Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryetari i PDK’së, Memli Krasniqi bashkë me shefat e grupeve parlamentare të dy partive që udhëheqin, sonte zhvilluan një darkë pune. Fokusi i kësaj darke, sipas Krasniqit ishte tema e zgjedhjeve, ndërsa sipas Kurtit agjenda legjislative. Krasniqi tha se po punohet për një mocion të përbashkët për shpërbërjen e Kuvendit, ndërsa Kurti tha se nevojiten votat e opozitës për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe disa projektligjeve. A do të funksionojë darka e Kurtit e Krasniqit, në të cilën nuk morën pjesë Abdixhiku e Haradinaj?
Gazeta Express
Kryeministri Kurti i ftoi në një darkë pune të gjithë krerët e partive opozitare në vend për të diskutuar për përmbushjen e agjendës legjislative të Kuvendit. “Po” ftesës së Kurtit i tha vetëm kryetari i PDK’së, Memli Krasniqi, i cili tha se do të flasë për datën e zgjedhjeve të parakohshme. Lumir Abdixhiku i LDK’së dhe Ramush Haradinaj i AAK’së e refuzuan ftesën e Kurtit.
Pas darkës që u zgjati më shumë se dy orë në një hotel në Prishtinë, fillimisht Krasniqi e më pas edhe Kurti folën para gazetarëve.
Duke vlerësuar se vendi është në agoni e duke përmendur edhe mundësinë e dështimit të anëtarësimit të Kosovës në KiE, Krasniqi tha se zgjedhjet e parakohshme janë zgjidhje.
Krasniqi shtoi se PDK është e gatshme të gjejnë dakordim për një datë të re të zgjedhjeve, për të shpërndarë kuvendin përmes një mocioni të përbashkët.
Ai tha se ka punuar në këtë drejtim.
“Nuk jemi në një gjendje të mirë, Kosova është në agoni, kemi një ekonomi te stagnuar, kemi rritje enorme të çmimeve me paga dhe pensione të vogla që nuk i mjaftojnë familjeve kosovare me lidhë muajin me muaj. Kemi shëndetësi që në të vërtetë është në gjendje jashtëzakonisht të rëndë e arsim të degraduar, politikë të jashtme thuajse inekzistente, për më shumë një parlament jofunksional, të cilin e dini nga java në javë, nga muaji në muaj, barten pikat pa pasë mundësi me i realizu dhe me i kalu ato, edhe ligjet që kërkojnë shumicë të thjeshtë e lëre më marrëveshjet ndërkombëtare. Tani kemi edhe një situatë të vështirë e të rënduar sa i përket anëtarësimit në KiE, që nuk ka asnjë siguri që kjo do të ndodhë, përkundrazi duket se do të ketë një dështim, të cilin jo që s’e dëshirojmë por secili prej nesh jemi munduar që të ketë sukses, PDK në veçanti me të gjitha kontaktet dhe mundësitë që i ka pasë. Andaj ia shpreha edhe Kurtit që konsideroj që duhet ta përshpejtojmë punën për t’i dhënë zgjidhje këtyre temave. PDK tashmë e ka nominuar kandidatin për kryeministër të Kosovës, Bedri Hamza, që besojmë që është kandidati i duhur për t’i dhënë zgjidhje dhe përgjigje këtyre problemeve. Por, për të arritur deri këtu një gjë është e domosdoshme, e ato janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare sepse situatat e jashtëzakonshme kërkojnë zgjedhje të jashtëzakonshme. Kryeministrit Kurti ia shpreha këtë qëndrim pa ekuivokë ashtu siç kemi shprehur publikisht tash e sa kohë. Jemi të gatshëm të gjejmë një darkordim për një datë të re të zgjedhjeve për të shpërndarë kuvendin përmes një mocioni të përbashkët. Unë kam punuar për këtë çështje, pa dashur të marrë flamurin e protagonistit.”
Ai tha se data e 9 qershorit, që e kishin propozuar më herët, tashmë është jashtë kornizës kohore kushtetuese, por shtoi në disa javët e ardhshme ka ende data që janë brenda kornizës kohore.
“Do të ketë seancë të enjten siç ka pasë seanca edhe më herët, unë shpresoj që pas kësaj do të ketë seancë për me u bashku në mocion të shpërndarjes së kuvendit. A do të dndohë, do ta shohim në ditët në vijim. Unë preferoj që ta bëjmë bashkë si kuvend, mos të ndodhë që të lihet dikush i lënë anash ose i dyti. Po e bëjmë bashkë. Është e domosdoshme që të ndodhë brenda muajit maj, sepse jashtë muajit maj nuk ka më kuptim”, tha ai.
Krasniqi tutje theksoi se për arritjen e zgjedhjeve të reja është i gatshëm të diskutojë me secilin. “Për këtë arsye kam ardhur edhe sot”, tha ai.
Ndërkaq kryeministri Kurti tha se me theks të veçantë kanë diskutuar për agjendën legjislative. Ai përmendi marrëveshjet ndërkombëtare dhe disa projektligje, për votimin e të cilave i nevojiten edhe votat e opozitës.
“Me theks të veçantë [diskutuam] agjendën legjislative. Ne i kemi 13 marrëveshje ndërkombëtare që janë në pritje për t’u votuar, dihet që nuk mjafton shumica e thjeshtë, nevojiten 2/3 e deputetëve… Dhe i kemi pesë projektligje, qofshin ato në lexim të parë apo të dytë, për të cilat neve na nevojitet mbështetja e opozitës, apo më mirë të them bashkëpunimi me ta, sepse konsiderojmë që është çështje e interesit të përgjithshëm”, tha Kurti.
Se kanë diskutuar për zgjedhjet e parakohshme e konfirmoi edhe kryeministri Kurti. Ai tha se zgjedhjet e ardhshme janë çështje muajsh dhe shprehi gatishmërinë që të diskutojë edhe me partitë tjera opozitare.
Kurti përmendi dy afate- pranverën dhe vjeshtën.
“Diskutuam edhe për situatën në përgjithësi dhe sa i përket ecjes së Kosovës në integrimet ndërkombëtare dhe sa i përket mundësisë për zgjedhje të reja në të ardhmen e afërt kur dihet që unë tashmë kam hyrë në vitin e fundit të mandatit tim qeverisës….Ata e kanë përcaktuar kandidatin e tyre për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme, zgjedhjet e radhës janë çështje të muajve dhe jam i interesuar ta diskutojë me PDK-në, LDK-në, AAK-në se cila është stina më e përshtatshme për zgjedhjet e radhës. E dim që në përgjithësi është pranvera ose vjeshta”, tha Kurti para mediave.
Ai nuk përjashtoi stinën e dimrit ose të verës, por më mirë sipas tij është në pranverë ose vjeshtë.
Lidhur me këtë çështje, pak më parë, është deklaruar kryetari i AAK’së, Ramush Haradinaj. Ai ka thënë se prapa nismës për shpërbërjen e kuvendit është kryeministri, të cilit “duket se po i rrëshqet toka nën këmbë dhe dëshpërimisht po e kërkon shpëtimin e vet”.
Haradinaj ka shkruar në “Facebook” se në parim, AAK “do të mund ta mbështeste shpërbërjen e Parlamentit, vetëm pas dorëheqjes apo shkarkimit të Kryeministrit”.
“Sidoqoftë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, do të mund ta mbështeste shpërbërjen e Parlamentit, vetëm pas dorëheqjes apo shkarkimit të Kryeministrit. Në situatën në të cilën jemi aktualisht, të gjitha dështimet e Kosovës, brenda dhe jashtë, e kanë vetëm një emër – Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti!”, ka shkruar Haradinaj.
Ndërsa, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, në një lidhje direkte në Pressing në T7 tha se LDK është e gatshme për zgjedhje. Por Haziri vlerësoi se “kryeministri nuk është gati”.
“Nga sonte nga nesër fillon me u numëru mbrapsht koha për zgjedhje, sa i përket LDK-së gati në çdo kohë, por nuk po besoj që kryeministri është gati. Ka fillu me u akomodu dhe po i intereson më shumë një mandat kalendarik sesa një mandat me agjendë të realizuar”, tha Haziri në Pressing. /GazetaExpress/