Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se po vazhdojnë përpjekjet për të përmbyllur me sukses procesin e zgjedhjes së Presidentit të vendit, duke thënë se synimi është gjetja e një kandidati apo kandidateje që siguron 80 vota në Kuvend.
Deklaratën, Kurti e bëri shkurt para mediave, pak para se të hynte në takimin me kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
“Po i vazhdojmë përpjekje për të përmbyllur me sukses edhe sfidën e zgjedhjes së presidentit. Na duhet kandidati apo kandidatja që siguron 80 vota në sallë. Pas takimit me kryetarin e PDK-së Bedri Hamzën, po takohemi edhe me kryetarin e LDK-së. Gjithçka brenda fare pak ditësh do të merret vesh”, tha Kurti.
Ky është takimi i dytë mes Kurtit dhe Abdixhikut për të njëjtën çështje, atë të diskutimeve për zgjedhjen e Presidentit. Më herët, Kurti ka zhvilluar takim edhe me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, në kuadër të konsultimeve me partitë parlamentare.
Pas takimit u bë e ditur se nuk pati marrëveshje.
Hamza tha se PDK-ja ofroi një mundësi të fundit “për t’i shmangur zgjedhjet e re”. Tha se kërkoi që president i vendit të zgjidhet dikush i propozuar nga kjo parti.
Kurti, ndërkaq, tha pas takimit se “kur s’ka mundësi për propozim konsensual, atëherë do të kemi propozime partiake” për president.