Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka folur për herë të parë për vendimin e SHBA-së për pezullimin e Dialogut të planifikuar Strategjik në mbledhjen e qeverisë sot para ministrave të tij.
Kurti akuzoi “opozitarët” se po e stërmadhojnë këtë zhvillim negativisht, ndërsa tha se është pezulluar planifikimi për dialogun.
“Duam të qartësojmë për qytetarët tonë se bëhet fjalë për pezullimin e planifikimit për Dialog Strategjik, e jo të Dialogut Strategjik si proces të nisur e as të komunikimit të rregullt që ne e kemi. Nuk jemi prishur me Amerikën, por kemi disa dallime”.
“Ndonëse opozitarët po e stërmadhojnë në dritë negative çdo ndodhi për raportet e qeverisë sonë me qeverinë amerikane, unë nuk dua t’i minimizoj vendimet e fundit. I siguroj qytetarët qe qeveria jonë i trajton seriozisht deklaratat dhe qëndrimet e ambasadës amerikane”.
Kurti pretendoi se marrëdhëniet e qeverisë së tij me qeverinë amerikane janë të mira, por se dallimi konsiston te disa “çështje operacionale dhe taktike”.
“Përgjatë mandatit tonë jemi angazhuar që raportet dhe partneriteti ynë me SHBA-në të forcohet në tri shtylla kryesore: diplomaci, mbrojtje dhe zhvillim. Në diplomaci kemi disa dallime dhe ato shumë shpesh kanë të bëjnë me qëndrimet tona në raport me Serbinë dhe veprimet ndaj strukturave ilegale të saj në Kosovë. Përderisa pajtohemi për vlera, interesa dhe qëndrime, nganjëherë jo për çështje operacionale dhe taktike”.
Ai tha se ka “ecje substanciale në dy shtyllat tjera”./Express/