Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka vlerësuar paraqitjen e Filarmonisë dhe Korit të Operës së Kosovës në Bazilikën Santa Maria in Aracoeli në Vatikan, ku u interpretua oratoriumi “La tempesta sul lago” i Kardinal Domenico Bartoluccit, nën drejtimin e Maestro Jacopo Sipari di Pescasseroli.
Ai tha se ky interpretim, i regjistruar nga Vatican Media, e vendosi sërish Kosovën me dinjitet në një prej hapësirave më të vjetra të muzikës së shenjtë.
Kurti theksoi se mbrëmja pasqyroi linjën historike muzikore të Kosovës, duke përmendur Niketë Dardanin, veprën themeluese të Lorenc Antonit dhe lidhjen shpirtërore me Shën Terezën e Kalkutës, e cila në rininë e saj këndoi në koret që drejtonte Antoni.
Ai shtoi se kjo traditë e ruajtur brez pas brezi është bërë pjesë e një dialogu të nderuar me trashëgiminë muzikore të Vatikanit.
Në fjalën e tij, Kurti u ndal në rolin e muzikës së shenjtë ndër shekuj dhe në rëndësinë e interpretimit të veprës së Bartoluccit nga artistët kosovarë.