Kryeministri Albin Kurti tha se zgjedhja e Presidentit është “urgjente”, por theksoi afatin kohor që e dha Gjykata Kushtetuese për këtë.
Ai tha në një konferencë për media pas mbledhjes së sotme të Qeverisë se “nuk janë 3 ditë, janë 30” ditë afat.
“Në bazë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, nëse nuk jam gabim, kemi kohë deri më 28 prill, që do të thotë se i kemi 30 ditë. Pra nuk janë 3 ditë, janë 30. Por do të përpiqemi që sa më parë të bëjmë sa më shumë”, tha ai.
Kurti tha se ai duhet t’i kryejë “konsultimet e brendshme” në parti, përpara se t’u dërgojë ftesa për takim kryetarëve të partive opozitare.
“Por mua më nevojiten konsultimet e brendshme dhe natyrisht ajo që dihet është që pas këtyre konsultimeve të brendshme që do t’i zhvillojë, menjëherë do të dërgojë ftesa për takim me kryetarët e partive opozitare”, tha ai.
Kurti tha se “sa është e rëndësishme ta trajtojmë me urgjencë, është e rëndësishme edhe të kemi sukses”.
“Në fund të fundit nuk do të matemi me përpjekjet që bëjmë, por me suksesin që e arrisim”, tha ai.