor, zyrat e komisioneve komunale zgjedhore, u sulmuan me mjete të rrezikshme, përfshirë granata dore, teksa policia po shoqëronte zyrtarët zgjedhorë në këto zyra në Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok. Incidentet kanë vazhduar edhe tri ditët e tjera.

Pas tensionimit të situatës në veri, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar që të shtyhet mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale në katër komunat e veriut. 

Derek Chollet, këshilltar special i Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se enjten se zgjedhjet nuk duhet të mbahen tani dhe se është “kohë e tensionuar”.

“Nuk është koha e duhur për zgjedhje duke pasur parasysh ndjeshmërinë e momentit dhe kemi parë dhunë në 24 orët e fundit. Është kohë e tensionuar dhe duam të sigurohemi se ka kushte për të mbajtur zgjedhje të lira dhe të drejta. Kosova është demokraci shumetnike, sikurse Shtetet e Bashkuara. Ne jemi krenar me punën që Shtetet e Bashkuara kanë bërë në këto 20 e ca vjet për ngritjen e demokracisë në Kosovë dhe duam të punojmë për ta mbështetur dhe ruajtur atë. Së këndejmi mendojmë se këto zgjedhje duhet të shtyhen derisa koha të jetë e duhur dhe kur mund të mbahen pa nxitur më shumë joqëndrueshmëri dhe dhunë”, ka thënë Chollet në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Edhe diplomatët në Kosovë kanë thënë fjalën e tyre për mosmbajtjen e zgjedhjeve, pas tensionimit të situatës në pjesën veriore të Kosovës.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, tha se situata aktuale në veri të Kosovës “nuk është e favorshme” për mbajtjen e zgjedhjeve lokale. Ai theksoi se pajtohet me ambasadorin amerikan, Jeffrey Hovenier, i cili, ditë më parë, tha se “nuk ka kushte” për mbajtjen e zgjedhjeve.

“Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara se nuk janë kushtet në këtë kohë, për të mbajtur zgjedhje në fund të këtij muaji në veri të Kosovës. Siguria e të gjithë qytetarëve kosovarë duhet të jetë prioriteti kryesor. Kërkojmë vetëpërmbajtje nga të gjithë ata që janë të përfshirë”, kishte shkruar Hovenier.

Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës të mërkurën ka shkruar se institucionet e vendit kanë treguar gatishmëri për të ofruar kushtet e nevojshme për t’u mbajtur zgjedhjet.

“Pengimi apo pamundësimi i tyre është sulm ndaj demokracisë. Pas dorëheqjeve të kryetarëve të katër komunave në veri të vendit, mbajtja e tyre tashmë është obligim kushtetues i institucioneve të Republikës”, ka shkruar Kryeziu në profilin e tij në Facebook.

Tutje, zëdhënësi i Qeverisë thotë se do të vlerësohet situata në veri nga organet e sigurisë “për hapat e mëtejmë”.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjfuca, të enjten ka thënë se “beson” që zgjedhjet në veri, megjithatë, do të mbahen.

“Nuk besoj që do të shtyhen. Kjo varet natyrisht prej vlerësimit të institucioneve tona të sigurisë. Dhe në fund Qeveria është ajo që e merr vendimin”, ka thënë Konjufca për RTK-në pas hapjes së Kongresit Botëror për Persona me Aftësi të Kufizuara në Prishtinë.

Në mbrëmje, në një intervistë televizive, Konjufca ka thënë se Presidentes do t’i raportojë Komisionit Qendror Zgjedhor rreth situatës, e pastaj ajo do t’i mbledhë partitë në takim. 

“Është KQZ-ja ajo e cila tregon se si është gjendja në terren, ajo i raporton Presidentes, e më pas presidentja i thërret partitë politike në takim dhe aty si Vetëvendosje tregojmë qëndrimin tonë. Aty zgjedhjet mund të mbahen, me Njësi Speciale të Policisë mund të mbahen dhe asgjë nuk ndodh, askush nuk mund të bëjë asgjë”, tha Konjufca.

Derisa nga Veriu raportohet për incidente të kohëpaskohëshme ditëve të fundit, Policia e Kosovës ka njoftuar të enjten për rritjen e prezencës policore në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Svecla, ka thënë se në veri të vendit është rritur prezenca e Policisë së rendit.

“Ditëve të fundit, pas sulmeve të njëpasnjëshme të armatosura ndaj zyrtarëve policorë dhe qytetarëve në veri të vendit, rritja e prezencës policore me qëllim të ofrimit të sigurisë për të gjithë qytetarët është vlerësuar e domosdoshme”, ka shkruar Sveçla.

Policia e Kosovës njoftoi se një pjesëtar i saj është lënduar lehtë gjatë një sulmi të armatosur në veriun e Kosovës, rreth orës 23:00, në fshatin Serbovc të komunës së Zveçanit.

Sipas policisë, njësitë që ishin në detyrë “janë sulmuar nga persona të armatosur me armë të gjata, nga një automjet i tipit Audi, ngjyrë hiri, me targa KM. Si pasojë e incidentit, një pjesëtar i Policisë së Kosovës është lënduar lehtë dhe janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në veturën e policisë”.

Gjatë natës dhe mëngjesin e 9 dhjetorit janë publikuar pamje të personave të maskuar nëpër rrugët e komunave veriore. /Express/