Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë gjatë një bashkëbisedimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikë – ku po qëndron qe disa ditë – se arsyeja e pezullimit të dialogut strategjik nga Washingtoni ka të bëjë me sundimin e ligjit.
Ai gjatë një bashkëbisedimi, u pyet në lidhje me këtë, ndërsa dëgjohet duke thënë: “Është për shkak të sundimit të ligjit në veri të Kosovës, i cili rezultoi të ishte kundër strukturave ilegale serbe dhe këtu nuk mund të bëj kompromise. Nuk mund t’ia lë këtë problem brezit tuaj. Mendoj që brezi im është ai që duhet ta përfundojë këtë”.
Kurti pranoi në këtë bashkëbisedim se marrëdhëniet me SHBA-në nuk janë të mira. Raporti ndërmjet dy vendeve, ai tha se është tridimensional: mbrojtje, zhvillim dhe diplomaci. Për sa i përket diplomacisë, ai tha se ka “pengesa”.
“Aty ku kemi disa pengesa është në diplomaci, sepse sipas meje, SHBA-ja e konsideron shumë të rëndësishme që ta tërheqë Serbinë nga hemisfera lindore sepse Serbia është e lidhur ngushtë me Moskën dhe ne, duke qenë të palëkundur në sundimin e ligjit, demokracinë, sovranitetin shtetëror dhe integritetin territorial, disa politikanë dhe diplomatë në SHBA vlerësojnë se ne nuk po e ndihmojmë SHBA-në që ta shkëpusë Serbinë nga Federata Ruse. Por, sinqerisht, ky nuk duhet të jetë problemi im”, tha Kurti.
Shtetet e Bashkuara më 12 shtator kanë njoftuar se e kanë pezulluar për një kohë të pacaktuar dialogun e planifikuar strategjik me Kosovën, për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet e Qeverisë në detyrë.
“Fatkeqësisht, veprimet dhe deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë Kurti kanë paraqitur sfida për progresin e arritur ndër vite”, ka thënë ndër tjerash ambasada e SHBA-së në një njoftim.
Kurti thotë se është “normal”, por se duket “ekstrem”.
“Dhe unë u dukem atyre shumë ndryshe nga paraardhësit e mi. Ky është mallkim nga pasardhësit e mi, të cilët kanë qenë të butë. Unë jam normal, por dukem ekstrem. Kjo është për shkak të paraardhësve të mi të cilët nuk kanë qenë normalë”.
Pak ditë pasi njoftoi për pezullimin e dialogut strategjik, ambasada amerikane në Kosovë tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të jenë “mike e afërt e popullit të Kosovës”.
“Shtetet e Bashkuara do të jenë gjithmonë një mike e ngushtë e popullit të Kosovës dhe jemi plotësisht të përkushtuar ndaj partneritetit tonë. Ne dëshirojmë të ecim përpara me Qeverinë në detyrë, por na nevojitet një partner që e kupton domosdoshmërinë për të shmangur veprimet destabilizuese dhe që është i përkushtuar të avancojë stabilitetin rajonal dhe të mbrojë të drejtat e të gjithë qytetarëve të Kosovës. Ne do të vazhdojmë t’i vlerësojmë veprimet e qeverisë në detyrë”, ka thënë ambasada amerikane.
Ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier tha së fundmi se pezullimi i Dialogut Strategjik nga Shtetet e Bashkuara është pasojë e një grumbullimi frustrimesh të SHBA-së ndaj Qeverisë së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke theksuar veçanërisht kritikat ndaj Gjykatës Kushtetuese.
Ai tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se si Administrata Biden, ashtu edhe Administrata Trump, kanë “shqetësime për cilësinë e partneritetit me kryeministrin në detyrë, Kurti” dhe kanë prioritete që bien në kundërshtim me ato të Qeverisë në detyrë të Kosovës.