Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në konferencën e sotme për media, tha se beson që me Nismën mund t’i bëjnë 61 votat e nevojshme për konstituimin e kuvendit e më pas formimin e Qeverisë.
Ai tha se kjo është e mundshme por nevojitet të vazhdojnë bisedimet.
“Ndërkohë ne duhet të qeverisim sepse i kemi kompetencat e kufizuara por punët i kemi të shumta, nuk jemi duke punuar më pak ndonëse kemi më pak kompetenca dhe në përputhje me nenin 31 të Ligjit për Qeverinë po punojmë vazhdimisht me gjithë ministrat në detyrë. Por paralelisht me këtë po japim shansin këtyre bisedimeve me Nismën Socialdemokrate që ta mbërrijnë numrin 61, unë besoj që kjo është e mundshme dhe nevojitet të vazhdojnë bisedimet dhe vullneti politik natyrisht”, tha ai.
Kurti tha se ia ka ofruar Nismës një ofertë, por nuk dha detaje rreth saj. Ai nuk u përgjigj as nëse do t’ia japin Limajt postin e kryeparlamentarit.
Ai shtoi se pret që marrëveshja të finalizohet deri në këtë fundjavë.
“Unë kam bërë një ofertë për Nismës Socialdemokrate dhe nuk do të mund të diskutojë elementet përbërëse para se të finalizohen ato biseda. Unë uroj e shpresoj sepse punoj që kjo të bëhet në këtë javë, të përmbyllet, e kësisoj ju kërkoj edhe pak durim sepse në këtë fundjavë ose do ta kemi lajmi për marrëveshjen e arritur ose mungesën e tij”, tha ai.
Sot për herë të 50’të ka dështuar konstituimi i kuvendit. Seanca tjetër do të mbahet të mërkurën, derisa më 26 korrik mbaron afati i dhënë nga Gjykata Kushtetuese. /GazetaExpress/