Rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit u certifikuan dje nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Albulena Haxhiu, ushtruesja e detyrës së Presidentit, mund ta thërrasë që sot seancën konstituive të Kuvendit.
Kuvendi konstituohet në një seancë e cila “mbahet brenda tridhjetë (30) ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve”, sipas pikës 1 të nenit 66 të Kushtetutës së vendit. Presidenti, në këtë rast ushtruesja e detyrës, “e thërret seancën e parë të Kuvendit”, sipas pikës 3 të të njëjtit nen. Nëse ajo nuk është në gjendje ta bëjë këtë, “Kuvendi mblidhet pa pjesëmarrjen e Presidentit”, thotë Kushtetuta.
Haxhiu tha të mërkurën se seancën konstituive do ta thërrasë “brenda afatit”.
“Në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese, seanca konstituive e Kuvendit të Republikës do të thirret brenda afatit të përcaktuar me Kushtetutë, duke hapur rrugën për themelimin e institucioneve të reja të dala nga vullneti i qytetarëve”, shkroi ajo në një postim në Facebook.
Lëvizja Vetëvendosje ka thënë të martën se i ka siguruar votat për formimin e Qeverisë së re dhe se më pas do të kërkojë konsensus me partitë e tjera për zgjedhjen e Presidentit. Mozgjedhja e Presidentit ishte shkaku që vendi mbajti në fillim të qershorit zgjedhjet e treta në rreth një vit e gjysmë.
“Sa i përket Qeverisë, ne i kemi votat e nevojshme. Prandaj, menjëherë pas konstituimit të Kuvendit pa humbur kohë duhet të vazhdojmë me procedurën për votimin e Qeverisë, ndërsa brenda afateve kushtetuese do të angazhohemi edhe për arritjen e konsensusit rreth zgjedhjes së presidentit/es”, tha për Radion Evropa e Lirë ish-shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci.
Kryeministri në detyrë, kryetari i LVV-së, Albin Kurti është kthyer nga Greqia, ku mori pjesë në edicionin e 28-të të Simpoziumit SYMI.
Para rreth dy javësh, Kurti në një mbledhje të Qeverisë në detyrë e përmendi zgjedhjen e Presidentit pasi tha se duhet ta konstituojnë Kuvendin dhe ta formojnë qeverinë e re të vendit.
“Porsa të certifikohet rezultati i zgjedhjeve do të nisim punën dhe diskutimet për formimin e institucioneve të reja: konstituimin e legjislaturës së 11 të Kuvendit, formimin e qeverisë së re dhe zgjedhjen e Presidentit apo Presidentes”, tha ai.
Pasi arsyeja e zgjedhjeve të fundit parlamentare ishte moszgjedhja e Presidentit, nga këtu, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani thotë se duhet të nisë puna pas konstituimit të Kuvendit.
“Menjëherë duhet të fillojë procedura për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Pra, Kuvendi Kosovës që konstituohet nuk mund të ketë asgjë tjetër në agjendë pos propozimet për Presidentin e Republikës”, ka thënë ai për Gazetën Express më 16 qershor.
Ai thotë se Albulena Haxhiu nuk mund ta dekretojë mandatarin e ri për kryeministër, duke qenë ushtruese e detyrës së Presidentit.
Në aktgjykimin e fundit kur Kushtetuesja vendosi afatin për zgjedhjen e Presidentit, përmendet edhe afati në kontekst të zgjedhjes së shefit të shtetit kur nuk ka Kuvend të konstituuar dhe funksional.
Paragrafi 162 i atij aktgjykimi thotë se me t’u konstituuar Kuvendi, duhet të fillojë procedura për zgjedhjen e Presidentit.
“Në kontekstin specifik të rrethanave të një Kuvendi të shpërndarë dhe ende të pakonstituuar, Gjykata bazuar në interpretimin si më lart dhe qëllimin e normave kushtetuese, të përcaktuara përmes nënpikës 3 të paragrafit 1 të nenit 82 ndërlidhur me paragrafin 2 të nenit 86 të Kushtetutës, vlerëson se procedura për zgjedhjen e Presidentit duhet të fillojë nga dita e konstituimit të Kuvendit dhe të përfundojë më së largu brenda gjashtëdhjetë (60) ditëve nga dita e fillimit të procedurës për zgjedhjen e Presidentit”, thuhet në aktgjykim.
Gjykata Kushtetuese thotë në aktgjykimin e fundit se më herët nuk kishte specifikuar shprehimisht rrethanën se kur fillon dhe kur përfundon procedura e zgjedhjes së Presidentit të ri, në rrethanat kur nuk ka Kuvend të konstituuar dhe funksional.