Kurti ia la ofertën në fundjavë, Limaj s’do zgjidhje me episode, sheh situatë tjetër pasi Osmani iu drejtua Kushtetueses – çfarë u tha sot? - Gazeta Express
string(133) "kurti-ia-la-oferten-ne-fundjave-limaj-sdo-zgjidhje-me-episode-sheh-situate-tjeter-pasi-osmani-iu-drejtua-kushtetueses-cfare-u-tha-sot"

Lajme

Gazeta Express

23/07/2025 15:27

Kurti ia la ofertën në fundjavë, Limaj s’do zgjidhje me episode, sheh situatë tjetër pasi Osmani iu drejtua Kushtetueses – çfarë u tha sot?

Lajme

Gazeta Express

23/07/2025 15:27

Fatmir Limaj shprehet optimist megjithëse po insiston në postin e kryeparlamentarit, diçka të cilën Albin Kurti duket se nuk e ka përfshirë në një ofertë për koalicion qeverisës që ia ka bërë atij. Seanca konstituive po vazhdon të ndërpritet ndërsa po shkon drejt fundit afati 30-ditësh i dhënë nga Gjykata Kushtetuese, të cilës presidentja i ka kërkuar sqarime se çfarë do të ndodhë më pas.

Gazeta Express

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj sheh “një situatë tjetër” sot pasi presidentja Vjosa Osmani iu drejtua Gjykatës Kushtetuese të martën për të kërkuar sqarime për pasojat juridike të kalimit të afatit të vendosur për konstituimin e Kuvendit dhe pezullimin e tij.

Në fund të kësaj jave skadon afati 30-ditor i dhënë në aktgjykimin e 26 qershorit. Kushtetuesja vendosi që deputetët duhet ta përfundojnë seancën konstituive brenda 30 ditëve, më së largu deri më 26 korrik.

Limaj tha se është “në interesin e partive politike është që të pritet vendimi”.

Gjykata, sipas tij, duhet “të ndihmojë në qartësimin e çështjes rreth Kuvendit”. Më pas, ai tha se do të krijohen institucionet.

“Dhe unë besoj atëherë do të krijohet edhe shumica për Parlament, edhe për Qeveri dhe Kosova do t’i ketë institucionet”, tha Limaj pas ndërprerjes së sërishme të seancës konstituive.

Limaj u takua me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti të shtunën në një restorant në qendër të Prishtinës. Ata po qëndrojnë në kontakt prej muajsh dhe janë takuar disa herë, me negociatat që nuk kanë dhënë ende rezultat.

Limaj tha sot se në tavolinën e bisedimeve me Kurtin i kanë opsionet e të dyja palëve.

“E rëndësishme që në tavolinë ka opsione. Për korrektësinë, e kërkoj mirëkuptimin tuaj. Nuk mund të shkojmë atje derisa s’ka diçka konkrete”, tha Limaj, duke mos dashur të japë hollësi.

Ai tha se nuk duan zgjidhje “vetëm për Kuvendin” pasi kjo do të mund të shkaktonte zgjedhje të reja, të cilat Nisma nuk i do.

“Të shkojmë drejt një zgjidhjeje përfundimtare, jo parciale, jo vetëm për Kuvendin. Nganjëherë këtu po krijohet përshtypja që këtu është problemi. Problemi është më tepër. Duhet të krijohet shumica qeveritare, shumica e cila funksionon edhe për Parlament, edhe për Qeveri. Jo shumicë me episode, jo shumicë gjysmake, jo shumicë e cila e zgjedhë kryetarin e Kuvendit e pastaj shkon drejt zgjedhjeve. Ne nuk jemi të interesuar”.

Për të është i rëndësishëm “vullneti i qytetarëve të Kosovës në zgjedhje”. Ai tha se “kryetari i cili i ka fituar votat duhet ta drejtojë qeverinë” dhe se “deputetët përreth duhet ta ndihmojnë kryetarin e tyre për ta implementuar vullnetin qytetar në qeverisje”.

Ai beson se do të takohet sërish me Kurtin, i cili nuk ua tha asnjë fjalë gazetarëve të interesuar sot ndërsa po hynte në Kuvend për vazhdimin e seancës konstituive.

Dje gjatë gjithë ditës eksponentë të LVV-së janë kujdesur ta theksojnë se LVV me partitë e vogla në koalicion e ka “vijë të kuqe” postin e kryeparlamentarit dhe se nuk mund t’ia japin atë një subjekti me 2-3 deputetë.

Kurti tha të hënën se ia ka bërë Limajt një ofertë, për detajet e së cilës nuk pranoi të fliste.

“Këtë fundjavë do ta kemi lajmin për marrëveshjen e arritur ose mungesën e saj”, tha ai në një konferencë për media.

Ndërsa Limaj po e shqyrton ofertën “konkrete” të Kurtit, më herët ka bërë të ditura dy kërkesat konkrete të tij: pozitën e kryetarit të Kuvendit dhe një “paketë ligjore”, në të cilën përfshihet edhe ulja e pragut zgjedhor nga 5 në 2%.

LVV shpreson, PDK thotë se Kurti s’e bën Limajn “kurrë” kandidat për kryeparlamentar

Në Lëvizjen Vetëvendosje thonë se janë optimistë se do të marrin përgjigje pozitive nga Fatmir Limaj deri në fund të javës.

“Kryeministri Kurti është takuar me kryetarin e Nismës, ka pasur një takim në të cilin është folur për kërkesat e të dyja palëve. Ne po presim përgjigje prej këtij subjekti politik dhe jemi optimistë që do të kemi një përgjigje pozitive të paktën deri në fund të kësaj jave sepse po i afrohemi datës 26 kur edhe e konsumojmë 30 ditëshin që na është dhënë me aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe shpresojmë që duhet një gjë e tillë të ndodhë para këtij afati”, tha sot deputetja Arbëreshë Kryeziu.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës thotë se “apetitet pushtetore” po e pamundësojnë një marrëveshje ndërmjet Albin Kurtit dhe Fatmir Limajt.

Memli Krasniqi tha sot se ia ka thënë edhe personalisht kryetarit të Nismës se ai nuk do të jetë “kurrë” kandidat për kryetar të Kuvendit.

“Unë nuk besoj kurrë që do të jetë kandidat, sepse – një gjë të tillë ia kam thënë edhe atij personalisht – nuk e emëron, nuk e propozon Albin Kurti asnjëherë. Kështu që për këtë temë besoj që s’kemi me pasë as arsye me e diskutu, përveç në mënyrë hipotetike”, tha ai, pasi u pyet nga gazetarët për këtë.

Ai tha se “mungesa e transparencës nga të dyja palët është një shenjë që diçka s’është në rregull”.

“Besoj që ka të bëjë me apetitet pushtetore, se nuk ma merr mendja që janë duke e negociuar programin qeverisës se sa duhet rritur pagat e sa pensionet”.

Krasniqi kujtoi se “edhe një marrëveshje eventuale mes Vetëvendosjes edhe Nismës nuk i ka 61 vota”.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku tha se partia që doli e para në zgjedhjet e 9 shkurtit për 30 ditë nuk ka arritur ta shfrytëzojë të drejtën për ta zgjedhur kryetarin e Kuvendit dhe përgjegjësinë për ta krijuar shumicën parlamentare.

“Në qoftë se i pari për 30 ditë nuk arrin ta përdorë këtë të drejtë, do të ishte e logjikshme që, si në rastin e Qeverisë, dikush tjetër të provojë ta bëjë një gjë të tillë. Pra, t’i humbasë edhe e drejta meqenëse nuk po e shfrytëzon”, tha ai.

Abdixhiku tha se do të jenë “të vëmendshëm ndaj vendimit dhe interpretimit të Kushtetueses” dhe se e mirëpresin atë, duke pritur “qartësi” nga Gjykata.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës u shpreh i bindur se Gjykata Kushtetuese “do ta gjejë një zgjidhje” pasi presidentja Vjosa Osmani iu drejtua asaj të martën.

Ky veprim i shefes së shtetit, sipas Ramush Haradinajt “e ndryshon gjendjen”.

Ai tha shpreson se aktgjykimi i ri i Kushtetueses “nuk do të vonohet”.

15 prilli, dita të cilën presidentja Vjosa Osmani e caktoi për mbajtjen e seancës konstituive të Kuvendit, ishte ajo në të cilën Kurti pati thënë se po mendonin ta votonin edhe qeverinë e re. Por kaluan mbi 3 muaj që seanca po ndërpritet çdo dy ditë dhe ai s’ka arritur ta gjejë partneritetin e nevojshëm për ta krijuar një shumicë parlamentare.

LVV-ja po e hedh vazhdimisht në votim propozimin e saj për formimin e një komisioni për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, i cili nuk po i merr votat e nevojshme. Partia e Kurtit po përpiqet ta bëjë të fshehtë votimin, pasi Albulena Haxhiu, kandidatja e tyre për kryeparlamentare, dështoi disa herë në mënyrë të përsëritur që t’i merrte 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur.