Gjatë paradites së 13 shtatorit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me videolidhje mori pjesë në panelin e diskutimit “Ballkani Perëndimor dhe kriza globale – Stuhi të reja apo diell?”, në kuadër të Forumit për Integrimin e Ballkanit 2024.
Pjesë e panelit ishin edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Malit të Zi, Filip Ivanoviq, anëtari i Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës, Zeljko Komshiq, përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi dhe çështjet e Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, deputeti i Parlamentit Evropian, Tonino Picula, dhe ministrja e Punëve të Jashtme e Sllovenisë, Tanja Fajon.
Gjatë adresimit të tij, Kurti shprehu se sfidat me të cilat përballet rajoni janë të ndërthurura me kontekstin më të gjerë të ndryshimeve globale në aspekte të ndryshme politike dhe gjeopolitike.
“Ai shtoi se agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës ka zbuluar rreziqet që vijnë nga regjimet autoritare. Vijoi se edhe në Ballkanin Perëndimor Serbia sot pasqyron stilin autoritar të Rusisë. Strategjia e saj është krijimi i tensioneve në Kosovë, dhe kërkimi i ndarjes së Bosnjës, duke i përdorur ato si mjet negocimi me Perëndimin për të siguruar lëshime dhe për të shmangur reformat e nevojshme”, thuhet në njoftim.
Kurti theksoi se ajo që nevojitet është normalizimi i vet Serbisë, e cila duhet të pajtohet me faktin se epoka e zgjerimit territorial dhe ndarjeve etnike ka përfunduar.
Kryeministri theksoi se Kosova është e përkushtuar për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe për bashkëpunim rajonal dhe se vijon të punojë pareshtur drejt anëtarësimit në NATO dhe BE si qëllime strategjike.
Kurti shtoi se Kosova në tri vitet e fundit, ka shënuar rritjen më të shpejtë të treguesve demokratikë në rajon dhe rritje të lartë ekonomike, duke treguar se demokracia dhe zhvillimi ekonomik ecin krah për krah njëra-tjetrës.
Sëmundja Pulmonare Obstruktive Kronike (SPOK) është një gjendje e rëndë që prek rrugët e frymëmarrjes. SI SHKAKTOHET? Faktori kryesor...